UKRAINE- Presidenti ukrainas Viktor Yanukovych iu rikthye punës për të gjetur një marrëveshje me opozitën, 4 ditë pasi u sëmur. Fjalët e tij të para ishin se vendi duhet t’i thotë jo ekstremizmit dhe radikalizmit.
 
Detyra e tij e parë do të jetë gjetja e një kryeministri të ri pas dorëheqjes së Mykola Azarov më 28 janar dhe refuzimit që bëri lideri i opozitës Arseniy Yatsenyuk, për të marë këtë post.
 
Protestat në vend kanë vazhduar edhe gjatë ditës së hënë ku rreth 50 mijë protestues mbushën Sheshin e Pavarësisë, megjithëse parlamenti shfuqizoi ligjet anti-protestë e cila ishte një nga kërkesat e opozitës. Vetëm në muajin janar 6 persona mbetën të vdekur gjatë përleshjeve me forcat e rendit.

Ndërkohë Rusia i ka kërkuar liderëve të opozitës t’i japin fund fushatës së tyre të ultimatumeve dhe kërcënimeve dhe të uleshin në bisedime me qeverinë. Ministria e Jashtme ruse u shpreh e shqetësuar nga përpjekjet e protestuesve për të ndezur edhe më shumë situatën në vend.
 
Nga ana tjetër BE dhe SHBA kanë përpiluar një paketë financiare për të ndihmuar gjendjen e rëndë financiare të Ukrainës, por vetëm nëse këta të fundit do të ndërmernin reforma reale. Mendohet se kjo huadhënie do të ndihmojë ndjeshëm situatën e vendit, megjithëse detaje të tjera, nuk bëhen të ditura.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)