Rreth 400 banorë te fshatit Terovë në bashkinë Maliq po përballen me një situatë shqetësuese lidhur me furnizimin me ujë të pijshëm. Prej më shumë se dy javësh, uji që rrjedh në rubineta është i ndotur dhe me erë të rëndë, duke u bërë i papërdorshëm për konsum dhe gatim.

Për shkak të kësaj gjendjeje, banorët kanë organizuar një protestë këtë të martë, duke kërkuar ndërhyrje urgjente nga autoritetet.

Familjet janë detyruar të sigurojnë ujin në mënyrë alternative, kryesisht duke e blerë atë në dyqane, gjë që ka shtuar shpenzimet dhe ka vështirësuar jetesën e përditshme.

Sipas kryeplakut të fshatit, rrjeti i ujësjellësit nuk paraqet defekte teknike, ndërsa burimi i ujit, funksional që prej viteve 77, nuk ka shfaqur më parë probleme të ngjashme. 

Sipas tij dyshohet se reshjet e shumta të fundit mund të kenë ndikuar në cilësinë e ujit, por ende nuk ka një shpjegim zyrtar.

Situata po prek veçanërisht familjet dhe amvisat, të cilat hasin vështirësi në përmbushjen e nevojave bazë të përditshme, si gatimi dhe higjiena.

Problemi nuk kufizohet vetëm në Terovë, por është shtrirë edhe në fshatin Pendavinj, po në të njëjtën bashki. Në total, rreth 1000 banorë po përballen me mungesën e ujit të sigurt për përdorim, duke kërkuar zgjidhje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse.