Unitet! Nuk është koha për sherre, ta bëjmë këtë luftë bashkë deri në fund

Unitet! Nuk është koha për sherre, ta bëjmë këtë luftë bashkë deri në fund

Edi Rama

Motra dhe vëllezër, ju përqafoj të gjithëve nga një distancë e sigurtë për secilin prej jush! Ju falenderoj nga zemra, edhe pse fjala falenderim është shumë pak për ta shprehur mirënjohjen e thellë për ju; për ju të gjithë, që në këtë kohë lufte botërore me një armik të padukshëm dhe vrastar, i cili ka pushtuar mbarë globin, po manifestoni një shpirt luftarak të pashembullt; për ju të gjithë, që po e investoni zemrën, mendjen, trupin tuaj, në këtë luftë të hatashme për familjet tuaja, të afërmit e miqtë tuaj, komunitetin tuaj dhe shtëpinë tonë, Shqipërinë!

Ju kërkoj përulësisht ndjesë, njëmijë herë, për gjithçka të papëlqyeshme që kam qenë dhe do të jem deri në fund i detyruar, t'ju them papushim dhe të bëj pa ngurrim, deri sa kjo   luftë të mbarojë!

Fjalët e sheqerosura për rreziqet që na kanosen dhe ngurrimi për të bërë veprimet e duhura për zbutjen e rreziqeve, sot janë një tradhëti që nuk duhet ta prisni kurrë nga unë. Shikojeni çfarë po ndodh në vende shumë më të mëdha, shumë më të zhvilluara se Shqipëria, në shëndetësi, shkencë, ekonomi. Po e paguajnë, një e nga një, iluzionin se kjo është një ëndërr e keqe që do të mbarojë vetë dhe do të mbarojë shpejt.

Vende me aftësinë për t'i dhënë mend gjithë botës, shtete me fuqinë dhe përgjegjësinë për të zotëruar fatet e mbarë njerëzimit, u kapën të gjithë gafil, komplet të paditur e të papërgatitur, nën agresionin e një virusi të panjohur.  

Një armik i rënë mbi kokat e tyre, si rrufeja në qiell të pastër, u ka zhveftësuar trilionat e dollarëve bomba e armatime nëpër depo, duke i gjetur pa shtretër të mjaftueshëm spitalorë për të plagosurit e kësaj lufte, pa aparatura të mjaftueshme frymëmarrje për njerëzit me plagë vdekjeprurëse në këtë luftë, pa maska e veshje të mjaftueshme mbrojtëse për armatat e tyre fantastike të bluzave  të bardha, e deri pa numra të mjaftueshëm mjekësh të specializuar kundër asfiksimit të qenies njerëzore.

Për çudinë më të madhe të kësaj bote, si Shqipëria si Amerika, si Kosova si Gjermania, si Ballkani i varfër, si Europa e pasur, gjenden në të njëjtën anije në det të hapur dhe kanë një armë të vetme në dispozicion: Rezistencën e popullit të tyre!

Një armë që ka vetëm një fishek: Unitetin popullor!

Dhe ka vetëm një objektiv: Atë që ke më afër! Në familje! Në rrugë! Në punë! Të cilin duhet ta mbash sa më larg!

Kjo është e para luftë në historinë e njerëzimit, ku kazerma e ushtrisë është shtëpia dhe ku çdo ushtar duhet të mbyllet sa më shumë në shtëpi. Kjo është një luftë, ku si ushtria amerikane, më e madhja e më e pathyeshmja e planetit, si ushtria e vogël shqiptare, kanë të njëjtën forcë goditëse: Zero!

Kjo është një luftë, ku asnjë aleancë mes shtetesh nuk ekziston dhe nuk duket ende në horizont! Një luftë botërore, ku secili është më vete dhe Zoti mbetet i vetmi që është për të gjithë! 

Prandaj motra e vëllezër, ndajeni mendjen bashkë me mua, se në këtë luftë jemi vetëm dhe kemi vetëm njëri-tjetrin! O luftojmë bashkë, si një si një njeri i vetëm kur përballet me hijen e vdekjes, o të gjithë bashkë si popull do të biem në një humnerë, ku  njësoj si të vdekurit e shkretë dhe të panumërt, në zonën e Bergamos, s'do ketë kush të na varrosë e jo më të na qajë!

Ne, Shqipëria, qeveria, unë që më qëlloi të jem në krye të kësaj pune në këtë kohë të mallkuar, nuk jemi as më të mençur, as më të ditur, as më të fortë jo e jo, sesa ata që humbën kohë me iluzionin që virusi do zhdukej vetë dhe ngurruan, me javë të tëra, të armatosen me masat shtrënguese që kufizojnë rëndë lirinë e njerëzve për të garantuar shëndetin e tyre.  

Por pikërisht pse jemi më të dobët se sa ata, ne vrapuam më shpejt për t'u mbyllur në shtëpi! Dhe do të vazhdojmë kështu, pa asnjë iluzion, pa fjalë të sheqerosura dhe pa asnjë ngurrim, deri kur ky armik i egër të shporret nga vendi ynë!

Nuk e dimë, askush nuk e di, nuk e dinë as ata që i dinë të gjitha, nga Amerika në Gjermani, në Francë, në Britaninë e Madhe e deri në Izrael apo në Japoni e me radhë, se kur do të vijë dita e çlirimit tonë nga ky makth! Por të gjithë e dinë se nuk do të vijë as javën tjetër, as pas dy javësh. Dhe kur të kalojnë dy javë do thonë na duhen edhe dy të tjera, e kështu me radhë, vetëm Zoti e di se deri kur...

Prandaj të dashurit e mi, ju dua shumë e ju ndjej si njerëzit e shtëpisë time, si asnjëherë më shumë se sot, po mos më kërkoni t'ju shes iluzione, t'ju mbaj me llafe të bukura, apo t'ju premtoj se kjo luftë do të mbarojë shpejt dhe do të kalojë pa vuajtje që mund të dhe shumë më të mëdha.

Shtrëngoni dhëmbët kur shpirti ju vjen për të dalë, stërvisni veten duke luftuar papushim me forcën e zakoneve të jetës së përditshme dhe ndajeni mendjen që kjo luftë nuk ka ardhur për t'i dhënë askujt një leje të jashtëzakonshme, që të qëndrojmë në shtëpi, të hamë e të pimë sikur jemi me pushime e të presim nga qeveria të na garantojë gjithçka kishim e merrnim në ditët e bekuara të jetës sonë normale.

E di që nuk janë këto që doni të dëgjoni dhe e di që ka ende plot nga ju, që akoma nuk e kuptojnë pse duhet të mos dalin as shëtitje, me gruan, me të dashurën a me një shok!

E di edhe që plot nga ju janë të pakënaqur, madje edhe të acaruar, që unë, sipas tyre, po ju tremb, po ju dekurajoj, po ju bëhem i padurueshëm duke përsëritur luftë, luftë, luftë, ndërkohë që dielli ju'a bën me sy nga dritarja dhe Shqipëria duket më e bukur se kurrë, pa smog, pa papastërti, pa zhurmë!

Po në fakt, kjo është e para luftë në historinë e njerëzimit që e ka zbukuruar botën si nuse dhe ku s'ka këmbë ushtari në rrugë, s'dëgjohet një krisëm e nuk derdhet një pikë e vetme gjaku në mbarë globin!

Territori i kësaj lufte nuk është toka, po organizmi i njeriut dhe ushtria armike nuk shihet nga asnjë roje apo satelit, sepse ajo përparon përmes vijave të gjakut brenda trupit tonë, duke na përdorur neve vetë si bazat e saj ushtarake dhe duke e kthyer çdo pakujdesi, çdo shkelje të rregullave, çdo lëshim nervash tonin, në një mundësi fatale për të vrarë më të dashurit apo më të dobëtit mes nesh. 

Prandaj, ju lutem dhe ju kërkoj ndjesë njëmijë herë, as mos prisni nga unë që të mos ju'a përsëris, papushim, ato që nuk doni të dëgjoni dhe as mos kërkoni nga unë, që duke ju kërkuar të luftoni papushim, të mos ju'a përsëris papushim edhe diçka tjetër:

Luftrat nuk vijnë për të mos na dëmtuar ekonomikisht apo për ta bërë detin kos, po bashkë me rrezikun e plagosjeve të rënda e të vdekjeve njerëzore, sjellin edhe rrezikun e plagosjes së rëndë, e deri edhe të vdekjes ekonomike. Luftrat nuk vijnë që të mendojmë vetëm se si të mbrojmë jetën nga armët e armikut, po edhe se si të kullandrisemi për të siguruar mbijetesën në shtëpitë tona. Dhe kjo luftë, është e para në historinë e njerëzimit, që e kthen një popull në një familje të madhe të mbyllur brenda mureve të shtetit të tij dhe e bën shtetin, si asnjëherë më parë, shtëpinë e përbashkët me qindramijëra dhoma, ku çdo familje pret e mbyllur brenda, mjetet e mbijetesës.

Kjo do të thotë, motra e vëllezër, se sado që ju të kërkoni nga unë dhe sado që unë të dua t'jua plotësoj të tëra ato që kërkoni, në këtë shtëpinë tonë të përbashkët, në lagjen më të varfër të Europës; në këtë luftën tonë të përbashkët, mbyllur si Oso Kuka në kullën e tij, qeveria duhet të bëjë me patjetër gjithçka mundet, por çdo anëtar i familjes sonë shqiptare, duhet të vetëdijësohet se gjithçkaja në këtë kohë të mallkuar lufte, nuk mund të përfshijë shumëçka ne jemi mësuar të kemi në kohën e bekuar të paqes.

Qeveria mbledh dhe administron të ardhurat që krijohen çdo muaj nga puna e secilit prej nesh, njësoj siç administrohen të ardhurat nga puna e muajit, në çdonjërën nga shtëpitë tuaja. Rriten të ardhurat, ka më shumë për shtëpinë, bien të ardhurat, ka më pak në shtëpi. Në luftë të ardhurat gjithnjë bien, si për popullin, si për shtetin. Sepse shteti mbahet me taksa, jo me frymën e shenjtë, apo me fuqinë e dëshirave të atyre që e drejtojnë. Në këtë luftë të hatashme për nga forma e për nga forca goditëse e armikut, të ardhurat e shtetit, të shtëpisë së madhe ku jemi të gjithë të mbyllur brenda, do të bien në një pikiatë po aq të hatashme! Dhe, më dëgjoni me vëmendje, pikërisht pse nuk e dimë se sa do të zgjasë kjo mbyllje absurde në shtëpi, nuk dimë dot as se deri në çfarë pike të ulët do të na bien të ardhurat. Prandaj, plani ynë për të shpenzuar teksa punojmë shumë më pak se dje dhe detyrimisht do të kemi në buxhetin e shtëpisë sonë të madhe shumë më pak të ardhura se sa do të kishim po të vazhdonim punën normalisht, nuk mund të jetë në asnjë mënyrë një plan për t'i kënaqur të gjithë sot dhe për t'i lënë të gjithë me gisht në gojë nesër.

Kjo kohë e mallkuar që vetëm Zoti e di sa do të zgjasë, nuk ka asnjë lidhje me kohën e një programimi nga qeveria të të ardhurave, ku parashikohen me optimizëm të ardhurat që do të hyjnë në shtëpinë tonë të përbashkët nga puna e secilit e lëre më pastaj me kohën e kacafytjeve vulgare politike të paqes së zhurmshme shqiptare, ku veshët tuaj batërdisen me lloj-lloj platformash opozitare që e kthejnë detin në kos!

Sot puna në Shqipëri është njësoj si puna që bën zemra e mendja në një trup me gjymtyrë të paralizuara. Të ardhurat në buxhetin e shtetit tonë këtë muaj do të bien shumë. Po muajin tjetër sa më shumë do të bien? Po tjetrin akoma pas tij, sa më shumë do të bien? Po sikur të mos mjaftojnë edhe dy muaj të tjerë që kjo luftë të mbarojë, si do i'a bëjmë ne brenda mureve tona, ku një agresion ndaj botës mbarë, na ka kthyer më keq se në kohën e asaj kështjellës së mbyllur buzë Adriatikut, ku jetuam deri 30 vjet më parë po asokohe të paktën nuk i kishim shtëpitë si kështjella më vete! 

Po mirë ky pushtim pa armë, na ka detyruar ne shqiptarëve të rijetojmë si në një ëndërr keqe tamam si në rrethim, po si duhet ta programojmë ne furnizimin e të gjitha forcave tona të rezistencës brenda kështjellës sonë, kur ky agresion armiqësor, i ka detyruar edhe demokracitë më të mëdha të planetit, të kthehen në kështjella buzë deteve të tyre, që nuk dihet sa kohë do të detyrohen edhe ato të jetojnë si në rrethim!

Edhe njëherë, motra e vëllezër, ndajeni bashkë me mua mendjen, që në këtë luftë për ekzistencë në kuptimin më brutal të fjalës ekzistencë, jemi vetëm!

Nuk jemi pas tërmetit, kur na ra tavani mbi kokë, varrosëm 51 anëtarë të familjes sonë, kuruam plagët e afro njëmijë të tjerëve, riprogramuam buxhetin tonë për të kthyer në shtëpi 17 mijë motra e vëllezër që mbetën me qiellin mbi kokë në mes të dimrit, morëm rrugët e botës me dorën shtrirë si hallexhinj dhe i hapëm me shqelmin e argumenteve bindës, dyert e botës mbarë duke garantuar fondet e Rindërtimit!

Jo, s'jemi pas tërmetit këtë herë, po jemi pasi na ka hyrë në shtëpi një armik që rrezikon të na marrë qindra, në mos mijëra jetë dhe të na shtrijë spitaleve, në mos palestrave e sallave të koncerteve, mijëra e mijëra njerëz të zemrës, nëse nuk zbulojmë përditë brenda vetes fuqinë e durimit më të jashtëzakonshëm dhe nëse nuk e ndajmë mendjen më fort se kurrë, që në këtë hall sa një mal mbi kokë, jemi vetëm, kemi vetëm veten dhe njëri-tjetrin e askush që nuk jeton shqip, nuk flet shqip, nuk qan shqip, nuk na dëgjon!

Nuk kemi kujt t'i shtrijmë dorën askujt tjetër, sepse askush nuk e shikon hallin që na zuri dhe nuk kemi asnjë derë tjetër përveç dyerve të zemrave tona ku të trokasim, sepse s'ka mbetur më derë në botë që nuk është mbyllur.

Kush i'a shtrin dorën tjetrit në familjet e në rrethet tona shoqërore? Më i madhi, më i dituri, më i forti natyrisht. Ai bën sa di e sa mundet, që tjetri, më i vogël a më i moshuar ose i prekur nga një sëmundje a i zënë në befasi nga një hall, të ndihmohet me të gjitha mundësitë. Sot ai, që në të përditshmen e zakonshme mund të qëllojë të jetë secili prej nesh në shtëpitë tona, është shteti, qeveria, në shtëpinë tonë të përbashkët, ku shumica dërrmuese e familjeve pyesin me plot të drejtë veten, çfarë do të bëhet me pagat tona këtë muaj që e mbyllëm dyqanin ku punonim familjarisht? Të tjerë pyesin, çfarë do të bëhet me detyrimet e sipërmarrjes në bankë këtë muaj? Po punonjësit që u mbyllën në shtëpi si do t'i paguaj? Të tjerë akoma pyesin, po në shtëpinë tonë që mezi mbahet me një ndihmë ekonomike, si do vejë ky hall? Ka ca të tjerë që pyesin, po jeta ime në çadër si do vazhdojë, kur as nga çadra nuk duhet të dal? Ka edhe ca të tjerë, të moshuar e të vetmuar, disa me fëmijët larg e disa pa njeri, që s'guxojnë fare as ta pyesin veten nëse në derën nga ku nuk dalin dot, do trokasë dikush për të sjellë diçka që mban frymën gjallë? Ka patjetër edhe ca allasoj, që pyesin ç’do bëjë kryeministri dhe pse xhanëm s'po e bën akoma gjënë më të thjeshtë, se ja Trumpi e bërë, nxori triliona, Merkeli e bëri nxori qindra miliardë, Macroni e Xhonsoni hapën thesin e miliarda që nuk numërohen u derdhën nëpër xhepat e miletit!

Po unë, unë që duhet t'i dëgjoj të gjithë dhe që dëgjoj sa mundem, duke lundruar me sy në lumenjtë e komenteve tuaja, derisa sytë më mbyllen në 3 a 4 të mëngjesit, çfarë pyetje i bëj unë vetes kur hap sytë pas 2 a 3 orësh?

Pyetja ime që s'më ndahet është: Deri kur vazhdon kjo luftë? Dhe e vetmja përgjigje që kam deri tani, është ajo fjalia e Lyndon Jonson-it, presidentit amerikan, kur i ra për hise të dilte para popullit amerikan për t'i dhënë lajmin e zi të vrasjes së John Kennedy-t:

Do të jepja me kënaqësi gjithçka kam, që të mos isha unë këtu sot përpara jush!

Por natyrisht, unë jam sot këtu, në krye të këtij vendi ku kjo luftë e ktheu popullin e tërë, në një familje në kuptimin më të vërtetë të fjalës dhe përgjigja e Lyndon Jonnson-it, nuk zgjidh asgjë, por ama tregon vetëm një gjë: Jo unë, po askush në këtë botë, as ata që janë në krye të shteteve që i dinë të gjitha, nuk e dinë se deri kur vazhdon kjo luftë!

Prandaj edhe plani ynë i financimit të luftës, nuk mund, nuk duhet dhe nuk do të jetë një plan i vetëm, po një plan A, me një plan rezervë B dhe me një plan tjetër rezervë C!

Nëse armiku pastaj nuk do të largohet për gjashtë muaj pastaj dhe do të vijë puna tek nevoja e një plani D, atëherë Zoti i madh i shqiptarëve na ndihmoftë po qe se ata që i dinë të gjitha, nuk do ta kenë zbuluar deri atëherë se çfarë forme ka një plan D.

Sepse të jemi të qartë, i kam studiuar e konsultuar me tërë mendjet e mundshme të ndriçuara, në ato gjuhë të botës që unë di, planet apo më saktë draftet se askush akoma se ka një plan të shkruar. Italia mike e nxori një plan pas dy muajsh dhe askush deri më sot nga çfarë kemi studiuar këtu sëbashku, nuk ka menduar çfarë ndodh pas tre muajsh!  Të gjithë pak a shumë besojnë se kjo çudi që nuk zgjati tre ditë, do zgjasë shumë shumë tre muaj! Po njësoj si me masat shtrënguese, që ne, Shqipëria e vogël, nuk e kishim luksin të humbnim ditë të çmuara me fjalë të sheqerosura dhe të ngurronim t'ia jepnim vrapit, kur të tjerët vazhdonin mendoheshin, edhe me planin e lehtësimit ekonomik të vuajtjeve të kësaj lufte, ne nuk e kemi luksin që t'i themi vetes epo tani, s'do rrijë vërdallë pa u mërzitur me ne ky armiku i padukshëm, kështu që le t'i shpenzojmë ato që kemi!

Jo, me të dalë ku të dalë, nuk dalim dot ne nga shtëpia nesër e të biem në një gropë të hapur me duart tona nga ku të mos dalim dot jo për tre muaj, por as për tre vjet! Planin do ta zbatojmë bashkarisht, nuk është një ecje qorrazi ta shtyjmë sot pa dhimbje, se nesër ka perëndia edhe për ne. Në asnjë mënyrë!

Plani ynë është një plan me vështrimin nga poshtë lart në kategoritë e në shtresat shoqërore; një plan për më të dobëtit dhe për ata që nuk kanë fuqinë të rezistojnë gjatë, pa dorën e shtrirë të qeverisë. Ato historitë ose më saktë përrallat që tregohen studiove televizive me Amerikë e me Gjermani, e para nuk janë ashtu si tregohen dhe e dyta nuk janë për ne ato as ashtu siç janë! Amerika, Gjermania e shtresa e tyre e lartë në familjen e njerëzimit, i kanë ekonomitë me dhjamë dhe bëjnë si bëjnë, nëse nuk u del basti me kohën e shkurtër që kanë parashikuar se do të zgjasë lufta. Ndërsa Shqipëria dhjamë të tepërt ka vetëm në trutë e atyre që nuk duan ta qeverisin pa ditur tabelën e shumëzimit, të atyre të nginjurve me veten që japin mendtë që nuk i kanë, për çdo lloj teme të kësaj bote nga klubet televizive e nga mensat online me gjellë pasanikësh, si edhe të disa të kamurve me biznese të mëdha që si në paqe, si në luftë, i kërkojnë qeverisë qiqra në hell! Ekonomia e shtëpisë sonë të vogël njëkatëshe, Shqipërisë, nuk mund të financojë në këtë luftë as zbatimin në praktikë të ëndrrave opozitare, as kuturisjen pas planeve amerikane, gjermane apo as fitimin e munguar të kompanive të mëdha për shkak të luftës!  

Ne mund, duhet dhe do të financojmë jo jetesën në luftë, si në paqe, po mbijetesën në këtë luftë të atyre prej nesh që do të përfundojnë në kthetrat e armikut, të atyre ndër ne që edhe në paqe mbijetojnë, nuk jeton si shumica jonë; të atyre që nuk shkojnë dot në punë në ndërmarrjen private, sepse i ka mbyllur lufta në shtëpi; të atyre që pa biznesin e vogël ku janë punësuar familjarisht, nuk i mbijetojnë dot të nesërmes, nëse sot nuk ndihmohen të jetojnë ndërkohë që dyqani rri mbyllur. Këta janë ata që kanë më shumë nevojë në këtë moment dhe të tjerët jo vetëm që nuk duhet të kërkojnë asgjë nga ne, po duhet të përgatiten të japin nga vetja, nëse lufta do të zgjasë, e do të na duhet të kalojmë në planin B. 

Sepse të parët, ata me halle reale nuk mund, nuk duhet dhe nuk do t'i lëmë vetëm, ndërsa të dytët, nuk mund dhe nuk duhet as të ankohen, as të kërkojnë, po thjesht të bëjnë luftën e tyre, fizikisht si gjithë të tjerët dhe ekonomikisht ndryshe nga shumica e të tjerëve.  

Unë doja që qysh në planin A të impononim heqjen e dickaje nga vetja, për të gjithë ata që sot fitojnë më shumë si biznes i madh apo kanë një pagë të lartë në sektorin publik. Por më bindën se ky mund të perceptohej gabimisht si një mesazh i gabuar dhe të hynte pastaj në ato gojët pa perimetër të ekraneve, nga ku të dilte si arsye se shteti s'ka para për të paguar rroga e pensione. Prandaj nuk do të prekim hëpërhë, asnjë pagë tjetër përveç pagave të anëtarëve të Këshillit të Ministrave dhe deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, të cilët deri në mbarimin e luftës do marrin vetëm gjysmën e rrogës. Nuk duam të krijojmë asnjë keqkuptim, duke përgjysmuar pagën e Presidentit të Republikës, të cilit haka e do që t'i bëj një falenderim publik, për faktin se qyshse kemi hyrë në këtë luftë, po ndihmon si e sa mundet, apo pagat e drejtuesve të lartë të institucioneve të pavarura. Në këtë fazë është në dorën e tyre ta bëjnë ose jo të njëjtën gjë.

Plani ynë, për adresimin  e nevojave për financim të atyre që janë prekur drejtpërdrejtë në ekonominë e tyre të përmuajshme,  ka këto 7 pika: 

1) 2.5 miliardë lekë, ose 25 milionë dollarë për luftën në vijën e zjarrit, që vihen në dispozicion të Ministrisë së Shëndetësisë, për pajisje e materiale mjekësore apo mbështetje të stafeve mjekësore.

2) 10 miliardë lekë, ose 100 milionë dollarë, përmes instrumentit të një garancie sovrane për kompanitë që kanë vështirësi objektive për të paguar pagat e punonjësve.

3)  6.5 miliardë lekë, ose 65 milionë dollarë për nevojat më imediate:

o   Për shtresat më në nevojë;

o  Për biznesin e vogël;

o   Për papunësinë e mundshme për shkak të luftës

4) 2 miliardë lekë, ose 20 milionë dollarë, që vihet në dispozicion të Ministrisë së Mbrojtjes, për Operacionin Humanitar. 

5) 1 miliardë lek, ose 10 milionë dollarë, si fond rezervë për Këshillin e Ministrave, për cdo urgjencë të paparashikueshme.

Gjithashtu:

•     Do të fshijmë përgjithmonë kamatvonesat për debitorët aktivë që kanë konsum energjie sot, familjarë apo biznes i vogël, me efekt financiar deri në 15 miliardë lekë, ose 150 milionë dollarë. Nga kjo masë do të përfitojnë 211 mijë e 24  abonentë.

•     Do të riskedulojmë në 6 mujorin e dytë të vitit 2020 dhe në vazhdim, tatim fitimin për të gjithë biznesin deri në fashën nga 2 deri në 14 milionë lekë, ose nga 20 deri në 140 mijë dollarë xhiro.

•     Shtyrja e dorëzimit të bilanceve për një periudhë deri në 1 qershor të këtij viti për bizneset që dorëzojnë bilancet në QKB online ose drejtë për drejtë.

Nesër, datë 20.03.2020, ky plan do të hyjë në fuqi si Akti Normativ i ndryshimeve në Buxhetin 2020.

Të dashurit e mi,

ndjesë, ju kam lodhur mbase këto ditë dhe do t'ju lodh edhe më shumë në ditët në vazhdim, me avazin tim të përsëritur të kësaj kohe errësire, ku unë nuk jam kryeministri juaj i ditëve me diell, po vetëm i pari ndër të barabartët e familjes sonë shqiptare! 

Sepse më shumë se kurrë ndonjëherë dhe si asnjëherë më parë, ne jemi të gjithë të kërcënuar njësoj; të gjithë anëtarët e familjeve tona janë të kërcënuar po njësoj; vetë shtëpia jonë e përbashkët, Shqipëria, është po njësoj e kërcënuar si të tëra shtëpitë e vendeve të tjera në rajon, në Europë, në botë.

Por nëse në shumë shtëpi të tjera ka plot zahire për dimër në bodrum, në shtëpinë tonë nuk ka bollëk tjetër përveç bollëkut të zemrës shqiptare, e të asaj forcës së hatashme të mbijetesës që shqiptarët i kanë përcjellë njëri-tjetrit, duke lindur e rritur fëmijë në kohëra që s'kanë qenë kurrë bujare me këtë vend e me këtë popull. Sot është koha për të kursyer gjithçka mundemi, po jo atë bollëk force të trashëguar nga të parët tanë, që duhet ta nxjerrim nga bodrumet e zemrës sonë e ta shpenzojmë pa kursim për ta fituar këtë luftë.

Nuk shkon motra e vëllezër, nuk shkon, që këtë sakrificë që kemi nisur të gjithë bashkë, këto kufizime skandaloze lirie që i kemi pranuar të gjithë bashkë si domosdoshmëri jetike, t'i hedhim në plehra duke mos qenë dot në gjendje të mbajmë një radhë si duhet në derën e një dyqani!

Nëse në oraret e lejuara për këmbësorët, ne grumbullohemi siç kemi bërë tërë jetën tek dera e autobuzit, dhe nuk bëjmë dot një vijë në distancë nga njëri-tjetri, kjo do të thotë të hedhim në plehra tërë frytet e sakrificës, duke u mbledhur si cjepër në hanxharin e kasapit të padukshëm që ka ardhur të na hajë kokën!

Çfarë duhet të bëjmë më? Të dënojmë me burg ata që akoma nuk po duan të marrin vesh? Çfarë ka akoma të vështirë këtu për të kuptuar, që cdo grumbullim i pakujdesshëm mund të jetë fatal për familjen tonë? Ju lutem të gjithë atyre që janë futur në llogoren e tyre të rezistencës dhe që janë 99 e kusur përqind e popullsisë: Kur rrini në radhë mos heshtni, po kërkojini kujtdo që ju rrezikon jetën e familjes suaj, duke thyer distancat e sigurisë, të bëjë të njëjtën gjë që bëni ju! Policia nuk është si Coronavirusi që është kudo dhe nuk mund të kapë çdo shkelës, siç e kap armiku i padukshëm! Ashtu siç jemi bërë të tërë ushtarë në këtë luftë, duhet të bëhemi edhe policë kur dikush rreth e rrotull na kërcënon jetën, me papërgjegjshmërinë e tij! Nuk është koha për sherre, po për sensibilizim kudo e kurdo, që shfaqet një shqipe e keqkuptuar rrotull nesh!

Unë besoj, besoj shumë që ne e kemi në dorë fatin tonë në këtë luftë dhe duke mos hequr dorë asnjë çast nga rezistenca, ne mund të dalim prej kësaj lufte pa plagë të pashërueshme e pa grumbuj të vdekurish, si në Italinë mike e fqinje. Ta bëjmë këtë luftë deri në fund motra e vëllezër, me të gjithë bollëkun e zemrës e të asaj forcës së veçantë shqiptare, që i ka siguruar këtij kombi mbijetesën edhe kur është kërcënuar nga shpërbërja e nga asimilimi, prej fuqish të mëdha të kësaj bote. Të bëjmë deri në fund këtë luftë për fëmijët tanë e për gjyshërit e tyre, për familjen e vogël që është mbyllur në shtëpi dhe për familjen tonë shqiptare, sepse nuk do të na e falë historia që nga një luftë pa armë e pa ushtri përballë, ne të dalim kokulur për zakonet e fajet tona!

Zoti i shqiptarëve është i madh dhe na dhëntë të gjithëve forcën që na duhet, orë e minutë, në këtë sprovë të tmerrshme me vetveten!

Fjala e plotë e kryeministrit Edi Rama mbrëmjen e sotme ku shpalli planin e masave social-ekonomike

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ben Titonci: 19/03/2020 23:06

    Figure stoik je Edi

    Përgjigju
  • Dr_emigrant: 19/03/2020 22:46

    Më dhëmbë shpirti per Shqiperine time te dashur, por ju bastarder pa dallim majtas e djathtas na larguat nga Shqiperia jonë e bukur dhe na detyruar te marrim rruget e botës.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Konfirmohet rasti i parë me linë e majmunëve në Kosovë

Konfirmohet rasti i parë me linë e majmunëve në Kosovë