Në fokus të problematikave të ngritura në këtë diskutim ishin vonesat me pagat për stafet e gazetarëve, ndërsa u shpreh indinjata për heshtjen e institucioneve ligjore ndaj kësaj situate. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, apelon për një reagim shumëpalësh të menjëhershëm, për të mos e kthyer gjendjen në situatë të pakrahasueshme me periudha të mëparshme të 22 vjetëve të periudhës postkomuniste shqiptare.
Në deklaratën e kryetarit të Unionit të Gazetarëve dhënë nga qyteti i Elbasanit, Aleksandër Çipa, konsiderohet alarmante gjendja që nga 25 gazeta të përditshme, në 20 prej tyre ripërsëriten vonesat e pagave mujore dhe në shumicën e tyre ka vonesa pagash që tejkalojnë dy muaj. Ndërkohë që nga 18 televizione në 17 prej tyre vonesat e pagave për stafet dhe gazetarët në veçanti vonojnë përsëritshëm nga dy e tre muaj. Ndërkohë që në të gjitha mediat e vendit kontratat nuk ripërsëriten dhe në rastet e rralla, janë disfavorizuese për gazetarët.
“Unioni i Gazetarëve Shqiptarë denoncon edhe disa raste të skajshme ku media të falimentuara, gazeta dhe televizione të cilat janë zhytur në realitetin e borxheve financiare dhe detyrimeve fiskale ndaj shtetit, vazhdojnë të mashtrojnë gazetarët për pagat, shpesh i përzënë ata dhe i zëvendësojnë në mënyrën më të paskrupullt me studentë dhe praktikantë të gazetarisë. Kjo situate alarmante po varfëron dhe ndëshkon cilësinë e mediave të vendit, diskriminon gazetarët me përvojë dhe me cilësi profesionale, deformon tmerrësisht skenën mediatike të vendit dhe e klasifikon Shqipërinë ndër vendet e Europës me nivelin më të lartë të informalitetit në media..” tha Çipa.
Unioni i Gazetarëve shpreh indinjatën e vet ndaj "heshtjes vrastare" të institucioneve ligjore ndaj kësaj situate. Ne kërkojmë nga Ministria e Punës, Inspektoriati i Punës, Drejtoria e Përgjithshme e tatim taksave dhe OSBE-së të reagojnë në kohë për ndryshimin e kësaj gjendjeje skandaloze. Një situatë e tillë është e pangjarë në periudhën kohore të 10 vjetëve të fundit dhe sipas të gjitha gjasave, ajo po shkon drejt një përkeqësimi edhe më të madh.
Sipas Unionit të Gazetarëve, në këtë gjendje kritike përfshihen edhe dhjetra gazetarë që punojnë në kushtet e freelances, një status i papërcaktuar dhe i pashprehur ligjërisht në skenën mediatike të vendit, të cilët përballen me vonesa të honorareve dhe sidomos në shumicën e rasteve me realitetin e shfrytëzimit të produktit të tyre autorial, përkundër ligjit për pronësinë intelektuale.
(Shqiptarja.com)