Një grup banorësh tek “Unaza Re” janë futur tashmë në ditën e 77 të protestës ndaj projektit "Unaza e Madhe". Ata kanë bllokuar rrugën kryesore, teksa kërkuan me thirrje revoltuese anulimin e projektit, duke e cilësuar këtë të fundit si të jashtëligjshëm dhe korruptiv. Përkrah tyre janë vënë re, sikurse përgjatë ditëve më parë, edhe deputetë të Partisë Demokratike, sikurse Klevis Balliu dhe Eduard Ndocaj. Banorëve të "Unazës së Re" i është bashkuar edhe ambientalisti Sazan Guri. 

Deputeti i Partisë Demokratike Klevis Balliu përmendi në funksion të propagandës incidentin e sotëm ku kryeministri Edi Rama nxorri nga klasa një studente pasi i ndërpreu fjalën. (Lexo këtu) Ai u shpreh se shumë shpejt, në të njëjtën mënyrë, banorët “do ta heqin zvarr nga ajo karrige që ka uzurpuar”.

“Edi Rama ka plot 20 e ca vjet në pushtet dhe ka 20 e ca vjet që po i merr pronën qytetarëve shqiptarë dhe po i bën të vuajnë. Por ai do ta vuajë 1000 mijë herë më shumë varfërinë, vuajtjen, dhimbjen, shkatërrimin që i ka bërë demokracisë, jo sepse e them unë por sepse e thotë sovrani. Ai e ka vendin vetëm në burg, sëbashku me ato që kanë lidhje me narkotrafikantët. Qytetarë, ne i kemi bërë thirrje këtij njeriu për plot 76 ditë, jo sepse e dua unë, por e kërkon Kushtetuta”, u shpreh më tej Balliu.

Kurse një nga banorët është shprehur se kryeministrit Rama i ka ardhur ora për t'u larguar nga pushteti, në të njëjtën mënyrë sikurse u largua edhe ish-udhëheqësi komunist Enver Hoxha.

“A e patë sot me studentët dhe kur një vajzë i doli kundër dhe e përzuri nga salla? Kush është ky kryeministër që përzë nga salla? Ku e gjen të drejtën ai? Ka ardhur ora për ta tërhequr zvarrë në bulevard, siç tërhoqëm Enver Hoxhën. Edi Rama, erdhi ora, ik nga Shqipëria! Tani do të japim litarë të varësh veten. Ke 77 ditë që na ke shkatërruar jetën. "Unaza" e bashkuar ka për të fituar!”-u shpreh banori.

Protesta e banorëve ndaj projektit "Unaza e Madhe" ka nisur prej më shumë se dy muajsh. Një pjesë e banorëve, të cilët i kanë shtëpitë e palegalizuara,  do t'iu shemben banesat. Ndërsa ata që i kanë të legalizuara i janë nënshtruar procesit për të marrë dëmshpërblimin që u takon. Qeveria u ka dhënë si zgjidhje banorëve të prekur bonusin e qirasë për tre vite dhe zhvendosjen tek banesat sociale në Shkozë. Deri më tani, vetëm një pjesë banorësh kanë pranuar bonusin e qerasë, pasi pjesa tjetër vijon të protestojë.