Shteti mban përgjegjësi edhe që një urë si atë të Drojës, e ndërtuar në vitet ’30 të shekullit të kaluar, nuk e ka rikonstruktuar, duke e lënë të amortizohet pak nga pak ndër vite. Por, një papërgjegjshmëri edhe më e madhe është ajo e ndërtimeve që bëhen nga e para. Ndërkohë që firmat shqiptare të ndërtimit kanë përvojë, material e teknologji në dispozicion, të tilla, që të ndërtojnë objekte që t’u rezistojnë risqeve të tilla.
Një rast i tillë është ai i Urës në Rrugën e re, të ndërtuar nga viti 2012 në 2014-ën, në segmentin që lidh Krujën me Parkun Kombëtar të Qafë Shtamës. Prej kohësh në këtë segment, edhe gjatë verës, ishin vënë re shembje të trasesë së rrugës vende-vende. Por shembja e urës plotëson më së miri tabllonë e punimeve të papërgjegjshme, të lejuara nga zyrtarë po aq të papërgjegjshëm.
Tenderi për ndërtimin e kësaj rruge i është besuar Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Por ky ka qenë autoriteti shqiptar, të cilit i kishte besuar fondet e veta një institucion gjigand financiar, si Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim (BERZH), për të bërë punimet, ashtu sikurse i ka besuar edhe realizimin e një serë objektesh të rëndësishme infrastrukturore në Shqipëri. Tenderi CWC/ICB/2012/WL-Rec 90 për ndërtimin e këtij segmenti rrugor është shpallur që në shkurt të vitit 2012 dhe është përfunduar kontrata me kontraktorin shqiptar në nëntor të po atij viti, kur në pushtet ishte qeveria Berisha. Sipas specifikimeve të garës, rruga është 18.1 kilometra e gjatë, ku 8.5 kilometra cilësohen si terren rrëshqitës dhe 9.61 kilometra të tjera si rrugë malore. Punimet do të zgjatnin për 24 muaj, kështu përfundimi është realizuar ndërkohë që ishte ndryshuar qeveria, por drejtuesit e FSHZH-së kishin mbetur të njejtët.
Por si e ka justifikuar këtë besim të Bankës Evropiane FSHZH-ja?
Sipas listës së fondeve të shpenzuara, të dhëna nga donator të huaj, del se në dispozicion të këtij segmenti rrugor janë akorduar më shumë se 499 milionë lekë të reja. Pra, afërisht 5 miliardë lekë të vjetra, apo 37.3 milionë euro të donatorëve janë përdorur për një rrugë, që zgjidhi problemet e zonave të izoluara, afroi një rajon shumë turistik me qendrën, por njëkohësisht mundësoi edhe ecurinë normale të bizneseve rajonale, duke filluar nga industria e ujit mineral, blegtoria, pyjet, etj.
Ende nuk dihet nëse drejtuesit e Fondit Shqiptar të Zhvillimit do të fajësojnë apo çojnë para gjyqit firmën ndërtuese nga Puka për punime me cilësi të dobët, të cilat mund të kishin sjellë edhe pasoja të rënda po të ishin aksidentuar njerëz që kalonin në kohën e shembjes së urës në atë zonë. Por mund të ndiqet edhe praktika e deritanishme e marrjes përsipër nga shteti të shpenzimeve për meremetimin e dëmit, me paratë e taksapaguesve.
Sidoqoftë, ujrat e rrëmbyera edhe këtë herë, përveçse gërryen betonet e hedhura shkel e shko, gërryen edhe më tej besimin e donatorëve tek aftësia e pushtetarëve shqiptarë për të përdorur edhe ato investime që mezi arrijmë të marrim. 
Faksimile e shpalljes më 2012 nga FSHZH të tenderit për ndërtimin e disa segmenteve
rrugore, me financim të BERZH, ku përfshihet edhe rruga Krujë-Qafë Shtamë
d.c./shqiptarja.com










