Kafenë e mëngjesit preferoni ta pini zakonisht ku dhe me kë?
Varet e gjitha nga situata. Nëse kam punë nga shtëpia për të bërë, mjafton edhe një filtër. Por edhe jashtë, veçanërisht në një ditë të bukur. Dhe nuk ka rëndësi nëse jam vetëm, në shoqërinë e gazetave apo lajmeve online, apo të një miku a mikeshe të mirë që ma zbukuron ditën. Dikur, kur e konsumoja kafen turke, mëngjesi im ideal do të ishte ai me gratë e familjes time, mamanë, tezet, kushërirat. Por tani që kafeja turke ka rënë nga lista e kënaqësive mëngjesore, një makiato e mirë është energjizuesi i ditës.
Zgjimi juaj ideal cili do të ishte?
Ai pa zile alarmi.
Nga shtëpia juaj deri në punë sa zgjat dhe me çfarë e përshkroni rrugën?
Dikur me taksi, sot me makinën time. E pohoj me krenari faktin e të ngarit vetë të makinës sepse më duket fi tore; kam fi tuar mbi një fobi 17 vjeçare timen, asaj prej timonit dhe kontrollit mbi makinën. Dua të them, megjithëse e kam patentën, të marre rregullisht prej 1996-ës, nuk kam pasur kurrë kurajon të drejtoj vetë një makinë, a thua se sa e vështirë është kjo! (qesh)
Thua ndonjëherë boh çfarë profesioni kam zgjedhur?
E kush është ai që nuk ka dëshiruar qoftë edhe një herë të jetë diku tjetër nga vendi në të cilin ndodhet momentalisht? Kjo imagjinatë për “hapin tjeter”, ky projektim imagjinativ i vetes diku tjetër, mund të jetë thjesht një ëndërr në diell, pa bereqet siç thotë populli, ose edhe planifikimi i hapit të rradhës.
Gënjeni apo ju gënjejnë më shumë? Nëse po ndonjë rast tipik?
Të genjesh do të thotë të japësh një variant të shtremberuar të asaj që e përcepton si të vërtet, apo jo? Jam tolerante ndaj “gënjeshtrave” të pavullnetshme. Të sqaroj: ne nuk mund t’u ofrojmë në çdo kohë të tjerëve (por edhe vetes) të vërtetën, sepse në një pjesë të madhe të rasteve jemi në kërkim të saj. Psh: në një moment A unë ju jap këto përgjigje në interviste, por në një moment B mund t’ju jepja pergjigje të tjera dhe të gjykoja madje se përgjigjet e variantit A nuk paraqesin me vërtetësi atë që unë ndjej, mendoj apo bëj në momentin B. E nëse e vërteta nuk është diçka të cilën e posedojmë gjithë kohës, maksimumi që mund të bëjmë është të synojme transparencën. Transparenca (kjo fjale është abuzuar nga politika, fatkeqësisht!) është një mundësi për të komunikuar me tjetrin pa barriera. Ka gënjeshtra të vullnetshme. Këtu jam pjesërisht tolerante. Kuptoj që secili prej nesh ka tre nivele të të jetuarit: intim, personal dhe publik. Që do të thotë se ai/ajo mund të jetë i/e papërgatitur të kalojë me lehtësi nga një nivel në tjetrin (nga ai personal në atë publik) dhe në këtë rast nxjerr një gënjeshtër të bardhë. Thotë psh “nuk jam e dashuruar” në një kohe që do donte të thoshte “nuk jam e sigurte se personi me të cilin shoqerohem është dashuria ime”. Kjo ju ndodh shpesh edhe juve si gazetar
me të intervistuar apo jo? Ama nuk jam aspak, po aspak tolerante me atë gënjeshtër që i afrohet mashtrimit. Është e shëmtuar, e ligë, moralisht e dënueshme dhe
me raste edhe ligjërisht.
E mbani veten për të shkathët?
Me raste ndjehem e tillë, të tjera aspak. Varet kë kam përballe. Çështje krahasimi...
Dreka zakonisht ju gjen…?
Duke drekuar (qesh).
Cilët janë vendet që ua beson drekën?
Vende ku di se çfarë po konsumoj. Gjellët e shtëpisë, të vjehrrës apo mamasë time, por edhe ndonjë restorant të këtij tipi.
Paguani më shumë në raste të tilla apo ja lini të pranishmëve?
Varet kush ka ftuar. Më pëlqen të ‘qeras’ duke ftuar në shtepinë time e gatuar darkë. Më duket një mënyrë për ta respektuar tjetrin, për t’i bërë konak, sipas traditës sonë. Në përgjithësi më pëlqen të kontribuoj me pjesën tim në faturë, të ndaj pra shpenzimet me personat në tryezë. Më duket me e drejtë.
Qëllon të harroni të hani nga punët e shumta? Ç’ndodh?
Po ndodh. Por nuk vonoj t’i ‘hakmerrem’ harresës, e kompensoj në vaktin e rradhës. Kam raporte të mira me ushqimin! Duket besoj (qesh).
Celulari që përdorni?
Një nokia , model i vjetër. Pasi kisha ‘ekzekutuar’ një numër blackberry, shkova në dyqan dhe i thashë shitësit, dua telefonin më të lirë dhe më të fortë që ke. Dikur telefoni ishte status. Për një moshë të re fare ende është. Për mua mjet pune është ipad-i dhe laptop. Telefonin e përdor për telefonata, mesazhe dhe tek-tuk ndonjë foto.
Firmat tuaja më të preferuara?
Ka disa, vendore dhe të huaja. Vitet e fundit kam shtuar në garderobë veshje të stilistëve tanë. Kjo e gjitha meritë e tyre! Më vjen mirë për këtë hap cilësor të shënuar prej tyre.
Çfarë nuk ka në garderobën tuaj që ju s’e vishni kurrë apo s’ju shkon pra një lloj stili?
Pantallonat llastik. Më duken vulgare, në çdo trup që nuk është perfekt. E trupa perfekt ka fare pak, kurse pantallona të tilla në xhiro ka më shumicë.
Cilat janë ngjyrat tuaja të preferuara?
Të gjitha! I dua ngjyrat dhe i përdor në jetën e përditshme. Në skenë është tjetër gjë. Jemi konstruksion në skenë, është punë grimioresh, kostumografesh, drejtorësh artistike, regjisorësh etj.
Blini më shumë dhurata apo merrni?
Bëj dhe marr. Janë dhurata që shkëmbehen brenda familjes, ç’është e vërteta.
Dhurata më e fundit që keni bërë çfarë është dhe ajo që keni marrë?
Çfarë kam bërë? Nuk më kujtohet....sigurisht kam bërë, më pëlqen t’i llastoj njerëzit e dashur. Por më shumë mbaj mend dhuratat që më bëhen. Si mund të harroj makinën e dhuruar nga mamaja ime?! Në këtë moshë, pas kaq vitesh, të pranoja një dhuratë të tillë nga mamaja ime ishte shumë prekëse. E kjo ishte mënyra e saj për t’i dhënë vajzës së saj një mësim dhe motivim kurajoje!
Aktualisht jeni e dashuruar?
Jam e martuar dhe e theksoj me dashuri (qesh).
Jeni e shoqërueshëme apo e ftohtë si tip?
Jam me kohë të plotë e shoqërueshme, e me kohë të pjesshme mizantrope, kam pra momentet e mia të izolimit...
I takon miqtë e vjetër?
Nuk i lë miqtë e vjetër, për të rinjtë këtë e kam parim!
Punoni dhe pasditeve?
Po, sidomos pasditeve (qesh).
Mbrëmjet zakonisht i kaloni me miq apo shlodheni në shtëpi?
Në shtëpi. Ky nuk është më sekret. Të gjithë miqtë e mi e dinë dhe i kanë rralluar ftesat pas orës 8 -të të mbrëmjes.
Preferoni më shumë një film apo pub?
Absolutisht film!
Zakonisht para se të flini lexoni apo dëgjoni muzikë?
Lexoj dhe dëgjoj muzikë. Nuk më pengon njëra për tjetrën, përderisa mobilizoj shqisa të ndryshme (qesh).
Në ç’orë shkoni për të fjetur?
Bie në mesnatë, më zë gjumi kah ora 2 e mëngjesit. Kjo veçanërisht pas marrjes së “Pasdites…”. Është një lloj turni i dytë: Duhet të jesh në kulm të energjive në ora 17:00, pra atëherë kur shumica e njerëzve kanë mbaruar orarin zyrtar dhe kthehen të lodhur në shtëpi. Kjo është arsyeja që bie vonë dhe zgjohem vonë.
Redaksia Online
(xh.k/shqiptarja.com)