Bizneset, si ato të mesme dhe korporatat, planifikojnë të qëndrojnë larg bankave këtë fillimvit, teksa kanë pohuar për Bankën e Shqipërisë se do të ulin kërkesën për kredi në tremujorin e parë të 2018-s. Rënia më e madhe e interesit për të marrë kredi në banka është vënë re në sektorin e mesëm të biznesit, të cilët kanë ulur me 14 për qind pritshmëritë për të kërkuar hua në sportelet e bankave. Kërkesa për kredi në këtë sektor ka qenë me rritje në 5 tremujorët paraardhës.

Gjithashtu ulje e kërkesës për kredi është vënë re edhe në sektorin e korporatave. Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, pritshmëritë për hua në sektorin e madh të biznesit kanë pësuar rënie me -3.3% për tremujorin e parë 2018 pas vlerave pozitive që kishte shfaqur kërkesa në tremujorët paraardhës.

Ky vit vjen pak si i veçantë në kërkesën për kredi, pasi bankat për qëllime të kredidhënies marrin në konsideratë vetëm bilancin zyrtar që dorëzohet në tatime. Deri në fund të 2017, bankat jepnin kredi për bizneset në bazë të bilanceve reale.

Ekspertët e bankave e kishin parashikuar këtë stepje të bizneseve, pasi bilancet zyrtare janë të pamjaftueshme për të plotësuar kriteret që bankat kanë në lidhje me të ardhurat dhe kolateralet.

Banka e Shqipërisë sqaron se kërkesa për kredi u shfaq lehtësisht në rritje në tremujorin e katërt të vitit 2017, e mbështetur nga segmenti i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, ndërkohë që për ndërmarrjet e mëdha ajo ka rezultuar në rënie.

d.c./shqiptarja.com