Kritikat e kryebashkiakut socialist të Lezhës Pjerin Ndreu, ishin të forta në drejtim të qeverisë që thotë se po e lë pushtetin vendor pa kompetencat kryesore.

“Po uzurpohen kompetencat e bashkive, po kthehen në xhepa të qeverisë”, ka thënë ndër të tjera Ndreu.

Gjatë dëgjesës me komisionin e reformës territoriale që nisi nga Lezha 2 ditë më parë, Ndreu ngriti 3 shqetësime kryesore: Centralizimin e ujësjellësit, dhënien e lejeve për stacionet e plazhit jo më nga bashkitë po nga ministria e turizmit dhe kufizimin e bashkive për të mos dhënë leje ndërtimi për godina mbi 6 kate.

I pyetur nga Report TV pas mbledhjes së qeverisë, Ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo tha se komisioni i reformës territoriale do të trajtojë çdo shqetësim, veçanërisht ato për kompetencat e bashkive.

“Mendimet e të gjithë aktorëve por jo vetëm, të gjithë të jenë të përfshirë dhe të japin qëndrimet e tyre sa i përket reformës dhe për ato që janë konstatuar në 10 vitet e fundit. Besoj që ka shumë për të diskutuar për çështjet që kryetari i bashkisë Lezhë ka ngritur. Komisioni është aty për të adresuar disa elementë që kanë të bëjnë me funksionet e bashkive”, tha Demo.

Qëllimi i qeverisë dhe komisionit tha Demo nuk është të uzurpojë kompetencat, por të ketë bashki të forta.

“Kuptohet që qeveria qendrore nuk do të bjerë gjithnjë dakord me bashkitë. Ajo që duhet të garantojmë është që bashkitë duhet me ato çfarë kanë, kompetenca të deleguara apo që burojnë nga ligji, të jenë më të forta dhe të ofrojnë shërbime më të mira në territor. Besoj që do të dëgjojmë shumë kryetarë dhe aktorë të tjerë në territor që mund të kenë qëndrime të ndryshme për reformën apo elementët”, tha Demo.

Pas mbledhjes së qeverisë, Demo njoftoi gjithashtu se janë miratuar zonat prioritarte për 4 bashki të reja, duke e çuar në 40 totalin e bashkive që janë gati për të trajtuar interesin e qytetarëve mbi paketën e maleve.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:50
Rriten shpërblimet për sportistët elitarë, Gonxhja: Rritet me 43% trajtimi ushqimor ditor, mbështetje dhe për trajnerët

 

Ministri për Turizmin, Kulturën dhe Sportin Blendi Gonxhja tha se në mbledhjen e sotme të qeverisë është marrë vendimi për të rritur shpërblimet për sportistët elitarë. Ky vendim do të hyjë në fuqi brenda këtij muaji.

“E para është miratimi i një vendimi qeverie që rrit ndjeshëm mbështetjen për shpërblimet për sportistët elitarë dhe trajnerët e tyre. Është një vendim që garanton një skemë më të drejtë të shpërblimeve për sportet me disa disiplina dhe se do të ketë efekt nga muaji prill 2026. Rritet në 75% masa e shpërblimit mbështetja për sportet jo olimpike. Rritet me 25% e masës së shpërblimit për trajnerët e sportisteve elitarë. Rritet me 43% trajtimi ushqimor ditor për sportistët elitarë. Ishte 3500 lekë mbështetja në ditë dhe shkon 5000 lekë në ditë.

Kemi një rritje deri në 65% për stile të veçanta dhe kemi rritje deri në 100% për rezultatin përfundimtar. Kjo është në ato raste kur kemi gara apo sporte që kanë edhe stile të veçanta. Në total shpërblimi mund të shkojë në rast se del në rezultatet më të larta sipas skemës deri në 230%.

Ka një rritje deri në 200% ose trefishim për disa kategori rezultatesh në kampionate evropiane. Ka një rritje mesatare në 50 deri në 100% në përgjithësi për të gjitha rezultat e tjera. Ka një rritje 100% ose dyfishim për kategori lojërash olimpike dhe kampionate botërore me rritje për gara mesdhetare dhe ato ballkanike”, tha ministri Blendi Gonxhja.