Çmimet e banesave në Tiranë kanë pësuar ulje në tremujorin e dytë, përkundër çmimit të qirave që është rritur.

Sipas indeksit të Bankës së Shqipërisë rënia e çmimeve të banesave ishte 11% sipas matjeve të kryera në Tiranë, ndërsa indeksi i çmimeve të qirave ka shënuar rritje, nisur që nga tremujori i tretë i vitit 2016.

Ekspertët e tregut sqarojnë se çmimet e banesave po bien nga fluksi i lartë i objekteve të reja të banimit që po ndërtohen në Tiranë, duke bërë që çmimi i banesave të vihet nën presion në disa zona.

Sipas vëzhgimeve të Monitor në zonën ish-magazinave në Siri Kodra, një kompleks i ri pallatesh që kishte përfunduar punimet që në fund të vitit 2016 uli çmimet me gati 100 euro për metër katror. Menaxherët pohuan se çmimet u ulën për shkak të fluksit të madh të ndërtimeve të reja që po bëhen në zonë.

Nga pritshmëria se tregu do të ketë mbi-ofertë për ndërtime, disa prej ndërtuesve kanë ulur çmimet për banesat e përfunduara nga frika e një flluske të mundshme.

Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë, ka analizuar se rritja e treguesve paraprijës të numrit dhe vlerës së përafërt të lejeve të ndërtimit, u ndikua kryesisht nga kategoria e ndërtesave për qëllime banimi.

Rritja e numrit të miratuar të lejeve të ndërtimit dhe kontributi pozitiv i investimeve publike sinjalizojnë për vijim të tendencës pozitive të sektorit të ndërtimit edhe në tremujorin e dytë të vitit 2017.

Gjithashtu, treguesi i besimit dhe norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në ndërtim sugjerojnë se performanca e sektorit ndërtues qëndron në kahun rritës.

Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com