KIEV - Trupat ukrainase kanë nisur operacionin anti-terrorizëm në qytetin e Slaviansk ku aktivistë pro-rusë kanë marrë prej javësh kontrollin e godinave qeveritare.

Sipas ministrisë së mbrojtjes ukrainase, të paktën 5 protestues pro-rusë kanë humbur jetën dhe 1 polic është plagosur. Në sulm marrin pjesë tanqe, autoblinda dhe helikopterë. 3 pika kontrolli të ngritura nga pro-rusët në periferi të qytetit janë shkatërruar plotësisht.

Sipas agjensisë ruse të lajmeve Rossiya 24 të gjitha dyqanet, shkollat dhe institucionet e tjera në qytet janë mbyllur. Aktivistët pro-rusë po djegin goma në mënyrë për të ndaluar sulmin e trupave ukrainase.

Presidenti rus Vladimir Putin e quajti këtë sulm të qevertisë ukrainase mbi protestuesit pro-rusë si një krim. Sipas tij liderët e Ukrainës janë thjesht një grup njerëzish të cilët kanë ardhur në pushtet me grusht shteti. Putin shtoi se veprimi i qeverisë ukrainase tregon se ai kishte të drejtë kur mbështeti popullin e Krimesë për të mbajtur referendum, pasi do të ishte përsëritur e njëjta ngjarje.

Situata në lindje të Ukrianës vazhdon të jetë e tensionuar ku aktivistët pro-rusë kanë marrë kontrollin e godinave qeveritare në 11 qytete. Javën e kaluar Ukraina, Rusia, SHBA dhe BE arritën në një marrëveshje për t’i dhënë fund krizës në rajon. Megjithatë qeveria ukrainase dhe SHBA akuzojnë Rusinë se nuk kanë marrë masat e duhura për të ulur tensionin në vend dhe nuk kanë tërhequr trupat e tyre nga kufiri lindor i Ukrainës.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)