TIRANE - Mesatarja e mbulimit të kostos totale për sektorin e ujësjellës kanalizimeve rezultoi mesatarisht në 79% më 2015, dhe vetëm 6 (gjashtë) shoqëri kanë arritur të mbulojnë 100% këto kosto, bën të ditur Enti Rregullator i Ujit në raportin e depozituar në Kuvend për vitin 2015.

Nivelet e treguesve kryesorë të performancës tregojnë se në vitin 2015 sektori nuk ka patur ndryshime pozitive të dukshme. Krahasuar me një vit më parë, gjashtë nga këta tregues, mbulimi me ujë, mbulimi me kanalizime, uji pa të ardhura, kohëzgjatja e furnizimit me ujë, efiçenca e stafit dhe norma e arkëtimit nuk kanë ndryshuar, referohet në raportin e ERU.

Në sektorin ujësjellës kanalizime vazhdojnë të ofrojnë shërbimin e grumbullimit, shpërndarjes së ujit për konsum publik 57 shoqëri, nga të cilat shërbimin e përpunimit të ujit për konsum publik e kryejnë 2 prej këtyre shoqërive, largimin e ujërave të ndotura 28 prej tyre dhe përpunimin e ujërave të ndotura vetëm 5 prej tyre.

Gjatë vitit 2015 pranë institucionit tonë, kanë aplikuar për pajisje me licencë apo rinovim licence, 23 (njëzetë e tre) shoqëri ujësjellës kanalizime, nga të cilat pas plotësimit të gjithë dokumentacionit të kërkuar, kanë kaluar për vendimmarrje nё KKRR dhe janë licencuar 10 (dhjetë) operatorë, ndërsa 13 (trembëdhjetë) aplikime të tjera mbeten ende në proces.

Enti Rregullator i Ujit raportoi se ka mbështetur përpjekjet e të gjithë operatorëve për rritjen e qëndrueshmërisë financiare, për të siguruar cilësinë, efiçencën dhe vijueshmërinë e shërbimeve që ato ofrojnë për të gjithë konsumatorët por ERU vë në dukje se, sShoqëritë duhet të arrijnë të mbulojnë kostot e shërbimeve që ofrojnë me të ardhurat nga aktiviteti i tyre.

ERU vë në dukje se ndryshimi i tarifave ka patur përgjithësisht tendencë rritëse, në varësi të kushteve dhe zhvillimeve të ofrimit të shërbimit të çdo operatori. Në sektorin e shërbimit të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve ka ende shoqëri që operojnë me tarifa të ulta, por që arrijnë të mbulojnë me të ardhurat e tyre më pak se gjysmën e kostove të operimit dhe mirëmbajtjes. Nga ana tjetër dhe infrastruktura ekzistuese e shërbimeve UK ka nevojë për rehabilitim, zëvendësim ose shtrirje të mëtejshme, pasi sektori është në proces përmirësimi dhe zgjerimi për shërbimin e furnizimit me ujë dhe kanalizimeve.

Aktualisht në sektor operojnë 57 operatorë, por ky numër pritet të ndryshojë së shpejti, pas përfundimit të riorganizimit të shërbimit sipas njësive të reja vendore. /Monitor/



Redaksia Online
Shqiptarja.com