UKRAINE - Forca të armatosura pro-ruse, kanë rrëmbyer një gazetare në pikën e kontrollit në Prekops, që është edhe pika kufitare mes rajonit të Krimesë dhe Ukrainës. Lajmi bëhet i ditur nga 'AutoMaidan', një nga grupet më aktive në trazirat e Kievit. Ndërkaq mësohet se gazetarja e rrëmbyer është Olena Maksimenko, reportere e website ‘Tyzhden.ua’.
 
Në duart e rrëmbyesve duket se kanë rënë edhe dy aktivistë të grupit 'AutoMaidan'.
 
NATO, dërgon aeroplan zbulues
 
NATO do të lëshojë aeroplanë zbulues në Poloni dhe Rumani për të monitoruar situatën në Ukrainë. Siç njofton BBC, urdhri për dërgimin e aeroplanëve është dhënë ditën e sotme.
 
“Të gjitha fluturimet do të bëhen mbi territorin e dy vendeve të aleancës” tha një zyrtar i NATO-s.
 
Ky vendim vjen në një kohë kur, të dielën, në Krime pritet të mbahet referendumi për t’ju bashkuar Rusisë, ndërkohë që vendet e perëndimit dhe Ukraina e kanë cilësuar këtë referendum si të jashtëligjshëm.

Krime, ushtarë të armtasor rrëmbejnë spitalin

Ndërkaq më herët, po sipas BBC, trupa të armatosur, të dyshuar si ushtarë rusë, kanë rrëmbyer një spital ushtarak, në Simferopol . Mësohet se ushtarët kanë marshuar në spital duke kërcënuar dhe frikësuar personelin dhe disa pacientë.

Lavrov: Kemi gati propozimet tona

Lidhur me situatën në Ukrainë, u shpreh edhe ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov. Ai ripërsëriti edhe një herë se janë të gatshëm për gjetjen e një zgjidhje përmes dialogut të ndershëm por shtoi se kushtet e vendosura nga vendet e perëndimit nuk i kënaqin, pasi në thelb të tyre qëndron një dyshim mbi një konflikt të mundshëm mes Moskës dhe Kievit . Lavrov theksoi se Këshilli i Sigurimit rus ka gati një paketë me propozime që sipas tij janë konform ligjeve ndërkombëtare.

Gjuha zyrtare në Krime, shpallet rusishtja.

Më herët kryetari i përkohshëm i Sevastopolit, Dmitri Belik, deklaroi se gjuha zyrtare në rajonin e Krimesë është gjuha ruse, ku 70% e popullsisë është ruse. Përdorimi i gjuhës ruse si gjuhë zyrtare do të bëhet në te gjitha dokumentat,  ku deri më tani kanë qenë të hartuara në gjuhën ukrainase, raporton agjensia e lajmeve ruse 'Itar-Tass'.

Redakisa Online
(e.c/shqiptarja.com)