TIRANE - Policia u ka bërë thirrje drejtuesve të automjeteve që të tregohen të kujdesshëm kur të jenë në timon pasi moti i keq ka vështirësuar qarkullimin. Aksi problematik paraqitet ai Elbasan-Tiranë i cili është ‘pushtuar’ nga mjegulla.

Policia gjithashtu ka bërë apel që makinat që qarkullojnë në atë aks të ndezin dritat e mjegullës dhe drejtuesit të lëvizin me shpejtësi të ulët.

Më e vështirë situata është në komunën Grancen, në të cilën mjegulla është shumë e dendur. Si pasojë në këtë vend është zvogëluar tepër rrezja e shikimit për drejtuesit e automjeteve.

RRESHQITJA E DHERAVE BLLOKON AKSIN ELBASAN-LIBRAZHD

Rrëshqitja e një sasie të madhe gurësh nga skarpatet anësorë të maleve ka krijuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve gjatë 24 orëve të fundit në aksin Elbasan-Librazhd. Segmenti më problematik është ai i urës së Murrashit ndërsa policia rrugore ka ndërhyrë për normalizimin e situatës.

Aksi merr rëndësi për shkak se shërben si urë lidhëse me doganën e Qafë Thanës. Njëri sens drejtimi është pjesërisht i bllokuar për mjetet, duke shkaktuar edhe një trafik të rënduar për orë të tëra.

Policia e Elbasanit u ka bërë thirrje drejtueseve të automjeteve që të shmangin kalimin gjatë orëve të vona të natës, sidomos kur ka reshje të dendura shiu, pasi në këto kushte rrëshqitja e dherave është e pashmangshme.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)