TIRANE- Në një intervistë telefonike për Shqiptarja.com mbrëmjen e djeshme, Tomorr Patrioti, vëllai i koordinatorit të arrestuar të grevës Asllan Patrioti është shprehur se autoritetet policore nuk kanë lejuar asnjë familjar të takohej me Asllanin, madje ka shtuar se në polici nuk i kanë dhënë as shpjegime në lidhje me arsyet e arrestimit të tij. Gjatë intervistës Tomorr Patrioti është shprehur se në Drejtorinë e Policisë së Tiranës është kontaktuar edhe nga një grua e cila ishte paraqitur si mikesha e shtetasit italian Massimiliano Nicolini, e cila i kishte thënë se shtetasi italian nuk kishte bërë asnjë denoncim ndaj Asllan Patriotit.

Zoti Patrioti, keni kontaktuar ju me vëllanë tuaj të arrestuar Asllan Patriotin?

Jo nuk kam mundur dot ta kontaktoj. Kam tentuar gjithë ditën, sa te Drejtoria e policisë së Tiranës ku e mbajnë të arrestuar sa te komisariati nr.1 por nuk kam mundur dot ta takoj sepse nuk më kanë lejuar.

Keni kërkuar shpjegime tek ndonjë zyrtar i policisë?

Po ç'farë shpjegimesh, kush na pyet neve. Një polic te dera më tha se s'ka shanse me e taku. Por nuk mora dot vesh edhe arsyen e arrestimit edhe pse si rregull duhej të ma thonin.

Nuk ju thanë as pse ishte arrestuar?

Jo mo fare asnjë gjë. I thashë dhe policit te dera që të pyeste eprorët ai erdhi e më tha se nuk mund të më bënte dot të ditur asnjë gjë. Vetëm Skënder Tufa ka mundur ta takojë, por edhe ai me mik mundi të hynte e ta takonte.

Ka pas familjarë të tjerë të Asllan Patriotit sot në polici?

Jo, vetëm unë kam qenë. Gruan e ka në Durrës të sëmurë, ndërsa gocën e ka në Greqi të martuar. Vetëm unë kam qenë.

Policia dhe prokuroria thonë se kanë prova ndaj vëllait tuaj. Thonë se është kapur me 650 euro në flagrancë pasi ka mashtruar një shtetas italian, ju keni dëgjuar gjë?

Nuk di gjë të saktë. Sot një grua erdhi dhe na takoi dhe na tha se ai italiani, ai Massimiliano, a si e ka ai, nuk ka gisht fare në këtë punë.

Kush është kjo zonja që keni takuar, si quhet?

Nuk e di se nuk më tha emër por e morën në polici për ta pyetur, është e afërt me atë italianin më tha. Ajo më foli në emër të Massimilianos dhe më tha që ai nuk ka bërë asnjë denoncim.

Ju vetë keni ndonjë kërkesë në lidhje me vëllanë tuaj?

Dua që ta bëni publike se është një arrestim për motive të qarta që lidhen me grevën. Dua të bëni të ditur ju si media se Asllani nuk ka kërkuar privilegje politike por jemi një shtresë e goditur dhe kërkojmë disa të drejta që nuk kanë lidhje as majtas e as djathtas por janë kërkesa që kanë lidhje me ekonominë. Asllani mund të ketë folur pak ashpër ose mund ta ketë tepruar në ndonjë moment por asnjëherë qëllimi i tij nuk ka qenë politika por shokët e tij që po vuajnë në grevë urie.

Në ç'kuptim ka folur ashpër? Çfarë ka thënë ashpërsisht Asllani?

E kam fjalën për ndonjë deklaratë që mund të ketë qenë ofensive apo pak e tepruar ose që mund të jetë lexuar si sfidë nga qeveritarët, por është dhe tensioni dhe lodhja psikologjike pasi ata njerëz kanë javë që vuajnë aty.

(Intervista u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)