Eksperti i Sigurisë, Faik Basha, teksa ka komentuar urdhrin e kryeministrit Edi Rama drejtuar ministrave për shkarkimin e drejtorëve nëpër institucione, ka theksuar se meritokracia në administratën publike ka qenë një problem për Shqipërinë ndër vite.

Ai shtoi se administrata publike dhe përmirësimi i meritokracisë në përzgjedhjen e burimeve njerëzore ka qenë gjithmonë në fokus të kryeministrit Rama.

Në emisionin ‘Frontline’ me gazetaren Marsela Karapanço në Report Tv, Basha shtoi se protesta e ‘Flamingove’ mund ta ketë shtyrë kryeministrin Rama drejt këtij vendimi, por kurrësesi protestat e dhunshme të ndodhura gjatë 10 ditëve të fundit në vend.

“Kemi folur për meritokracinë, kemi diskutuar edhe Besën kur ajo u shfaq dhe ndër të tjera ju kam thënë se një ndër shqetësimet që kryeministri kishte në një pjesë të gjerë të asaj platforme, që unë e kam lexuar, diku te 47 faqe në mos gaboj, fliste për një proces që duhet të ndodhë tani në administratën shqiptare dhe për një memorie që gjithmonë ka qenë problematike. Në 35 vite, ministrat, por edhe drejtorët e përgjithshëm, nuk kanë ndërruar vetëm pjesën bazë, pra vetëm shtabin e tyre, por kur kanë marrë drejtimin e institucionit kanë bërë lëvizje gjithëpërfshirëse që shkojnë deri në nivelin e dytë dhe të tretë të lëvizjes së shkarkimeve dhe të stafit të tyre.

Ky është një problem që prek jo individin, por strukturën e një shteti. Meritokracia është një problem që është shfaqur dhunshëm gjatë këtyre viteve në Shqipëri. Njeriu që punon, që ka të gjithë përgatitjet dhe mundësistë për të dhënë kontribut, në shumicën e rasteve nuk është marrë kjo si një vlerë për institucionin, por kanë pasur më shumë vlerë pjesë të tjera që edhe politika ka ndikuar për të patur mundësi më të mëdha në drejtim të zënies së pozicioneve në administratën publike. Kryeministri ka thënë edhe këtë që asnjë deputet nuk duhet të ndikojë më për të futur njerëz për të marrë një pozicion të caktuar.

Sepse administrata është pasuri e vendit, pra e asnjë individi. Mendoj se flamingot kanë ndikuar, por jo kjo protestë. Unë mendoj që nëse Rama do të marrë një zhvillim kaq drastik për shkak të disa njerëzve që me maska, gurë e molotovë dhunuan policinë, institucionet, bizneset, bankat dhe terrorizuan Tiranën, të shkosh edhe të marrësh vendime të kësaj natyre besoj se do të ishte një smbrapsje shumë e fortë shtetërore, sepse kryeministri përfaqëson gjithë shtetin.

Kushdo që do të ishte kryeministër nuk duhet të smbrapsej përballë maskave, të cilat kanë mbizotëruar për një kohë të gjatë në vendin tonë. Mendoj që kjo është për dy arsye, e para, ka lexuar drejt kërkesat dhe shqetësimet e qytetarëve që protestuan në 15 ditëshin e parë të Flamingove. Kryeministri zgjidhet me votë dhe janë qytetarët që vendosin kush duhet të zgjidhet. Verdiktin nëse duhet të qëndrojë më në detyrë, duhet ta japin qytetarët përmes votës”, tha mes të tjerash Basha.


Lajmi kryesor:

Urdhri i Ramës për dorëheqjet e drejtorëve, Mazniku: Qeveria plan të vjetër për përmirësimin e mënyrës sesi funksionon meritokracia në procesin e përzgjedhjes në administratë