Fiks 3 muaj nga ringritja e tij, qeveria vendosi të ndërpresë funksionimin e Bordit të Transparencës, i cili u ngrit më 19 mars, me synim stabilizimin e çmimeve të naftës dhe benzinës pas rritjes së shpejtë, menjëherë pas nisjes së luftës në Iran. Tashmë do të jetë tregu ai që do të përcaktojë çmimet e naftës apo benzinës.
“Sot do të ndërpresim Bordin e Transparencës që prej disa muajsh është në funksion. Kanë qenë muaj me luhatje të çmimeve, por ato prej dy javësh kanë ardhur duke u reduktuar, çmimet në bursë ka rënë. Siç është bërë me dije ngushtica e Hormuzit do të zhbllokohet dhe tregu i hidrokarbureve është stabilizuar”, tha Ibrahimaj.
Vendimi i parë i Bordit të Transparencës është marrë më 26 mars 2026, duke e ulur çmimin në 203 lekë litri nga 217 lekë që kishte arritur, ndërsa vendosi që benzina të shitej 175 lekë nga 202 lekë që kishte shkuar.
Por për shkak të çmimeve që vetëm rriteshin më 3 prill qeveria ndërhyri duke ulur me 20% akcizën kur çmimi i naftës kalonte mbi 220 lekë për litër dhe kur benzina ishte mbi 200 lekë për litër. Me reduktimin e akcizës ulej automatikisht edhe TVSH-ja duke qenë se është taksa fundore që aplikohet mbi çmimin e produktit.
Ulja e akcizës dhe TVSH-ja që tashmë shfuqizohet automatikisht u aplikuan vetëm dy herë nga Bordi i Transparencës më 3 prill kur u regjistrua edhe çmimi më i lartë i naftës prej 233 lekë, por që me reduktimin e akcizës dhe të TVSH-së u pagua 224 lekë për litër. Vendimi i dytë ishte me 8 prill kur çmimi i naftës arriti në 230 lekë për litër por u tregtua me 220 lekë pasi u aplikuar reduktimi i taksave. Në të dyja mbledhjet ndërhyrja është bërë vetëm për naftën pasi benzina nuk e kaloi asnjëherë pragun prej 200 lekësh.
Ndërsa Bordi në total është mbledhur plot 37 herë, e fundit ishte më 17 qershor kur u vendos që çmimi i naftës të ishte 176 lekë/litri kurse benzina me 166 lekë. Këto janë vlerat me të cilat tregtohej karburanti përpara se të niste lufta në Iran më 28 shkurt 2026.
Pas nisjes së konfliktit në Lindjen e Mesme çmimi i naftës bruto u rrit menjëherë nga 70 deri 75 dollarë fuçia para luftës, arritën deri 115 dollarë fuçia në fillim të majit.
Komente








