TIRANE - Të gjitha diplomat që kanë lëshuar deri më tani 18 universitetet private që u mbyllën do të vazhdojnë të kenë të njëtën vlerë me atë diplomat çdo universiteti tjetër publik apo privat. Gjatë një takimi që ministrja e arsimit, Lindita Nikolla me rektorët e shkollave të larta private që vazhdojnë aktivitetin normalisht, ka deklaruar se është tregu i punës ai që bën diferencën. 

 Ministrja po ashtu ka bërë të ditur se këta studentë do paguajnë tarifa shkollimi të larta edhe në universitete publike, dhe jo aq sa paguajnë studentët e shtetërorit. 

“Lejomëni të përsëris qëndrimin dhe vendosmërinë tonë, jo vetëm për të mundësuar një shans të dytë për studentët, por edhe pa cënuar cilësinë e institucioneve të arsimit të lartë që do t’i pres. Për të mundësuar vijueshmërinë e cilësisë në institucionet tuaja ju duhet të rishikoni me vëmendje çdo dosje të studentëve”, u shpreh Lindita Nikolla.

Ministrja Nikolla ka sqaruar rektorët e universiteteve private se duhet t’i pranojnë edhe studentët që nuk kanë numër matrikulimi, por të vënë në dijeni MAS-in që po verifikon çdo rast të tillë. 

Sa i përket fituesve të rinj të universiteteve publike, ministrja Nikolla ka bërë të ditur se emrat do të dalin më 20 shtator.


Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)