Prej më shumë se 15 ditësh ka nisur vjelja e ullirit dhe prodhimi i vajit. Fermerët e Novoselës në Vlorë kultivojnë disa varietete të ullirit, ndërsa pranojnë se ky vit ka pasur më pak prodhim krahasuar edhe me një vit më parë.

Fermerët pranojnë se, edhe pse ka mungesë në prodhim, ajo që vlen është cilësia e vajit, ndërsa duket se kanë vështirësi edhe në gjetjen e tregut për shitje.

'Sivjet nuk ka pasur shumë, po atë që ka, e ka cilësor, cilësia e vajit është shumë e mirë këtë vit', tha një fermerë

Adhurim Lazaj, specialist i Qendrës së Transferimit të Kulturave Bujqësore, thekson se janë disa shkaqet që kanë ndikuar në prodhimin e pakët të disa varieteteve .

“Kanë ndikuar nga kushtet e motit, por edhe sëmundjet që kanë prekur ullirin këtë vit”, tha ai.

Në fabrikat e prodhimit të vajit të ullirit ka nisur tashmë puna, ndërsa vetë administratorët e tyre e cilësojnë cilësinë e vajit të lartë. Aktualisht po shitet me 800 lek për litër.

Durim Ogici dhe Naxhi Llanaj theksojnë se puna ka nisur, ndërsa kjo është edhe periudha më e mirë për prodhim, në bazë edhe të varieteteve të kultivuara. Sipas INSTAT, një vit më parë në mbarë vendin u prodhuan mbi 157 mijë ton ullinj.