Ndërkaq është vendosur 25 maj e këtij viti për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme presidenciale, ndryshe nga sa ishte parashikuar në marrëveshjen e arritur me BE-në për zgjedhje të parakohshme në muajin dhjetor.
Ndërkohë, Yanukoviç është larguar nga Kievi mbrëmjen e të premtes, në Kharkiv, një qytet i Ukrainës jugore në kufi me Rusinë, ku presidenti gëzon mbështetës dhe ku protestat anti-qeveritare kanë qenë më të rralla. Nga Kharkivi, Yanukoviç akuzoi opozitën se po tenton të organizojë një grusht shteti dhe ka marrë nën kontroll qytetin dhe parlamentin. Ai deklaroi se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen nga posti i kreut të shtetit.
Pas votimit në Parlament, liderja e opozitës ukrainase Julia Timoshenko është liruar nga burgu. Duke folur pas lirimit nga burgu, Julia Timoshenko u shpreh se “Diktatura ra”. Sipas "BBC", Timoshenko e cila u dënua në 2011 me 7 vite burg për shpërdorim të pushtetit, u largua me një makinë.
Lirimi i saj ka qenë një nga kërkesat kyç të protestës.
Nga mëngjesi i sotëm, Kievi është në duart e aktivistëve. Grupi opozitar ka marrë tashmë në kontroll parlamentin, Këshillin e Ministrave dhe administratën Presidenciale. Sipas Andriu Parubiy, komandanti i forcave antiqeveritare, “opozita ka marrë në kontroll të gjithë institucionet qeveritare”.
Sot, ushtria, që deri dje mbështeste Presidentin, ka dalë kundër tij dhe është në mbështetje të protestuesve. Ndërkaq forcat e policisë në Ukrainë kanë braktisur pozicionet rreth kryeqytetit.
Edhe sipas mediave ndërkombëtare, efektivisht opozita ka marrë nën kontroll qytetin dhe parlamentin.
Paraditen e sotme Parlamenti ukrainas zgjodhi Oleksander Turchynov si kryetar parlamenti . Emërimi i tij, ka ardhur pas një votimi me 288 vota pro dhe lajmi është bërë i ditur paraprakisht nga mediat ukrainase. Turchynov është edhe ish-krahu i djathtë i Julia Timoshenko-s, e cila sipas mediave ndërkombëtare është liruar nga burgu.
Simboli i Revolucioni portokalli, në burg që prej vitit 2011-të dhe lirimi i menjëhershëm i saj është aprovuar nga Parlamenti i vendit, në bazë të një vendimi të Gjykatës Europiane, për të drejtat e njeriut. Drejtimi i Ukrainës, mbetet në pikëpyetje, ndërkohë që në Sheshin “Pavarësia” të Kievit, vijojnë të jenë të pranishëm rreth 100 mijë protestues.
Protestat në Kiev nisën tre muaj më parë, kur presidenti i vendit Yanukovyç, pas disa viteve përpjekje, refuzoi firmosjen e marrëveshjeve politike dhe tregtare me Bashkimin Europian, duke shkakruar revolt popullore. Manifestuesit deklaruan se nuk do të ndalonin protestat, deri në dorëheqjen e qeverisë dhe largimin e presidentit.
ORA 20:00 GJAKU I TË HUMBURVE DO TË SHLYHET, VRASËSIT PARA DREJTËSISË
“Heronjtë nuk vdesin kurrë”, kështu tha ish-kryeministrja dhe liderja e opozitës, Julia Timoshenko para më shumë se 100 mijë protestuesve të mbledhur në sheshin “Pavarësia” në Kiev në pritje të saj.
Fjalën e saj të shumëpritur ajo e përqendroi tek ata që u vranë në protestat këto ditë të fundit. Ajo tha se ata nuk do të vdesin kurrë dhe bëri thirrje që vrasësit të dalin para drejtësisë.
Julia Timoshenko u prit nga protestuesit nga brohorima. Ajo bëri thirrje që të gjithë të jenë bashkë për një të ardhme më të mirë për Ukrainën.
“Është shumë e kënshme të jesh i lirë, të ndjesh ajërin e freskët dhe të shohësh njerëzit", tha ajo para mijëra njerëzve në shesh.
“Shpresoj që i gjithë vendi ynë të shikojë diellin që ka lindur sot. Po, bijtë më të mirë të vendit kanë humbur jetën, ata, trupat e të cilëve u mbuluan nga plumba, hoqën dorë nga çdo gjë që ne tani të gjithë bashkë të jemi të lumtur."
"Tani ne kemi një detyrë-që çdo pikë e rënë të mos shkoj dëm. Asnjë pikë gjaku e rënë nuk do të harrohet kurrë. Heronjtë nuk vdesin kurrë”, tha ajo para protestuesve që njëzëri thërrisnin emrin e saj.
Duku iu drejtuar nga karrigia me rrota protestuesve të mbledhur në shesh, liderja e opozitës u shpreh se, “Deri sa ju përfunduat këtë punë dhe deri sa ne bëmë këtë udhëtim, të gjithë rrugën, asnjë nuk ka të drejtë ta lërë tani."
"Sepse, askush nuk mund ta bëjë këtë- asnjë shtet tjëtër, asnjëri nuk mund ta bëjë këtë që kemi bërë ne. Ne e eliminuam këtë kancer, këtë tumor”, u shpreh ajo.
ORA 19.00: PRITET QË JULIA TIMOSHENKO TË FLASË PARA POPULLIT
Nga momenti në moment, pritet që ish-kryeministja, Julia Timoshenko të dalë në një deklaratë para popullit ukrainas në shehin “Pavarësia”.
Mediat ndërkombëtare bëjnë me dije se, Timoshenko menjëherë pas daljes nga burgu, është drejtuar drejt sheshit qendror të Kievit dhe së shpejti pritet të dalë me një deklaratë.
Ajo ka dal nga spitali i burgut me karrocë me rrota, e rrethuar me me roje të armatosur, ku ka thënë edhe një prononcim për mediat. Ish-kryeministrja është shprehur se tashmë “diktatura ka rënë”.
ORA 19.00: RRETH JULIA TIMOSHENKOS
Duke folur për lirim e saj ajo është shprehur se “diktatura tashmë ka rënë”.
Ajo u dënua me 7 vjet burg në vitin 2011, pas një vendimi të diskutueshëm mbi veprimatrinë e saj si kryeministre deri në atë kohë.
Oratore e aftë, ajo ka drejtuar Revolucionin Portokalli, ose siç njihet ndryshe revoltën e Ukrainës kundër zgjedhjeve të diskutueshme në vitin 2004.
Ajo është dënuar për tejkalim të kopetencave të saj kur lidhi një marrëveshje për gazin me Rusinë, që nga autoritet e tjera të larta u pa si veprim që nuk favorizonte Ukrainën.
Ajo ka insistuar gjithmonë se akuzat nuk janë të vërtetë por të frymëzuara nga Janukoviç, person që ajo e rrëzoi në vitin 2004 dhe që u rizgjodh në vitin 2010.
Bashkimi Evropian ka kërkuar lirimin e saj si një nga kushtet e paktit tregtar BE-Ukrainë, që u refuzua nga Presidenti Janukoviç dhe çoi në protestat e dhunshme 3 mujore, që u mori jetën rreth 100 personave.
Lirimi i saj u mundësua nga një marrëveshje e ndërmjetësuar nga BE-ja mes presidentit Janukoviç dhe opozitës ditën e premte.
ORA 17:50 BRITANIA DHE GJERMANIA MBËSHTESIN QEVERINË E RE NË UKRAINË
Britania e Madhe dhe Gjermania kanë shprehur mbështetje për qeverinë e re në Ukrainë. Këto dy shtete i kanë kërkuar Fondit Monetar Ndërkombëtar të japë fonde ekonomike për Ukrainën.
Lajmi bëhet i ditur nga ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe.
ORA 16:50 NGA KIEVI PER “A1 REPORT”, PALEHA: POPULLI KERKON NDRYSHIM RRENJESOR
Në një lidhje telefonike për “A1 Report”, Irina Paleha pedagoge në Kiev, ka përshkruar situatën në kryeqytetin Ukrainas pas votimit të “impeachment” ndaj presidentit Yanukoviç në Parlament. Paleha tregon se në Kiev tashmë situata paraqitet e qetë, edhe pse disa protestues vijojnë të qëndrojnë në shesh në pritje të vendimeve të parlamentit. Pedagogia ukrainase thotë se “kjo është ajo çka kërkonte populli ukrainas”.
“Situata në Ukrainë është e qetë. Gjithçka po ndodh ishte e pritshme. Kjo ishte ajo çka kërkonte populli ukrainas. Dëshira e tyre është të jenë në Europë. Nëse i referohem vetes time, do thoja se dëshirat janë të mëdha, e mundësitë të pakta. Të gjithë ukrainasit kërkojnë ndryshim rrënjësor.
Ndoshta të gjitha këto kanë ndodhur pasi njerëzit nuk i kushtuan rëndësi forcave të sigurisë dhe agravimit të situatës. Por protestat kanë qenë të forta kundër korrupsionit, dhe kundër situatës së vështirë të krijuar. Por tashmë situata është e qetë.
Qindra njerëz vazhdojnë të qëndrojnë në shesh në Kiev në pritje të vendimeve që është duke marrë parlamenti. Por janë protesta paqësore. Shpresojmë të jetë një mënyrë e re për jetën në Ukrainë”, tha Paleha nga Kievi, në lidhje telefonike për “A1 Report”.
Sipas Paleas, “Julia Timoshenko mund të zgjidhet presidente ose kryeministre”.