Njëzet e tetë persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e një sulmi të kryer nga dronë detarë ukrainas në shëtitoren bregdetare të qytetit turistik rus të Soçit, në Detin e Zi. Sipas agjencisë TASS 5 të plagosur u transportuan në spital, ndërsa tre kanë marrë ndihmë mjekësore në vendngjarje”.

Sulmi shkaktoi një zjarr ndërsa infrastruktura e plazhit dhe një pjesë e shëtitores ngjitur kanë pësuar dëmtime të pjesshme, shtuan autoritetet e Soçit.

Qyteti, një destinacion turistik, ndodhet rreth 600 kilometra nga kufiri rus dhe është shtëpia e rezidencës zyrtare verore të presidentit rus Vladimir Putin.

Të paktën nëntë persona kanë humbur jetën në sulmet ruse të kryera gjatë natës së kaluar kundër Ukrainës, të cilat kanë goditur magazina dhe porte në të gjithë vendin.

Kështu shkruan gazeta The Guardian, e cila ka përditësuar bilancin e sulmeve të nisura dje.

Pesë viktima dhe 24 të plagosur janë raportuar në rajonin e Sumit, ndërsa katër persona kanë humbur jetën dhe 19 të tjerë janë plagosur në një tjetër sulm ndaj portit ukrainas të Mykolaivit, në Detin e Zi.

Kjo valë e fundit sulmesh vjen ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy vijon turneun e tij diplomatik ndërkombëtar, me bisedime në Kanada të përqendruara te mbrojtja ajrore dhe përgatitjet për dimrin e vështirë përpara.