Kanë kaluar mbi 1418 ditë që nga fillimi i luftës Rusi-Ukrainë dhe ky konflikt po ia kalon për nga kohëzgjatja edhe atij mes Bashkimit Sovjetik dhe Rajhut të Tretë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Si kanë avancuar forcat ruse në Ukrainë që nga viti 2022 deri më sot.
Në vitin 2022, presidenti rus Vladimir Putin e nisi pushtimin e Ukrainës nën etiketën e “operacionit ushtarak special”, të shoqëruar nga propaganda për “denazifikimin e qeverisë së Kievit”, me synimin për të përsëritur lavdinë e asaj që Moska e quan “Lufta e Madhe Patriotike”.
Por, në vend të një fitoreje të shpejtë, Kremlini është përballur me një luftë të gjatë dhe rraskapitëse, me rezultate të paqarta. Putini nuk mund ta humbasë këtë konflikt, pasi një dështim do të kishte pasoja të rënda politike dhe personale për të, por njëkohësisht nuk po arrin ta fitojë. Si rrjedhojë, Rusia ka vijuar bombardimet ndaj qyteteve ukrainase dhe ka dërguar vazhdimisht trupa në vijën e frontit, duke pësuar humbje të mëdha.
Krahasimi me Luftën e Dytë Botërore thekson kontrastin: mes viteve 1941 dhe 1945, Ushtria e Kuqe kaloi nga mbrojtja në kundër-ofensivë, ndaloi avancimin nazist në Moskë dhe Stalingrad dhe përfundoi në Berlin. Ndërsa sot, në të njëjtin hark kohor, forcat ruse janë të bllokuara në llogoret e Donbassit dhe nuk kanë arritur të marrin qytete si Pokrovsk apo Kupiansk, pavarësisht se janë shpallur disa herë të “çliruara” nga propaganda zyrtare.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se lufta e nisur nga Putini nuk po arrin objektivat e saj dhe po riprodhon tmerret e shekullit XX. Ai ka theksuar se sulmet ruse me dronë dhe raketa po paralizojnë infrastrukturën energjetike, duke lënë qytete të tëra pa energji elektrike, ujë dhe ngrohje, në mes të temperaturave që zbresin deri në -22 gradë Celsius. Çdo ditë raportohen viktima civile nga bombardimet.
Zelensky ka akuzuar Rusinë se ka rikthyer praktika të dhunës masive ndaj popullsisë civile, duke përdorur teknologji moderne si dronët Shahed dhe raketat kundër centraleve elektrike dhe shtëpive private. Sipas tij, slogani sovjetik “mund ta rindërtojmë prapë” është kthyer në deja vu e krimeve dhe shkatërrimeve të së shkuarës.
Në front, luftimet vazhdojnë plot forcë. Në Kharkiv janë raportuar të paktën katër civilë të vrarë nga sulmet ruse, ndërsa beteja për Donbass mbetet në vendnumëro. Vëzhguesit ushtarakë perëndimorë vlerësojnë se numri i ushtarëve rusë të vrarë, plagosur apo të zhdukur që nga shkurti i vitit 2022 mund të arrijë deri në 1.2 milionë, rreth dyfish i humbjeve ukrainase.
Në të njëjtën kohë, lufta është shtrirë edhe në det. Ukraina ka akuzuar Rusinë për sulme ndaj anijeve tregtare në Detin e Zi, ndërsa dronët ukrainas kanë goditur cisterna nafte të drejtuara drejt porteve ruse dhe objektiva të tjera detare.
Zelensky ka theksuar se, pavarësisht rezistencës në terren, mbështetja amerikane dhe evropiane mbetet thelbësore. Ai ka bërë të ditur se po finalizohen garanci sigurie nga Shtetet e Bashkuara, në rast se do të rifillojnë negociatat me Moskën. Këto çështje pritet të diskutohen edhe në forumin e Davosit, ku parashikohet një takim i tij me Donald Trump.
Megjithatë, pritshmëritë për paqe mbeten të ulëta. Ish-ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba ka deklaruar se një armëpushim mund të jetë i mundur vetëm drejt vitit 2026, por jo një marrëveshje e plotë paqeje. Sipas tij, Rusia beson ende se mund të arrijë objektivat e saj me mjete ushtarake, ndërsa Ukraina është e bindur se mund të rezistojë, duke e bërë konfliktin të zgjatur dhe pa zgjidhje të shpejtë.
Lufta në Ukrainë ka nisur në shkurt të vitit 2022 dhe është shndërruar në konfliktin më të gjatë ushtarak të Rusisë moderne. Pavarësisht përpjekjeve diplomatike dhe presionit ndërkombëtar, luftimet vazhdojnë, ndërsa paqja shihet ende si një perspektivë e largët.
Komente








