TIRANE - “Unë nuk e dua atë... Ai është i keq... Shpeshherë më shkelmon...” Janë këto copëza të shkëputura nga biseda që gazetarja e emisionit “Urbanika” në televizionin A1 REPORT! ka mundur të marrë nga Florie Peçi, studenten e mbijetuar nga aksidenti tragjik i Himarës më 21 majin e vitit të kaluar.  Studentja nga Librazhdi është 5 muajshe shtatzënë dhe familjarët e saj hedhin akuza se Floria është abuzuar seksualisht gjatë periudhës së rehabilitimit në klinikën e Vjenës, pasi shkoi për kurim në gjendje kome, pas aksidentit.

Shtatzënia e Florie Peçi është trajtuar sot në emisionin “Urbanika”, ku gazetarja Pranvera Bozhiqi ka mundur të bëjë një bisedë gati 3 orëshe me të në dhomën numër 3 të maternitetit “Mbretëresha Geraldine” në Tiranë. Pavarësisht se gjendja e saj shëndetësore është përmirësuar, goditja e marrë nga aksidenti ka lënë pasoja në shëndetin e saj mendor, pasi shpeshherë Floria humb kujtesën dhe momentet e vetme të rrëfimit të saj janë kur ajo kujton diçka.

Në bisedën me gazetaren, studentja e mbijetuar nga aksidenti i Himarës përmend emrin Uesli. Bëhet fjalë për nipin e saj, djalin e vëllait, të cilin Floria e do shumë. “Uesli do ta rrahë”. Kështu shprehet studentja për “mbrojtësin e saj të vogël” i cili sipas saj do ta shpëtojë nga e keqja që ajo mban në bark, siç e mendon ajo. Floria vazhdimisht shprehet se fëmija që ajo mbart në trupin e saj është i keq, ndërsa kërkon me ngulm që nipi i saj të vijë ta vizitojë në maternitet.  Për Florien shtatzënia e saj ka ndodhur përmes një gjilpëre.  Ndërkohë, kur Florie Peçi është kthyer në atdhe, më 11 tetor pas kurimit në Austri, në aeroport aty ku e priste i vëllai, i ka folur këtij të fundit në formën e halucinacioneve për çështje morali dhe për një fëmijë.

PERKTHYESJA E FLORIES: STAFI I SPITALIT NE AUSTRI E TRAJTOI SHUME MIRE
Lumije Peçi, përkthyesja e Florie Peçit gjatë kohës kur ajo u kurua në Vjenë,. në një intervistë për emisionin "Urbanika" ka përjashtuar mundësinë e abuzimit brenda ambienteve të spitalit ose në familjen kosovare, që ajo qëndroi pas rehabilitimit. Ajo pohon se sjellja ndaj Flories ka qenë shumë e mirë nga të gjithë dhe se gjithë kohën është shoqëruar nga e motra. Përkthyesja tregon se stafi i spitalit në Austri e ka trajtuar shumë mirë Florien dhe të njëjtin fakt e pohon edhe për familjen kosovare, ndërsa thotë se është policia ajo që duhet të zbardhë ngjarjen.

VIDEO/ Prononcimi i përkthyeses për Tv A1 REPORT!