“Rehabilitimi i lumit Gjanica dhe rikonceptimi i qendrës së Fierit”, projekt i zbatuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit po shkon drejt përfundimit, me mbylljen e punimeve në lotin e tretë.

Ky investim i qeverisë ka transformuar ndjeshëm qytetin, ku gjate përgjatë skarpateve të lumit, shihen pemë, trotuare, zona pushimi për qytetarët.

Megjithatë, në këtë panoramë të re urbane bie në sy një segment i mbetur jashtë ndërhyrjes: ura mbi lumin Gjanica pranë ish-furrave të bukës, në lagjen “Kryengritja e Fierit”.

Pamjet e kësaj ure tregojnë qartë gjendjen e amortizuar ndër vite, me parmakë të dëmtuar nga aksidentet dhe trotuare të çara që vështirësojnë lëvizjen e këmbësorëve.

Banorët e lagjes “Kryengritja e Fierit” kërkojnë që investimi të mos mbetet i pjesshëm, por të përfundojë edhe në këtë segment, për të mbyllur tërësisht rehabilitimin e zonës përgjatë lumit Gjanica.

“Është e rrezikshme, dalin fëmijët nga shkolla, ku do të kalojnë?”

“Ura sjell probleme për kalimtarët, fëmijët dhe makinat.”

“Nuk është parashikuar asgjë për rrethimin anësor të urës që ka shumë defekte dhe mund të rrezikojë jetë njerëzish”, thonë banorët.

Edhe pse rehabilitimi i urës dhe rikonstruksioni i fasadave të disa pallateve përreth ishin parashikuar në projektin fillestar, nuk u financuan nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Zyrtarë të Bashkise së Fierit thanë se “ndërhyrja në këte urë mund të bëhet në një fazë tjetër, por nuk dhanë asnjë afat pasi gjithçka faret nga FSHZH-ja”.