Kritikat e kryebashkiakut socialist të Lezhës Pjerin Ndreu, ishin të forta në drejtim të qeverisë që thotë se po e lë pushtetin vendor pa kompetencat kryesore.
“Po uzurpohen kompetencat e bashkive, po kthehen në xhepa të qeverisë”, ka thënë ndër të tjera Ndreu.
Gjatë dëgjesës me komisionin e reformës territoriale që nisi nga Lezha 2 ditë më parë, Ndreu ngriti 3 shqetësime kryesore: Centralizimin e ujësjellësit, dhënien e lejeve për stacionet e plazhit jo më nga bashkitë po nga ministria e turizmit dhe kufizimin e bashkive për të mos dhënë leje ndërtimi për godina mbi 6 kate.
I pyetur nga Report TV pas mbledhjes së qeverisë, Ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo tha se komisioni i reformës territoriale do të trajtojë çdo shqetësim, veçanërisht ato për kompetencat e bashkive.
“Mendimet e të gjithë aktorëve por jo vetëm, të gjithë të jenë të përfshirë dhe të japin qëndrimet e tyre sa i përket reformës dhe për ato që janë konstatuar në 10 vitet e fundit. Besoj që ka shumë për të diskutuar për çështjet që kryetari i bashkisë Lezhë ka ngritur. Komisioni është aty për të adresuar disa elementë që kanë të bëjnë me funksionet e bashkive”, tha Demo.
Qëllimi i qeverisë dhe komisionit tha Demo nuk është të uzurpojë kompetencat, por të ketë bashki të forta.
“Kuptohet që qeveria qendrore nuk do të bjerë gjithnjë dakord me bashkitë. Ajo që duhet të garantojmë është që bashkitë duhet me ato çfarë kanë, kompetenca të deleguara apo që burojnë nga ligji, të jenë më të forta dhe të ofrojnë shërbime më të mira në territor. Besoj që do të dëgjojmë shumë kryetarë dhe aktorë të tjerë në territor që mund të kenë qëndrime të ndryshme për reformën apo elementët”, tha Demo.
Pas mbledhjes së qeverisë, Demo njoftoi gjithashtu se janë miratuar zonat prioritarte për 4 bashki të reja, duke e çuar në 40 totalin e bashkive që janë gati për të trajtuar interesin e qytetarëve mbi paketën e maleve.
Komente











Kthejini popullit shqiptar LLOTARINË KOMBËTARE SI BËN GJITHË EVROPA. Kështu mbetet për ata që marrin médalje, gjithë klubet e shoqatat sportive, për mësuesit e sportit dhe klubet amatore!!!!
Përgjigju