Debati për 'Urdhrin e Mjekut'/ Ministrja Koçiu: Nuk po i merren kompetencat dhe as po i preket pavarësia! Po ngrihen Komisione Kolegjiale dhe transparente

Ministrja e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale, Albana Koçiu, u vu sot në qendër të akuzave të deputetëve të opozitës për shkak të Aktit Normativ për Urdhrin e Mjekëve, që u konsiderua si një akt politik i qëllimshëm nga mazhoranca dhe qeveria.

Teksa në fillim në fjalën e saj ministrja tha se amendimet në ligjin për “Urdhërin e Mjekëve në Republikën e Shqipërisë”, kanë si qëllim kryesor dhe parësor “shmangien e konfliktit të interesit të mjekëve, mes shërbimit shëndetësor që ata ofrojnë në sistemin publik me atë në sistemin jo publik, hodhi poshtë pretendimet e opozitës së tentohej të kapej Urdhri i Mjekut dhe pavarësia e tij.

Gjithashtu ministrja tha se “u ndalohet drejtuesve të spitaleve publike të jenë drejtues të klinikave shëndetësore jo publike”, por ndryshe nga shumë shtete partnere, që i kufizojnë mjekët që të punojnë në privat dhe publik, si SHBA-të, në Shqipëri me ligj po lejohet dhe rregullohet.

Koçiu u shpreh se “kishte nevojë urgjente për ndërhyrje në ligj dhe rregullime”.

“Pjesa e urgjencës dhe nevojës u trajtua, por është e rëndësishme ta theksoj se bëhet fjalë për shëndetin në institucionet publike, pra ka nevojë dhe urgjence për të ndërhyrë. Jo pa qellim përsërita dhe theksova si një reforme që është në fazat e para të konsolidimit dhe deri në kryerjen e reformës autonomisë mbetet Akt.  Nga 2024 në 2026 është koha që kërkohet për konsolidim dhe për të marrë kartën e autonomisë financiare. Nuk e merr automatikisht, kalon në komision vlerësimi për të parë nëse i ka kapacitetet për autonominë, shërbimet që ofron, kapacitetet pajisjet strukture për të kaluar te autonomia menaxheriale”, tha ministrja.

Drejtuesja e dikasterit iu përgjigj pyetjeve më të shumta që kishin objekt Urdhrin e Mjekut dhe dyshimeve të opozitës.

“Për t’u kthyer te Urdhri. S’po u merret dhe s’po u cenohet pavarësia. Urdhri do ushtrojë ato që ka ushtruar deri tani, kompetencat që ka. Urdhri rregullon marrëdhëniet e dypunësimit. S’bëhet me urdhër ministri rregullimi i kohës se punës. Kompetencat rregullohen me ligj për marrëdhëniet e punës. Kur do e rregullonim më mire se te ky ligj. Po rregullon punësimin e mjekeve në institucione publike dhe jopublike, garantohet edhe kohëzgjatja ne jopublike me 30% e orëve mujore, ose mesatarisht 3 orë ditë, që mund të jenë të ndara. Pra 11 orë në ditë në total, në maksimumin e vet një balancë normale për 11 orë në ditë. Janë parë edhe vendet e tjera, të cilat u morën shembull. I kanë kufizimet Franca, Anglia, Gjermania, Spanja, Amerika dhe Kanadaja, që madje s’i lejojnë fare mjekët e publikut në institucionet jopublike. Ka mënyra si përqindja e të ardhurave, si Franca apo Anglia. Ne nuk kemi shkuar me kufizime te të ardhurat, por te ora e punës”, tha Koçiu.

Ministrja shpjegoi edhe çështjen e heqjes së licencës apo të pezullimit të mjekëve, duke theksuar se do të ketë Komisione Apelimi dhe ankimimi që do shqyrtojnë çështjet.

“Ka Kod Etik dhe Deotologjik. Aty do vendosen shkeljet disiplinore dhe nëse ka shkelje, do zbatohen masat që kemi propozuar. Pasoja e sjellë për shkak të shkeljes duhet të jetë në propozim me masën që do merret. Prandaj kemi ngritur edhe komisionet, ku do dëgjohen të gjitha palët dhe respektohen. Më tej është edhe Gjykata Administrative që merr vendimet dhe vendos për çështjet. Komisioni disiplinor merr një masë të caktuar që parashikohet edhe te Urdhri i Mjekut. Palët si e prekura dhe aplikuesja e dënimit i drejtohen Komisionit të Apelimit, që është një organ Kolegjial dhe nuk është Ministria. Pse është te Ministria nuk do të thotë se është e ministrisë dhe qeverisë, por kolegjial dhe transparent. Aty ankimohet dhe apelohet”, shpjegoi drejtuesja e dikasterit.

Kurse hapi i fundit sipas saj do të jetë gjykata, që mund të marrë edhe vendime të kundërta me ato të Komisionit. Ministrja shtoi se është parë dhe marrë praktika e vendeve të tjera, si për pezullimin, ashtu dhe për heqjen e licencës, raste shkeljesh që i cilësoi ekstreme.

Koçiu përfundoi duke thënë se këto masa merren vetëm “mbi prova dhe fakte”, teksa mohoi se ky Akt Normativ ishte i maskuar, duke shtuar se po bëhen në “përputhje me Kushtetutën”.

Kurse pyetjes së fundit të kryetares së Komisionit, Zheni Gjergji, në lidhje me autorizimet nga titullarët tek mjekët për të punuar apo marrë leje pune në institucionet jopublike, Koçiu iu përgjigj:

“Është titullari i institucionit që ka përgjegjësinë e organizimit dhe drejtimit të punës. Duhet një autorizim leje e ushtrimit të veprimtarisë së jashtme. Duhet kërkesë te titullari, plotësohen faktorët, energjia që shpenzon, kushtet dhe kriteret. Nuk do të ketë pengesa, do ketë edhe udhëzim që i rregullon dhe nuk rëndon mjekët me procese administrative”.

Kurse për dypunësimin e shefave të institucioneve Koçiu u shpreh se: “Vetëm drejtuesit apo menaxherët e spitaleve kufizohen të jenë drejtues në institucionet shëndetësore jopublike private”.

A.Q/I.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kjo Krishtlindje është ftesë për të përjetuar magjinë... Çfarë thonë yjet për ju sot

Kjo Krishtlindje është ftesë për të përjetuar magjinë... Çfarë thonë yjet për ju sot