Shembja e objekteve në zonën pas katedrales në qytetin e Lezhës, i ka hapur rrugë ndërtimit te qendrës së moshës së tretë me kuzhinë ditore, si dhe krijimit të mjediseve atraktive për qytetarët.
Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, iu përgjigj pretendimeve të banorëve dhe akuzave politike duke thënë se kjo hapësirë dhe godinat kanë qenë në pronësi të bashkisë dhe është vepruar konform ligjit. Ai shtoi se u është ofruar bonusi i qirasë 13 familjeve, të cilat gjithashtu do të jenë pjesë e programit të strehimit.
“Është një kompleks që nuk ka shoq në Shqipëri, është pronë e bashkisë Lezhë. Kemi një vit që komunikojmë me banorët, u kemi ofruar alternativa, bonusin e qirasë, kreditë e buta kush plotëson kriteret dhe kemi një alternativë tjetër, së shpejti firmosim me Entin e Banesave një ndërtim pallati ku do t’i japim përparësi akomodimit të tyre”, tha Ndreu.
Ndreu tha se transformimi i kësaj zone do të përfundojë brenda vitit 2027 dhe punët për zhvillimin e qytetit nuk do të ndalen.
“Po prekim disa aspekte që kanë qenë njollë në zhvillimin e këtij qyteti. Shikoni sistemin e kanaleve të ujërave të zeza, të bardha, sistemin e rrugëve, projektet e sinjalistikës, lulishteve, parkimit, dy pedonaleve”, tha Ndreu.
Projekti është paralajmëruar që një vit më parë, kur familjet janë njoftuar për largimin vullnetar nga kjo pronë. Investimi që do të përfundojë brenda vitit të ardhshëm, kap vlerën e rreth 3 milionë eurove dhe financohet përmes një donacioni nga një shoqatë.
Komente









