Uji, varësia totale dhe
simptomat e dehidratimit

Uji, varësia totale dhe <br />simptomat  e dehidratimit
Uji është jetë! Fakti se uji përbën afërsisht 60% të peshës trupore të meshkujve dhe 50% të peshës trupore të femrave mbështet rëndësinë e tij në jetën e njeriut. Duke qenë se indi dhjamor ka përmbajtje më të ulët uji, përqindja totale e ujit te një individ obez është më e vogël krahasuar me individët joobezë. Lidhja ndërmjet peshës totale trupore të ujit dhe peshës trupore pa dhjam është relativisht konstante: te një i rritur pesha totale e ujit përfaqëson afërsisht 72% të masës trupore pa dhjam. Kjo hapësirë ujore shpërndahet në tre kompartimente: uji brenda qelizave (hapësira brendaqelizore), lëngjet intersticiale (ndërmjet qelizave) dhe lëngjet intravaskulare që qarkullojnë brenda vazave të gjakut. Është interesant fakti se lëngu jashtëqelizor ka një përbërje jonike të ngjashme me atë të ujit të detit, por më të holluar. Këto tre kompartimente ujore kanë shkëmbime të vazhdueshme ndërmjet tyre për të ruajtur ekuilibrin brenda organizmit.
Varësi totale ndaj ujit
Uji është një ushqim vërtet i jashtëzakonshëm dhe thelbësor për jetën: lëndët ushqyese dhe gazet transportohen në mjedis ujor, produktet përfundimtare të metabolizmit largohen nga trupi me anë të urinës dhe feçeve, uji rregullon temperaturën e trupit, lubrifikon artikulacionet dhe merr pjesë në dhënien formë e konsistencë trupit me anë të rigiditetit që i jep indeve. Për më tepër, hidratimi korrekt kontribon në mbajtjen e një lëkure të tendosur dhe të re, pasi dehidratimi akut apo kronik provokon rrudhjen e lëkurës.
Një person i rritur me stil jetese sedentare, që jeton në një mjedis jo shumë të ngrohtë dhe as shumë të lagësht, kërkon afërsisht dy litra e gjysmë ujë në ditë, të cilat i merr nga tre burime: lëngjet e marra (afërsisht 1200 ml), ushqimet (afërsisht 1000 ml) dhe uji i prodhuar brenda organizmit nga metabolizmi (afërsisht 350 ml). Frutat dhe perimet përfaqësojnë ushqimet me përmbajtje më të lartë uji.
Si eliminohet uji?
Uji i trupit eliminohet me anë të urinës, lëkurës, frymëmarrjes dhe defekimit. Me anë të urinës ekskretojmë afërsisht një litër në ditë. Kjo përfaqëson rrugën kryesore të eliminimit të produkteve përfundimtare të metabolizmit, veçanërisht të urëse. Urea është produkti përfundimtar i metabolizmit të proteinave; në rast se rritet përqëndrimi i uresë në organizëm fillojnë problemet shëndetësore. Sa më shumë proteina të përmbajë dieta juaj, aq më shumë ujë është i nevojshëm për të larguar lëndët përfundimtare.
Një pjesë e vogël uji humbet nëpërmjet lëkurës, në formën e djersës. Shpesh djersitja është e padukshme, por në kushte normale sekretohen 0.5-0.7 litra, sasi që shumëfishohet kur temperatura e jashtme rritet. Djersitja përfaqëson sistemin kryesor të ftohjes së organizmit. Së fundi, humbja e ujit nëpërmjet frymëmarrjes dhe feçeve është afërsisht 0.4 litra.
Të pish ujë pa pritur etjen
Kur rrimë në diell dhe gjatë vapës djersisim më shumë dhe, si pasojë, rritet humbja e lëngjeve. Në rast se kësaj i shtojmë dhe faktin që sa më shumë lëngje humbet organizmi, aq më shumë ulet kapaciteti i tij për të rregulluar temperaturën, kuptohet se zëvendësimi i ujit ka rëndësi thelbësore. Por nuk duhet të presim etjen për të pirë ujë: goja e thatë përfaqëson që herët një simptomë dehidratimi, ndërkohë që instikti për të pirë ujë humbet me dehidratimin progresiv. Prandaj, nuk i duhet pasur besë etjes dhe duhen pirë rregullisht 8 deri 10 gota përgjatë ditës. Sa më e lartë të jetë lagështira e ajrit, aq më shumë ujë pijmë. Vapa, lagështira dhe ushtrimet fizike përfaqësojnë kushtet perfekte për shfaqjen e dehidratimit. Humbja e 2% të ujit të trupit supozin humbjen e 20% të energjisë fizike dhe kemi shtim të lodhjes. Kur humbet 20% e ujit të organizmit rritet risku për të vuajtur nga ndëlikime të rënda. Përveç këtyre gjendjeve, edhe ethet, diarreja dhe të vjellat (frekuenca e të cilave rritet në verë si pasojë e gastroenteritit) shkaktojnë dehidratim.
Simptomat e dehidratimit
Me ardhjen e stinës së ngrohtë është e rëndësishme të jemi të hidratuar dhe të njohim simptomat e dehidratimit, sidomos te moshat e mitura dhe te të moshuarit. Etja, tharja e mukozave dhe e lëkurës, ndjesia e djegies dhe aciditetit gastrik, përgjumja, lodhja dhe, në raste më të rënda, pulsi i përshpejtuar, ulja e presionit arterial, temperatura e rritur e insuficienca renale përfaqësojnë shenjat kryesore të deficitit të ujit.
Mite të gabuara
Shumë persona janë të preokupuar sepse mendojnë që konsumi i ujit do të çojë në mbajtjen e lëngjeve. Por është e rëndësishme që të nënvizohet se një individ i shëndetshëm nuk mban lëngje, pasi organizmi ruan ekuilibrin dhe në rast se ka tepri lëngjesh rrit eliminimin me anë të urinës. Problem përfaqëson mungesa e lëngjeve, pasi pasojat mund të jenë konstipacioni, probleme artikulare dhe tendinoze, rrudhosje e lëkurës dhe urinë më e përqëndruar që favorizon infeksionet dhe formimin e gurëve urinarë. Vetëm në rastet e sëmundjeve renale, hepatike, kardiake apo në rastin e variceve mjeku mund të rekomandojë uljen e marrjes së lëngjeve.
Një tjetër gabim i shpeshtë është përdorimi i saunës për të rënë nga pesha. Në sauna humbasim vetëm lëngje të cilat duhet të zëvendësohen menjëherë. Për më tepër, me anë të djersës, në sauna humbasim dhe elektrolite e kripëra minerale. Për zëvendësimin e lëngjeve që humbasim në sauna alternativa më e mirë është marrja e lëngut të portokallit.

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Spartak Ngjela: Turp historik! Nuk lejojnë votim të lirë, e nuk dinë të bëjnë asgjë tjetër veçse të rrinë në pushtet për privilegje

Spartak Ngjela: Turp historik! Nuk lejojnë votim të lirë, e nuk dinë të bëjnë asgjë tjetër veçse të rrinë në pushtet për privilegje