KIEV- Parlamenti i ri ukrainas rizgjodhi sot në postin e tij kryeministrin properëndimor, Arseni Jaceniuk, i preferuar nga donatorët perëndimorë ndërkohë që vendi është goditur nga një krizë e fortë ekonomike.
Një maxhorancë e gjerë me 341 deputetë votuan pro këtij vendimi, të miratuar disa orë pas hapjes së sesionit të parë të parlamentit ukrainas të zgjedhur gjatë legjislativeve në fund të tetorit.
"Ne kemi në shpatullat tona një detyrë historike, atë që të ruajmë vendin tonë dhe të mbrojmë pavarësinë tonë", deklaroi Jaceniuk në një fjalim të shkurtër para se të zhvillohej votimi për emërimin e tij.
Ukraina humbi në mars Krimenë, të aneksuar nga Rusia, dhe rajonet e saj lindore janë që prej prillit teatër i një konflikti të përgjakshëm kundër rebelëve prorusë të mbështetur ushtarakisht nga Moska, e akuzuar nga Kievi dhe Perëndimi se ka vendosur trupat e saj të rregullta në territor ukrainas./ATSH/