KIEV, 29 dhjetor /ATSH-AFP/ - Parlamenti ukrainas miratoi sot një buxhet shtrëngues, që parashikon rritje të çmimeve të prodhimeve të importuara dhe reduktim të ndihmave sociale për të përfituar ndihmën financiare nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Ky buxhet, i kundërshtuar, u miratua sot me 233 vota ndërkohë që një minimum prej 226 votash ishte i nevojshëm, në përfundim të debateve dhe bisedimeve maratonë që kanë zgjatur më shumë se 12 orë.
Shpenzimet e parashikuara për mbrojtjen dhe sigurinë do të rriten me rreth pesë për qind të PBB-së për të arritur, sipas qeverisë, në 90 miliardë hryvnias (3,8 miliardë euro).
"Ky është një nivel i pazakontë", përshëndeti kryeministri, Arseni Jatseniuk, ndërkohë që vendi ka humbur Krimenë, aneksuar në muajin mars nga Rusia dhe është përballur me një konflikt të armatosur në lindjen separatiste proruse që prej muajit prill.
Një mijë persona manifestuan dje para Parlamentit për të protestuar kundër vendosjes së masave të ashpra të parashikuara nga buxheti në këtë ish-republikë sovjetike, një prej vendeve më të varfëra të Evropës dhe në prag të një krize të rëndë ekonomike./
/ec/