/ATSH-AFP/ - Shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini theksoi sot në Kiev se Bashkimi Evropian do të qendronte i bashkuar përballë krizës ukrainase, pavarësisht presionit nga disa prej anëtarëve të saj për një lehtësim të sanksioneve kundër Moskës.

"Ne kemi diskutuar për mënyrat, nëpërmjet të cilave, duke ruajtur bashkimin që është real dhe që do të mbetet, mund të mbështesim zbatimin e një plani paqeje për Ukrainën", deklaroi Mogerini për shtypin, e shoqëruar nga presidenti ukrainas, Petro Poroshenko.

Ndërkohë që ministrat evropianë të Punëve të Jashtme do të diskutojnë për marrëdhëniet me Rusinë në muajin janar, evropianët mbeten të ndarë në lidhje me sanksionet.
Disa vende të Evropës Lindore shprehen në mbështetje të një ashpërsimi të sanskioneve kundër Moskës që shfaq hapur mbështetjen për rebelët prorusë në Ukrainë pas aneksimit në muajin mars të gadishullit të Krimesë. Anëtarë të tjerë të Bashkimit Evropian, si Italia, Qipro apo Bullgaria, janë sipas medias, në mbështetje të një lehtësimi, apo heqje të plotë të sanksioneve kundër Moskës.

"Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë të angazhuar në Ukrainë për të garantuar që ky konflikt të përfundojë me respektim të plotë të sovranitetit dhe itegritetit territorial të vendit", theksoi  Mogherini.

Ajo u kërkoi ukrainasve të shkojnë përpara pasi mungesa e reformave ka nisur të irritojë perëndimorët.
"Qëndroni të bashkuar, qëndroni të përqendruar në axhendën tuaj të reformave sepse kjo është rruga që do t'iu nxjerrë nga ky vit i tmerrshëm", theksoi Mogherini, në vizitën e saj në Kiev që prej marrjes së funksionit në muajin gusht.

"Lufta në lindje të Ukrainës që ka shkaktuar më shumë e 4 700 të vdekur nuk duhet t'i ndërpresë reformat", theksoi presidenti ukrainas, Poroshenko.
Mbërritja në krye të diplomacisë evropiane të kësaj ish-ministreje italiane është pritur keq nga disa vende të Evropës Lindore që nuk e kanë vlerësuar qëllimin e saj për rifillimin e dialogut me Moskën