TIRANË - Ministrja e Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolla ka deklaruar nga Elbasani se procesi i akreditimit të Universiteteve do të fillojë në janar nga një agjenci e huaj e përzgjedhur për këtë proces. Sipas ministres Nikolla tashmë agjencia e huaj ka bërë një vlerësim paraprak të situatës dhe është gati të të fillojë nga puna.
 
Nikolla u shpreh se do të jenë rekomandimet e kësaj agjencie ato që do të sjellin ndërhyrje të reja të ministrisë dhe qeverisë në arsimin e lartë. Sipas ministres mbyllja e shumë universiteteve ishte faza e parë dhe kjo fazë mund të kërkojë të tjera ndërhyrje.
 
Gjithashtu ministrja e arsimit theksoi se për vlerësimin do të mbahen parasysh një sërë komponentësh dhe akreditimi do të përfshijë të tri nivelet e studimit duke filluar me nivelin bachelor.
 
Nisja e këtij procesi shtyn mundësinë për aplikimin e doktoraturave edhe për vitin 2015.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)