TIRANË- Skandal me Ujësjellësin e Tiranës. Muajt e fundit qindra konsumatorëve u kanë ardhur fatura uji abuzive, me sasi uji të pakonsumuar prej tyre, rrjedhimisht shuma më të larta, një ndryshim stratosferik nga muajt e kaluar. Duke u nisur nga ky abuzim qytetarë të shumtë të zonës së Kombinatit në kryeqytetit u ngritën këtë të shtunë në protestë duke bllokuar rrugën. Ata shprehen se faturat e muajit janar kanë ardhur deri në 200 % më shumë, krahasuar me dhjetorin.

Në mbështetje të kauzës së tyre është gjendur vetë ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri, i cili i është bashkuar protestës për të dëgjuar nga afër shqetësimet e banorëve të Kombinatit, zonë ku ai ka qenë deputet.

Ndërsa i mblodhi faturat abuzive qytetarëve duke i premtuar zgjidhje të problemit të tyre, ministri i dha edhe lajmin e mirë që kishte mësuar prej Kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj: Se mbifaturimet do të anulohen.