TIRANE- Studimi është prezantuar dje nga Detlef Palm, përfaqësues i UNICEF në Shqipëri dhe ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili. Studimi i cili ka monitoruar nga afër situatën në 100 mijë familje, të cilat konsiderohen të varfra në vendin tonë, pasi nuk arrijnë të sigurojnë minimumin jetik, nxjerr një realitet dramatik të këtyre familjeve, por mbi të gjitha të fëmijëve që jetojnë në këto familje.

Sipas sondazhit të Unicef, 23% e fëmijëve nën moshën 18 vjeç jetojnë në varfëri absolute me të ardhura mujore jo më shumë se 4800 lekë për frymë, ndërsa 10% e fëmijëve jetojnë nën nivelin e varfërisë ekstreme. Ndërkohë që po sipas këtij studimi 57 për qind e fëmijëve të këtyre familjeve nuk mund të plotësojnë asnjë nga pesë nevojat e konsideruara themelore midis të cilave edhe ushqimi dhe arsimimi apo shëndeti. Varfëria sipas raportit reflektohet dhe në arsimimin dhe shëndetin e fëmijëve të kësaj shtrese, pasi 77 për qind e fëmijëve nuk frekuentojnë arsimin e mesëm. Ndërsa afro 30 për qind e fëmijëve, që vuajnë të paktën nga një sëmundje kronike vijnë nga familje, që jetojnë nën varfërinë ekstreme. Por studimi ka nxjerrë në pah edhe dështimin e skemës së ndihmës ekonomike, pasi në të përfshihen pa të drejtë 59 për qind dhe përjashtohen 47 për qind që kanë nevojë. Vetëm 25 për qind e familjeve që jetojnë nën nivelin e varfërisë ekstreme marrin ndihmë ekonomike.

Në raport thuhet se 50 për qind e fëmijëve që vuajnë nga sëmundjet kronike, nuk përfitojnë rregullisht konsultime mjekësore dhe 65 % e fëmijëve, që nuk e frekuentojnë shkollën rregullisht, i përkasin familjeve me të ardhura të ulëta.
NISMAT LIGJORE
Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, i cili ka qenë i pranishëm gjatë prezantimit të rezultateve të këtij raporti ka deklaruar se programi që po aplikohet për rrugët e reja të ushqyerjes për gratë dhe fëmijët, pritet të zbusë sëmundshmërinë. “Stimulimi i ushqyerjes me gji në mënyrë të veçantë për fëmijët, fillimi në kohë i ushqyerjes shtesë për ta dhe njëkohësisht ndërhyrja në përmirësimin e strukturës ushqimore të fëmijëve, kanë demonstruar, është një e dhënë e cila thotë që për çdo 1 dollar të investuar janë 4 dollarë të fituar. Dhe ne na ka dëmtuar shumë fragmentimi, pra secili ka punuar në punët e veta” – ka deklaruar ministri Vasili. Por, për përfaqësuesin e Unicef në vendin tonë zgjidhja duhet parë, jo vetëm te rishikimi i skemës së ndihmës ekonomike, por edhe tek gjetja e vendeve të punës për këtë kategori, pasi paratë e ndihmës ekonomike janë të pamjaftueshme. “Në Shqipëri duhet të zbutet niveli i varfërisë. Fëmijët e familjeve që jetojnë vetëm me ndihmë ekonomike keq ushqehen dhe për pasojë rritet niveli i sëmundjeve. Ata gjithashtu nuk janë në gjendje të ndjekin arsimin. Duhet të mendoni të hapni vende pune pasi ndihma ekonomike në çdo vend të botës nuk plotëson kurrë nevojat e familjeve të varfra”, - u shpreh Detlef Palm, përfaqësues i UNICEF. Sipas tij, reduktimi i varfërisë duhet të nisë me fëmijët. “Ndihma ekonomike që jepet sot për familjet e varfra nuk i ndryshon aspak kushtet ku rriten fëmijët e këtyre familjeve. Për çdo një dollarë që ju nuk investoni sot, humbisni 100 milionë dollarë në vit, pasi ka fëmijë të keq ushqyer”, - sugjeron Detlef Palm.
(foto ilustruese)
(sg/shqiptarja.com)