Sulmet ruse në Ukrainë kanë shkaktuar 15 viktima në qytetet Dnipro dhe Chernihiv dhe 10 të tjerë janë plagosur pasi një dron rus goditi një platformë të mbushur me udhëtarë në stacionin hekurudhor të Dnipros, në Ukrainë. Mes të plagosurve është edhe një djalë 11-vjeçar, ndërsa autoritetet ukrainase raportuan viktima edhe nga një sulm raketor në qytetin e Chernihivit, ku humbën jetën dy vajza 15-vjeçare.

Sipas autoriteteve ukrainase në momentin e sulmit në Dnipro, në platformë ndodheshin pasagjerë që prisnin trenat. Kompania hekurudhore ukrainase Ukrzaliznytsia, bëri të ditur se një tren me destinacion Zaporizhzhian ndodhej në stacion kur droni goditi zonën. Sulmi shkaktoi dëme të mëdha, duke lënë trenin me xhama të thyer dhe platformën të dëmtuar rëndë.

Drejtuesi i hekurudhave ukrainase, Oleksandr Pertsovsky tha se para sulmit ishte shpallur një nivel i lartë rreziku, por pavarësisht paralajmërimit, në platformë kishte ende shumë njerëz. Kryebashkiaku i Dnipros, Borys Filatov, e cilësoi ngjarjen si një tragjedi, duke theksuar se droni goditi një tren elektrik civil.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, dënoi sulmin dhe kërkoi vendosjen e sanksioneve të tjera ndaj Rusisë nga Shtetet e Bashkuara. Ai deklaroi se droni goditi një platformë ku ndodheshin trena të zakonshëm pasagjerësh dhe përsëriti kritikat ndaj lehtësimit të disa sanksioneve amerikane ndaj Moskës.

Ndërkohë në qytetin verior të Chernihivit dy vajza 15-vjeçare u vranë nga një sulm raketor rus në qendër të qytetit. Sipas autoriteteve lokale, të paktën 11 persona të tjerë u plagosën, mes tyre edhe fëmijë.

Sulmet vijnë në një kohë kur Ukraina po përballet me një rritje të goditjeve ndaj infrastrukturës hekurudhore. Sipas të dhënave të publikuara nga Ukrzaliznytsia dhe të raportuara nga AFP nga 521 lokomotiva të goditura që prej fillimit të pushtimit rus në shkallë të plotë, gati 60% janë goditur gjatë këtij viti. Sulmet ndaj objekteve hekurudhore janë rritur nga 1206 gjatë vitit 2025 në rreth 1700 deri tani këtë vit.