Njëmbëdhjetë ushtarë ukrainas rezultuan të zhdukur pasi u zunë në pritë në rajonin e Luganskut, ku forcat ukrainase ndodhen në vështirësi këto ditët e fundit përballë separatistëve prorusë, theksoi një zëdhënës ushtarak.

"Këta persona janë zhdukur dje ndërkohë që batalioni i tyre po shkonte drejt një postblloku pranë qytetit Smile", theksoi Vladyslav Seleznev.
"Autoblindat ukrainase janë gjetur të djegur në vendngjarje", shtoi ai.

Vendi ndodhet në rrugën "Bakhmutka", ku luftime të dhunshme kanë shpërthyer që prej fillimit të javës.

Të mërkurën, guvernatori i rajonit, Guennadi Moskal, theksoi se 112 trupa ishin rrethuar nga kryengritësit prorusë dhe se situata e tyre ishte kritike.

ATSH