TIRANË- Hapja e Unazës së Madhe në Tiranë nuk ka lehtësuar aspak trafikun, ashtu siç pritej. Kjo dëshmohet fare qartë nga këto foto që sjell redaksia e Shqiptarja.com, ku pasditen e sotme, 6 janar, qytetarët që po udhëtonin drejt Tiranës janë përballur me radhë kilometrike mjetesh.

Rrugëtimi nga aeroporti i Rinasit në drejtim të Tiranës pasditen e sotme zgjaste deri në 90 minuta, një rrugë që normalisht përshkruhet për rreth 30 minuta. Një aks ky me qarkullim tejet të lartë dhe nyjë kryesore që lidh Rinasin me kryeqytetin. Pra, jo vetëm qytetarët e zakonshëm të Tiranës që përballen prej kohësh me këtë trafik kilometrik, por edhe turistët sot për t’u futur në Tiranë do duhej të përballeshin me këtë imazh dhe të prisnin 90 minuta në trafik!!

Përpos trafikut të rënduar, ajo çfarë bën çudi është se nga autoritetet nuk është marrë asnjë mase për të menaxhuar këtë fluks mjetesh. Në këtë aks që po raporton Shqiptarja.com, sot nuk kishte asnjë polic për të menaxhuar situatën, pra roli i tyre është pothuajse inekzistent. E njëjta gjë vlen edhe për semaforët, të cilët ose janë inekzistentë, ose në raste të tjera bllokojnë edhe me shumë qarkullimin e mjeteve.

Unaza e Madhe e Tiranës e cila u hap më 30 dhjetor të 2024 ka një gjatësi totale 28.7 kilometra. Shpejtësia e projektuar e lëvizjes është 90 km në orë. Report Tv kreu një vëzhgim në Uanzën e Madhe, ku vihej re se në hyrje dhe dalje të saj kryheshin ende punime.

Kjo unazë do të jetë në shërbim të të gjithë automjeteve, të cilat aksesojnë Tiranën nga të gjitha hyrjet jashtë qytetit, si nga Rruga e Arbrit, ashtu edhe nga rruga Tiranë-Elbasan apo Tiranë-Durrës.