Deputeti socialist Arbjan Mazniku ka komentuar nismën politike të kryeministrit Edi Rama, për të kërkuar dorëheqjet e parevokueshme të drejtuesve të institucioneve nëpër ministri.
I ftuar në emisionin ‘Frontline’ me gazetaren Marsela Karapanço në Report Tv, Mazniku hodhi poshtë pretendimin se protestat e dhunshme mund ta kishin shtyrë kryeministrin të ndërmerrte një vendim të tillë.
Mazniku tha se duke parë edhe shndërrimin e Ministrisë për Administratën Publike në një ministri me portofol, tregon se ka pasur një plan më të vjetër të Qeverisë për të krijuar një mekanizëm që përmirëson mënyrën sesi funksionon meritokracia në procesin e përzgjedhjes në të gjithë sistemin.
“Gjykoj që nga sa shikohet, duke parë edhe që Pirdeni mori sot detyrën e ministres për Administratës Publike, do të thotë se me shumë gjasa ka pasur një plan më të vjetër të Ekzekutivit për të bërë një mekanizëm që përmirëson në mënyrë të ndjeshme mënyrën sesi funksionon meritokracia në procesin e përzgjedhjes në të gjithë sistemin. Kthimi i ministrisë së Shtetit, nga një ministri pa portofol, në një ministri të mirëfilltë, është shenjë e gatishmërisë ose vullnetit të ekzekutivit për ta bërë çështjen e meritokracisë një çështje thelbësore të mënyrës sesi funksionon administrata publike dhe tentativës për të krijuar gjithmonë e më shumë mekanizma që të kemi vlerësime objektive të mënyrës sesi njerëzit bëjnë karrierën në administratë”, tha mes të tjerash Mazniku.
Mazniku tregoi gjithashtu se edhe në diskutimet që u bënë brenda Partisë Socialiste gjatë muajit gusht dhe në javët e para të shtatorit, si në konceptin e ‘Besës’, ashtu edhe në atë të ‘Pranisë Besnike’, u fol shumë gjatë edhe për nevojën që Shqipëria ka për përmirësimin e konceptit të krijimit të mekanizmave në administratë.
Sipas Maznikut, duke qenë se Shqipëria po ecën drejt anëtarësimit në BE, është domosdoshmëri edhe përmirësimi i këtyre standardeve.
“Unë besoj që edhe kjo mund të shihet në linjë me këtë veprim dhe më duket se është më shumë vijimësi e kësaj situate. Ka një fokus, edhe në diskutimin që u bë gjatë muajit gusht dhe javët e para të shtatorit, si me konceptin e Besës, ashtu edhe me konceptin e Pranisë Besnike, u diskutua në forumet e PS shumë gjatë për nevojën që ne kemi për të përmirësuar edhe më tej, konceptin e krijimit të mekanizmave në administratë. Sepse është një ndër gjërat që ne kemi vlerësuar që padyshim njerëzit kanë pasur një shqetësim për këtë çështje dhe duhet të ketë më shumë elementë transparence. Unë besoj se ka pasur një proces të ngritur nga ana e Ekzekutivit për të krijuar një sistem më të drejtë dhe më transparent. Sistemet e tilla nuk janë me 1 dhe 0. Nuk është o e ke, o s’e ke. Ne jemi në një sistem, që ashtu si gjithë sistemet e tjera, përmirësohet dhe në secilin moment bëhet pak më i mirë sesa ka qenë më para. Ne teksa ecim drejt standardeve të BE-së, do të synojmë t’i përmirësojmë edhe këto standarde”, shtoi Mazniku.
Eksperti i Sigurisë, Faik Basha, teksa ka komentuar urdhrin e kryeministrit Edi Rama drejtuar ministrave për shkarkimin e drejtorëve nëpër institucione, ka theksuar se meritokracia në administratën publike ka qenë një problem për Shqipërinë ndër vite.
Ai shtoi se administrata publike dhe përmirësimi i meritokracisë në përzgjedhjen e burimeve njerëzore ka qenë gjithmonë në fokus të kryeministrit Rama.
Në emisionin ‘Frontline’ me gazetaren Marsela Karapanço në Report Tv, Basha shtoi se protesta e ‘Flamingove’ mund ta ketë shtyrë kryeministrin Rama drejt këtij vendimi, por kurrësesi protestat e dhunshme të ndodhura gjatë 10 ditëve të fundit në vend.
“Kemi folur për meritokracinë, kemi diskutuar edhe Besën kur ajo u shfaq dhe ndër të tjera ju kam thënë se një ndër shqetësimet që kryeministri kishte në një pjesë të gjerë të asaj platforme, që unë e kam lexuar, diku te 47 faqe në mos gaboj, fliste për një proces që duhet të ndodhë tani në administratën shqiptare dhe për një memorie që gjithmonë ka qenë problematike. Në 35 vite, ministrat, por edhe drejtorët e përgjithshëm, nuk kanë ndërruar vetëm pjesën bazë, pra vetëm shtabin e tyre, por kur kanë marrë drejtimin e institucionit kanë bërë lëvizje gjithëpërfshirëse që shkojnë deri në nivelin e dytë dhe të tretë të lëvizjes së shkarkimeve dhe të stafit të tyre.
Ky është një problem që prek jo individin, por strukturën e një shteti. Meritokracia është një problem që është shfaqur dhunshëm gjatë këtyre viteve në Shqipëri. Njeriu që punon, që ka të gjithë përgatitjet dhe mundësistë për të dhënë kontribut, në shumicën e rasteve nuk është marrë kjo si një vlerë për institucionin, por kanë pasur më shumë vlerë pjesë të tjera që edhe politika ka ndikuar për të patur mundësi më të mëdha në drejtim të zënies së pozicioneve në administratën publike. Kryeministri ka thënë edhe këtë që asnjë deputet nuk duhet të ndikojë më për të futur njerëz për të marrë një pozicion të caktuar.
Sepse administrata është pasuri e vendit, pra e asnjë individi. Mendoj se flamingot kanë ndikuar, por jo kjo protestë. Unë mendoj që nëse Rama do të marrë një zhvillim kaq drastik për shkak të disa njerëzve që me maska, gurë e molotovë dhunuan policinë, institucionet, bizneset, bankat dhe terrorizuan Tiranën, të shkosh edhe të marrësh vendime të kësaj natyre besoj se do të ishte një smbrapsje shumë e fortë shtetërore, sepse kryeministri përfaqëson gjithë shtetin.
Kushdo që do të ishte kryeministër nuk duhet të smbrapsej përballë maskave, të cilat kanë mbizotëruar për një kohë të gjatë në vendin tonë. Mendoj që kjo është për dy arsye, e para, ka lexuar drejt kërkesat dhe shqetësimet e qytetarëve që protestuan në 15 ditëshin e parë të Flamingove. Kryeministri zgjidhet me votë dhe janë qytetarët që vendosin kush duhet të zgjidhet. Verdiktin nëse duhet të qëndrojë më në detyrë, duhet ta japin qytetarët përmes votës”, tha mes të tjerash Basha.
Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, nismën politike të kryeministrit Edi Rama, për të kërkuar dorëheqjet e parevokueshme të drejtuesve të institucioneve nëpër ministri, e ka cilësuar si autokratike.
Në emisionin ‘Frontline’ me gazetaren Marsela Karapanço në Report Tv, Duka tha se nuk mundet që kryeministri me një telefonatë t’u kërkojë ministrave shkarkimin e të gjithë drejtorëve.
“Rama akuzohet për një drejtim autokratik, të paktën nga një pjesë e opozitës dhe nga opinioni publik. Sipas mendimit tim, edhe kjo është një dëshmi. Sepse nuk mundet që kryeministri me një telefon apo me një të rënë të lapsit t’u thotë ministrave ‘do shkarkoni gjithë drejtorët’. Ministrat nëse kanë integritet nuk e zbatojnë atë urdhër. Sepse do i marrin gjithësecilin në analizë më vete, të shohin si kanë punuar dhe pastaj të marrin një vendim. Sepse janë ata që kanë punuar me këta ministra”, tha mes të tjerash Duka.








Komente
Komento