Urimi i kryeministrit për Vitin e Ri, Rama: Qoftë një vit sa më i mbarë për të gjithë shqiptarët!  Më të keqen e lamë pas, më të mirën e kemi përpara (VIDEO)

Në prag të ndërrimit të viteve kryeministri Rama ka uruar të gjithë shqiptarët për Vitin e Ri 2021. Rama fillimisht e nisi me sfidat që është përballur Shqipëria gjatë këtij viti që nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 e deri tek pandemia e koronavirusit.

Ai thotë se më të keqen tashmë e kemi lënë pas ndërsa më e mira na pret përpara në një vit të ri duke uruar mbarësi për të gjithë shqiptarët.

Po mbyllet edhe ky vit dhe si në asnjë vit tjetër në jetën tonë, festat e këtij fundviti po i kalojmë mbyllur herët në shtëpi. As meshat e mesnatës së Krishtlindjeve nuk ndodhën dot, as mesnata e fishzekzjarreve në sheshet mbushura plot me njerëz qyteteve tona, nuk do të ndodhë këtë herë.  Ky ishte viti ynë më i vështirë, si banorë të këtij vendi e si qytetarë të kësaj bote. Për ne shqiptarët ardhja e Armikut të Padukshëm ishte një kafshatë e mezikapërdishme, pas tërmetit katastrofik të një viti më parë.  Humbje jetësh e lëndime të mëdha njëra pas tjetrës dhe një presion i jashtëzakonshëm psikologjik mbi të gjithë familjen tonë të madhe; gjyshër e gjyshe të kërcënuar në jetën e tyre, fëmijë të penguar në përditshmërinë e tyre, të reja e të rinj të pamundur në shkollimin normal të tyre, prindër të ndaluar në punën e tyre dhe mes tyre mijëra e mijëra që e humbën vendin e punës me muaj të tërë...  Ky vit ishte një nga ato lloj sfidash që rrëzojnë elefantë kur i thonë dhe jam krenar për të gjithë ju, njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, siç jam krenar edhe për bluzat tona të bardha në radhën më të parë, sepse falë tyre e falë jush, ne qëndruam, rezistuam, luftuam, e po ia dalim që të dalim më të fortë nga kjo luftë kaq unikale në historinë e jetës sonë.  Ne qëndruam dhe i rezistuam goditjes së egër të tërmetit, e sot shkollat e shembura po rilindin jo vetëm pakrahasimisht më të bukura e shumë të sigurta, po edhe  me hapësira të reja që garantojnë bërjen e mësimit me vetëm një turn për të gjithë nxënësit dhe zgjerimin e aktiviteteve sportive e jashtëmësimore në zonën brenda shkollës, jo vetëm për nxënësit po edhe për komunitetin.

Po rilindin përditë më të bukura e më të forta edhe shtëpitë e familjeve të mbetura pa strehë në natën tragjike të një viti më parë. Familjet e varfëra të periferive e zonave rurale ishin ato që u goditën më keq dhe nuk ka kënaqësi e krenari më të madhe për mua, sesa hapja e dyerve të shtëpive të reja për ta, me mbështetjen financiare qind për qind nga qeveria jonë, e cila tregoi karakterin e saj të fortë social e solidar në këtë vit rezistence të madhe ndaj dy goditjeve të njëpasnjëshme. Puna vazhdon, çdo ditë, falë 25 mijë punëtorëve dhe qindra kompanive shqiptare, të angazhuara si një trup i vetëm, deri në hapjen e derës së fundit për familjet e prekura nga tërmeti. Ndërkohë vazhdon, çdo ditë, përpjekja jonë për të siguruar vaksinën kundër Armikut të Padukshëm dhe nisur vaksinimin fillimvitin e ardhshëm, sipas planit strategjik të hartuar nga autoritetet shëndetësore, ku si kudo në botë, do të nisim me grupet më të rrezikuara, bluzat e bardha, pastaj mësuesit, efektivët e policisë si edhe moshat më të mëdha. Vaksina sigurisht do të jetë falas dhe jo e detyrueshme. Por kjo luftë nuk pritet të mbarojë para fundvitit të ardhshëm dhe natyrisht që vaksinimi do të ndikojë jashtëzakonisht në afrimin e fundit të saj. Ndërkohë ne do të mbështesim deri në fund me paketat bazë të sëmurët që do trajtohen në shtëpi, si edhe do t'u japim çdo muaj dyfishin e pagës aktuale, familjeve në ndihmë ekonomike. Viti i Ri do të jetë viti i parë me zero taksë mbi fitimin për 110 mijë biznese të vogla dhe 46 mijë prej tyre do të kenë edhe zero tvsh. Si askund tjetër në rajon! Nga janari bluzat e bardha do të paguhen 40% më shumë në muaj dhe paga e mësuesve do të jetë 15% më e lartë. Jo vetëm mjekët e infermierët, po edhe mësuesit e Shqipërisë meritojnë mirënjohjen e respektin tonë më të madh, për punën e tyre vetëmohuese në këtë vit kaq të vështirë. Jemi krenarë për ta! 

Ky vit e ka goditur fort ekonominë dhe punën kudo në botë, ashtu sikundër ka goditur e lëkundur fort sistemet shëndetësore të mbarë botës. Por imagjinojeni vetëm për një çast sikur dy goditjet e mëdha ekstra, përveç problemeve të trashëguara e halleve të përditshme, të na kishin ndodhur 7 vjet më parë apo të na kishin gjetur si 7 vjet më parë! Do të ishte krejt e pamundur të përballonim qoftë pasojat e tërmetit e qoftë plagët e pandemisë. Por ne po i përballojmë falë bazës së re që kemi ngritur, qoftë në ekonomi e qoftë në shëndetësi. Dhe ndërkohë, edhe në këtë vit kaq të vështirë, kemi vazhduar të bëjmë përpara, me infrastrukturën rrugore, shëndetësore, shkollore, me rritjen e bizneseve të vogla të cilat sot në nëntor ishin 2965 më shumë sesa në janar para fillimit të pandemisë, si edhe të pagës minimale, që nga janari do të jetë 300 mijë lekë. E di fort mirë  motra e vëllezër se rruga jonë e përbashkët është ende e përpjetë dhe ka ende shumë pengesa për të kapërcyer e shumë punë për të bërë. Por më besoni se falë karakterit tonë dhe bashkimit të fuqive tona, më të keqen sot e kemi lënë pas krahëve dhe më të mirën e kemi të gjithë përpara! Gëzuar Vitin e Ri miq! Dhe qoftë ky i riu një vit sa më i mbarë për ju e për familjet tuaja dhe kjo dekadë e re që po fillon, qoftë dekada më e mbarë e historisë sonë, për Shqipërinë e për shqiptarët! Zoti i bekoftë shqiptarët kudo ku janë, Zoti e bekoftë Shqipërinë!


Lajmi kryesor:

Politika uron shqiptarët/ Rama: Të keqen e lamë pas, të mirën e kemi para! Basha: 2021 viti i ndryshimeve! Punonjësit e Bashkisë Tiranë, kërcim në emër të jetës


E.M./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja