Projekti
Bashkia e Tiranës nis sot punimet për ndërtimin, rikonstruksionin dhe rinovimin e Unazës së Vogël. Punimet do të zhvillohen në tre faza, ndërkohë që faza e parë e projektit, për të cilën kanë nisur punimet përfshin segmentin nga Banka e Shqipërisë, vijon prapa Muzeut Kombëtar, deri te Ushtari i Panjohur.
“Realizimi i objektit parashikon shembje dhe shpronësime, ndërtimin e segmentit të katërt të unazës së vogël të kryeqytetit, ndërtime të kanalizimeve si dhe zhvillim të infrastrukturës nëntokësore dhe mbitokësore”, thuhet në njoftimin zyrtar të Bashkisë së Tiranës.
Por çfarë punimesh do të kryhen konkretisht? Sipas projektit këtij segmenti i mungon pjesa e katërt e tij, që ka të bëjë pikërisht me rrugën pas 15-katëshit. Qeveria pak muaj më parë ka kryer shpronësimet e duhura dhe tashmë do të bëhet prishja e tyre. Më konkretisht do të transformatori i cili ndodhet pas 15-katëshit, i dalë jashtë funksioni prej kohësh, do të hiqet.
Po kështu edhe godina e INSIG do të prishet duke bërë të mundur kalimin e Unazës së Vogël në këtë pjesë. Ndërtimi i unazës së Vogël ka për qëllim kthimin e Sheshit Skënderbej në rrugë pedonale. Kështu pas 6 muajsh kur të kenë përfunduar punimet e Unazës së Vogël do të nisë menjëherë projekti për rindërtimin e sheshit Skënderbej.
Rrugët
Për shkak të punimeve do të ketë bllokim të disa prej rrugëve në qendër të kryeqytetit. Kështu, për mbarëvajtjen e punimeve gjatë zbatimit të projektit të Unazës së Vogël dhe lehtësimin e trafikut, qarkullimi i automjeteve në disa rrugë do të behet i kufizuar. Më konkretisht do të ndalohet qarkullimi i mjeteve në rrugën “Ded Gjo Luli” që përkon me segmentin mbas Muzeut Kombëtar. Po kështu, automjetet që vijnë nga bulevardi “Zog i I” nuk mund të kthehen tek kjo rrugë por do të ecin vetëm drejt për tek Sheshi Skënderbej. Edhe automjetet që vijnë nga rruga pas 15 katëshit mund të kthehen ose drejt Sheshit Skënderbej ose drejt ish-Stacionit të trenit. Rruga “Abdi Toptani” që përkon me rrugën pranë Drejtorisë së Burgjeve, me një sens lëvizjeje me drejtim nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” deri në rrugën “George W Bush” do të jetë ndalim qëndrimi 24 orë në të dy krahët e saj;
- Rruga “Çamëria” që kalon para Partisë Sociale, me një sens lëvizjeje me drejtim nga rruga “Ibrahim Rugova” që përkon me rrugën tek Kisha Ortodokse, deri në Sheshin “Skënderbej” do të jetë ndalim qëndrimi 24 orë në të dy krahët e saj. Gjithashtu, ndalohet parkimi i mjeteve në rrugën e Barrikadave, segmenti Luigj Gurakuqi deri në rrugën e “Dibrës”. Në rrugën e “Barrikadave” do të lihen të lira tre korsi lëvizjeje. Sa i përket stacionit të autobusëve një pjesë e mirë e tyre do të jenë para Muzeut Kombëtar, kurse të tjerët pas Pallatit të Kulturës.
Shpronësimet
Pak muaj më parë qeveria ka kryer shpronësimet e objekteve të cilat do të prishën për të kaluar pjesa e fundit e Unazës së Vogël e cila ka qëndruar prej vitesh e bllokuar.
Afatet, punimet, 140 milionë lekë për firmën “Geci”
Punimet për rikonstruksionin dhe rinovimin e Unazës së Vogël do të zgjasin katër muaj dhe vlera e këtyre punimeve shkon në 140 milion lekë. Sipas të dhënave zyrtare punimet për nderimin e segmentit të unazës nga banka e Shqipërisë deri tek Ushtari i Panjohur do të zgjasin 4 muaj. Të dhënat janë bërë publike nga procedura e prokurimit me tender të hapur nga Bashkia e Tiranës. “Qëllimi i kontratës është ndërtimi, rikonstruksioni dhe rinovimi i unazës së vogël, Tiranë (Segmenti Banka e Shqipërisë – Ushtari i Panjohur). Fondi limit është 139.906.796 lekë pa TVSH. Kohëzgjatja e kontratës është 4 muaj kalendarike duke nisur nga data e lidhjes së kontratës’ thuhet në dokumentet e zhvillimit të procedurës së prokurimit e cila është realizuar në 7 janar të këtij viti.