Bordi i Transparencës njoftoi çmimin e ri të naftës, ku ka zbritur me 8 lekë e me pakicë do të shitet 224 lekë, ndërsa me shumicë 212 lekë. Benzina është rritur me 6 lekë, ku një litër do të shitet 198, ndërsa me shumicë 186 lekë. Gazi, nga ana tjetër, do të shitet 78 lekë litri me pakicë dhe 66 me shumicë.
“Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 224 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 212 lekë/litër. Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 198 lekë/litri,ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 186 lekë/litër. Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 78 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 66 lekë/litër për automjetet”, thuhet në njoftimin e Bordit.
Çmimet e caktuara nga Bordi do të hyjnë në fuqi sot datë 15 shtator ora 18.00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes. Këto çmime erdhën si rezultat i lëvizjes së çmimeve në bursën Platts Mediteran.
Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj tha dje pas mbledhjes së qeverisë se dy bordet e transparencës për karburantet dhe ushqimet do të jenë aktive për aq kohë sa ndikohemi nga çmimet ndërkombëtare.