Universiteti shtetëror provime
si të italianit, Renzo Bossi

Universiteti shtetëror provime<br />si të italianit, Renzo Bossi
TIRANE- Hije dyshimi mbi rektorin e Universitetit të Sporteve, Vejsel Rizvanolli. Redi Shijaku, dhëndri i rektorit të Universitetit të Sporteve, Vejsel Rizvanolli, është aktualisht student i vitit të katërt në sistemin part-time te fakulteti i Shkencave të Lëvizjes së këtij institucioni të arsimit të lartë publik. Që do të thotë se ai duhet të jetë i pranishëm çdo të shtunë e të dielë në auditoret e këtij fakulteti, pasi sistemi me kohë të pjesshme zhvillon mësim gjatë fundjavës.

Sipas të dhënave që ka siguruar nga gazeta Shqiptarja.com vihet re se personi në fjalë, jo vetëm e ka pasur të pamundur prezencën e tij çdo fundjavë për të ndjekur studimet, pasi ai udhëton shumë shpesh jashtë Shqipërisë por madje duket se jeton në Angli, shtet nga i cili ka edhe një dokument identifikimi që kalon në çdo pikë kufitare.

Jo vetëm kaq. Ajo që e implikon drejtë për drejt rektorin e këtij universiteti për favorizim të studentit Shijaku me të cilin ka edhe lidhje të ngushta fam8iljare, është fakti se në datat që mbajnë përsipër procesverbalet e lëndëve që ai ka dhënë provim, ku sigurisht ai është vlerësuar edhe me notë, në të vërtetë Redi Shijaku nuk ndodhej fare në Shqipëri, por jashtë vendit.
TE DHENAT
Ky fakt dokumentohet nga të dhënat e siguruara nga sistemi TIMS, ku rezulton se personi në fjalë, nuk ka qenë në Shqipëri në këto data. Kështu sipas procesverbalit të datës 09.04.2011 ai rezulton të ketë dhënë provim lëndën "Basketboll", ku është vlerësuar me notën 10-të, por nga të dhënat e TIMS, Redi Shijaku, i cili zotëron një dokument udhëtimi me nr.540280287, të lëshuar nga Britania e Madhe dhe që i skadon në vitin 2015, nuk ka qenë fare në Shqipëri. Kështu sipas të dhënave të siguruara nga ky sistem që regjistron të gjitha hyrje-daljet e një personi, nga të gjitha pikat doganore të vendit, rezulton se Redi Shijaku ka dalë nga Rinasi me datë 24 mars 2011 dhe është futur sërish më 07 maj 2011. Po sipas procesverbaleve që mbahet për çdo lëndë, me datë 18.06.2011 studenti Redi Shijaku është testuar në lëndën "Fiziologji e Aktivitetit Fizik dhe Kontroll Funksional", është vlerësuar me notën gjashtë, por sipas të dhënave të sistemit TIMS ai ka dalë nga Rinasi më 12 maj 2011 dhe është futur sërish më 25 qershor 2011, pra ai nuk ka qenë fare i pranishëm fizikisht në vendin tonë në ditën e dhënies së provimit, vetëm në rast se është futur kontrabandë dhe nuk e ka kaluar pasaportën në pikën e kalimit kufitar. Gjithashtu me datë 10 korrik 2011 ai është vlerësuar me tetë në lëndën "Turizëm-Rekreacion", ndërsa sipas të dhënave të TIMS, Redi Shijaku ka dalë nga Shqipëria me datë 4 korrik 2011 dhe është futur sërish nga Rinasi më 2 gusht 2011. E njëjta shkelje dokumentohet edhe për lëndën e "Didaktikës" ku ëhstë vlerësuar me dhjetë, e cila është dhënë provim me datë 9 dhjetor 2011, kur ai ka dalë nga Shqipëria me datë 8 dhjetor 2011 dhe është futur sërish më 23 shkurt 2011. Ndërkohë ajo që bie në sy është fakti se procesverbalet e lëndëve, të cilat i disponon edhe gazeta "Shqiptarja.com" nuk janë firmosur në fund nga pedagogu i lëndës dhe dekani i fakultetit, por mbajnë firmën e dekanit të fakultetit dhe të rektorit Rizvanolli, ndërkohë që pedagogu i lëndës ka shënuar emrin në fillim të procesverbalit dhe ka firmosur karshi çdo note të shënuar në të. Mësohet se shkelje të tilla janë të pranishme thuajse në të gjitha lëndët që ka dhënë provim ky student, madje ka disa lëndë që megjithëse ka dy vite që janë dhënë provimet ende nuk janë dorëzuar procesverbalet. Gjithashtu burime konfidenciale na thonë se madje një shkelje e tillë, është kapur edhe nga organet e drejtësisë dhe këto ditë ka mbërritur pranë këtij universiteti një njësi e antikorrupsionit për të zbuluar të vërtetën. Dhe nëse rezulton se një shkelje e tillë është kryer me të vërtetë, atëherë vihet në dyshim edhe i gjithë sistemi i universiteteve publike, kur në fakt dyshimet më të mëdha deri më tani rëndojnë mbi shkollat e larta private. Ministria e Arsimit në fakt ka deklaruar se një grup kontrolli po monitoron të gjitha universitetet, publike dhe private, dhe rezultatet e këtij monitorimi do të bëhen të ditura në fund të qershorit.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindja, Presidenti e Kryeministri urojnë besimtarët katolikë! Begaj: Të reflektojmë mbi vlerat më të larta të njerëzimit

Krishtlindja, Presidenti e Kryeministri urojnë besimtarët katolikë! Begaj: Të reflektojmë mbi vlerat më të larta të njerëzimit