KIEV- Pas disa orë bisedime, Presidenti dhe 3 liderët opozitarë ukrainas nuk kanë arritur në një marrëveshje. Megjithatë, ata kanë deklaruar për mediat vendase do të vijojnë bisedimet. Opozitarët kanë refuzuar ofertën e Presidentit dhe kërkojnë dorëheqjen e tij.

ORA 22:00 LIDERËT E OPOZITË REFUZOJNË POSTET

Krerët e opozitës kanë refuzuar ofertën e presidentit të Ukrainës, Viktor Janukoviç, i cili u ofroi poste kryesore liderve të opoziës, atë të kryeministrit dhe të zv.kryeministrit.
 
Liderët opozitarë kërkojnë shfuqëzimin e ligjeve aktuale dhe të mbëhen zgjedhjet presidenciale këtë vit.
Vitali Klitschko, kreu i Aleancës Demokratike ukrainase ka shtuar se bisedimet do të vazhdojnë.
 
"Vendi ynë është në prag coptimi nga këta në pushtet. Ne kërkojmë largimin e Janukoviç dhe kemi nevojë për një kushtetutë të re” ka thënë njëri prej lidërve opozitar, Jatsenyuk Batkivschina.
 
PRESIDENTI U OFRON LIDERVE OPOZITARË POSTE KYÇE

Presidenti ukrainas, Viktor Janukoviç, i ka propozuar njërit nga tre liderët e opozitës Arseni Iatseniuk, që të marrë pozicionin e kryeministrit të vendit. Gjithashtu, ai i ka ofruar postin e zëvendësministrit ish-kampionit të boksit Vitali Klitschko.

Presidenti ukrainas, ka shprehur gadishmërinë e tij, për një rishikim të Kushtetutës.
 
Kjo ofertë e Janukoviç, u bë e ditur nga ministrja e Drejtësisë, Elena Lukash, pas takimit që pati Presidenti i vendit me tre liderët e opozitës ukrainase. 

Sipas Lukash, nëse Iatseniuk, do të pranonte ofertën e bërë nga, Janukoviç, atëherë këtij të fundit, do i duhej të vendoste për të dhënë dorëheqjen nga qeveria. 

Ky propozim, erdhi përpara fundit të një dite të mbushur me dhunë, ku një polic humbi jetën dhe protestuesit e grupit civil "Spilna Sprava" zaptuan për disa orë një ministri në Kiev.

Ndërkohë ish-ministri i Mbrojtjes Anatoli Gritsenko u ka kërkuar dimostruesve anti-qeveritarë të marrin armë për të mbrojtur sheshin "Pavarësia".

BISEDIMET E REJA MES PRESIDENTIT DHE OPOZITËS

Presidenti i Ukrainës, Viktor Janukoviç është duke zhvilluar bisedime të reja me drejtuesit e opozitës, një orë pasi ministri i Brendshëm është shprehur se bisedimet e deritansihme për të zgjidhur paqësisht krizën ishin të “kota”.
 
 Në bisedime kanë marrë pjesë disa grupe parlamentare, është njoftuar nga Presidenca.
 
 Takimi erdhi pasi demonstruesit sulmuan dhe pushtuan për një kohë të shkurtër Ministrinë e Energjisë në Kiev, ndërsa protestat vazhdonin në të gjitha qytetet e tjera.
 
 Më herët, ministri i Brendshëm i Ukrainës ishte shprehur se bisedimet me protestuesit kishin dështuar.
 
Vitali Zakharchenko, kreu i policisë dhe një prej figurave më të përbuzura nga protestuesit, ka fajësuar "grupet radikale" për trazira, duke shtuar se protestuesit kishin dhe armë, raporton BBC. 

Katër protestues dhe një polic janë raportuar të kenë vdekur në demonstratat që filluan vitin e kaluar pas refuzimit të qeverisë për  një marrëveshje me BE-në.
 
Kriza u shkallëzua këtë javë kur dy aktivistë u vranë gjatë përleshjeve me policinë, dhe një tjetër u gjet i vdekur me shenjat e torturës në një pyll në afërsi të kryeqytetit.
 
Një protestues, 45- vjeçar është raportuar se ka vdekur të shtunën në një spital në Kiev, nga lëndimet e shumta në trup.
 
Presidenti Viktor Janukoviç ka  premtuar më herët se do të bëjë lëshime në përpjekje për t'i dhënë fund krizës në vend.
 
Por, Vitaly Klitschko, një nga udhëheqësit e opozitës, i ftuar në bisedime me Presidentin, tha se protestuesit tani kërkojnë dorëheqjen e tij.

Redaksia online
(esh/ shqiptarja.com)