Në koleksionin e revistës Nëntori, që nga vitet ’60 e deri në fund të viteve ’80, mund të hasësh emra pafund shkrimtarësh, poetësh e artistësh, që ‘mbretëruan’ hapësirën e letërsisë dhe arteve si në atë epokë por edhe pasuesen. Shkrimtarë dhe artistë që në një mënyrë a në një tjetër i kanë shërbyer sistemit për të qëndruar në këmbë e për të ushqyer mendjet e shqiptarëve me atë ideologji.
Ata shkrimtarë dhe artistë çuditërisht i gjen mjaft aktivë edhe pas ndërrimit të sistemit.
Botojnë, krijojnë në fushën e muzikës, të arteve pamore, në skenë dhe në ekrane televizionesh.
Jo rrallë e rreshtojnë emrin e tyre në peticione për kauza të caktuara në shërbim të politikës. Sërish në shërbim të politikës, 20 a më shumë vjet pas përmbysjes së diktaturës….!!!!
Rikthehemi tek koleksioni i “Nëntorit”, të cilit gazeta jonë do t'i rreferohet shpesh këto kohë.
Tek e shfletojmë na dalin para sysh emra të njohur shkrimtarësh dhe artistësh. Ja disa emra shkrimtarësh: Dhimitër Shuteriqi, Llazar Siliqi, Aleks Çaçi, Shefqet Musaraj, Sterio Spase, Dhimitër Xhuvani, Gjergj Zheji, Fatmir Gjata, Kolë Jakova, Nonda Bulka, Petro Marko, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Xhevahir Spahiu, Naum Prifti, Ndoc Papleka, Fatos Arapi, Frederik Rreshpja, Zija Çela, Besnik Mustafaj, Mimoza Ahmeti, Teodor Keko, Visar Zhiti, Moikom Zeqo, Mujë Buçpapaj…e lista do të vijonte gjatë nëse do të përmendeshin të gjithë.
Dikush shkruan për frymëzime rinore me atmosferë revolucionare, dikush për Partinë dhe arritjet e mëdha, për Enver Hoxhën, Stalinin, Leninin, dhe dikush, diku guxon të shfaqë edhe një frymë disi moderne, apo lirike…
Disa shkrimtarë thonë sot se të botoje për Partinë dhe Enverin, ishtë një pasaportë për botime të tjera të vlefshme. Në këtë këndshikim, kjo i ka vlejtur letërsisë dhe arteve, për të nxjerrë në dritë edhe vepra të bukura.
Dikush tjetër thotë se kjo dukuri (shërbestaria) ka lindur si nevojë për t'i shpëtuar burgut, internimit, njollave në biografi që ua linin të afërm të arratisur, apo klerikë….
Dikush e mohon katërcipërisht t'i ketë shërbyer sistemit, me apo pa dashje, dikush tjetër ndërsa rrëfen krijimtarinë e asaj kohe, le si padashur pa përmendur ndonjë mëkat (shkrimor)…
Por ndërsa lexon këtë koleksion reviste (dikujt që ja zura në gojë tha: aty kanë shkruajtur të përkëdhelurit e Partisë…), sidomos në disa numra kushtuar përvjetorëve të caktuar, nuk gjen asgjë tjetër veçse art shërbestar. Arsyeja e krijimit të kësaj letërsie dhe e këtij arti, mund të ketë qenë individuale për seicilin prej tyre.
Megjithatë një analizë e së tërës, duke kundruar edhe rrugën 20-vjeçare pas rënies së regjimit, na ngre pikpyetje të mëdha edhe për këto arsye. Nëse u përmendën pak më lart peticionet e artistëve të këtyre viteve tranzicion, nuk u përmendën më kot.
Shërbestaria është gjallë. Adhurimi dhe bindja ndaj më të fuqishmit, po ashtu. Politika mbretëron edhe sot pas kaq vitesh.
Kjo retrospektive përmes faqeve të revistës “Nëntori” thjeshtë do të rifreskojë kujtesën e lexuesve të thjeshtë, të atyre që i kanë hasur dikur këto krijime, por edhe të lexuesve të rinj që nuk e kanë jetuar atë regjim e shpesh rrëfimet për të ngjajnë tejet fantastike…. Javën e shkuar zgjodhëm një numër special të “Nëntorit”, kushtuar 100-vjetorit të lindjes së Leninit, nga ku shkëputëm dy poezi të Ismail Kadaresë dhe Xhevahir Spahiut. Ndërsa këtë javë do të botojmë krijime kushtuar vdekjes së Enver Hoxhës, marrë nga numri 4. i prillit 1985. Sot kemi dy poema të Dritëro Agollit dhe Ndoc Paplekës, ndërsa në ditët në vijim vijnë emra të tjetër poetësh e shkrimtarësh…
Dritëro Agolli
Elegji për Enver Hoxhën
1.
Ish i rëndë dimri i sivjetshëm
Dhe pranvera erdhi me mundim
Erdhi përmes shirash të rrebeshëm,
Erdhi me një det me hidhërim.
Falmë Enver, që vargu m’u rëndua,
Falmë, Enver, që fjalët s’i them dot;
Shqipërisë zemra iu lëndua,
Shqipëria jote po derdh lot.
Shqipëria Jote s’i kish parë
Mbyllur as në gjumë syt e Tu,
Qielli i ballit Tënd me yj të larë
Ndriti dhe nga retë nuk u zu…
Falmë, Enver, që po përmend në vjershë
Fjalën vdekje mbushur gjëmë e zi,
Fjalën vdekje Ti në varg s’e deshe,
Deshe jetën në çdo poezi.
2.
Malet heshtin, malet ulin kryet,
Roje rrinë në arkivolin Tënd,
Janë vrejtur pishat nëpër pyjet,
Po rënkon çdo plis e gur e shkëmb.
Eh, shiriti i zi, një ton me hekur
Më rëndon në krahun tim, Enver,
Shqipëria s’të sheh dot të vdekur,
Ndaj lumejtë e pikëllimit derdh…
Falmë, Enver, nga dhimbja s’jam i qetë,
Falmë Enver që kaq i dobët jam!
Paska çaste kur njeriu I shkretë
Veten se pushton e dot s’e mban!
3.
Falmë, Enver, kam bërë dhe gabime,
Nëpër fluturime si nëj zog,
Ndofta të kam sjellë dhe shqetësime
Ndofta të kam thinjur ndonjë flok!...
Ti na rrite dhe na bëre burra,
Rrite çdo të ri dhe çdo plak,
Ecëm nëpër male, shkrepa, gurra,
Ndezëm komunizmin prag më prag.
Ne me ty, me dorë i kapëm yjet
Dhe i vumë përmbi Shqipëri;
Ne me ty s’I ulëm kurrë kryet
Nëpër gjysmëshekullin e ri.
Falmë, Enver, që kryet i kam ulur
Dhe ec rrugës dhe nuk vij në mënd;
Neve, që furtunash jemi turrur,
Çdo qelizë e trupit sot na dhëmb!
4.
Vallë a do mësohemi njëherë
Pa të patur pranë dhe mes nesh,
Bora nëpër male kur të bjerë,
Dielli kur të dalë midis nesh,
Plisat kur të ngrihen në luginat,
Fushat kur të vishen me flori,
Kur të nisë Komani turbinate,
Kur të mbushet plot liqeni i ri,
Kur të zgjohet herët Gjirokastra
Dhe të hapen portat në sokak,
Kur shamitë e nuseve buzarta
Flokëve të çelin si zëmbak,
Kur të mblidhen shesheve fëmijët
Tok si luleshqerrat në livadh,
Kur si zjarr të ndizen karafilët
Dhe në gjoks të derdhet malli i madh,
Kur Një majet duart të trokasin
Mbushur plot me lule dhe me gaz,
Kur pëllumbat kopshtit të gugasin
Dhe të rrahin krahët në pullaz,
Kur Tirana mes përmes të dritave
Të lundrojë natën si në det,
Kur shtëpitë e ëndrrës së petritave
Të na duket sikur dikë pret,
Kur të vijnë Kongreset e Partisë
Me hap komunizmi ngadhnjimtar
Dhe të ndritë balli i Shqipërisë
Me flamurin Tënd të ngritur lart…
5.
Falmë, Enver, që frymë dot s’të dhashë
Nga kjo frymë e gjallë e gjoksit tim!
Zemrën time do ta nxirrja jashtë
Të ta jepja Ty me ngazëllim!
Ç’them dhe unë e ç’vargje hedh ën letër!
Fjalët më përzihen, sigurisht!
Vallë a mos jam bërë njeri tjetër
Dhe harroj që jam një komunist?
Jo, Enveri s’vdiq e s’është i vdekur,
Është i gjallë e ndër të gjallë rron,
Ngrihet sipër malesh kreshtëhekurt
Dhe armatën komuniste çon.
Si profet ngre kokën madhështore
Dhe rrudh ballin mbushur me mendim,
Dhe na thotë njihni veç fitore,
Pastë nder e dritë vendi im!
Dhe na thotë: ruajeni Partinë,
Që e lidhëm më dyzetenjë,
Jam mes jush, mes brezave që vijnë,
Jam me mendje, frymë dhe me zë!
6.
Falmë, Enver, që jam trishtuar shumë,
Ndofta kam përlotur ndonjë varg,
Jam njeri me mish e gjak dhe unë,
Ndonëse shoh si komunistët larg.
Unë e di se zemra Jote e madhe
Di të falë, e mua ti më fal
Si poet u preka kësaj radhe
Dhe në gjoks një lëmsh me lot m’u ndal.
Jam krenar që rrojta me Ty bashkë
Dhe jam bashkëkohas tok me TY,
Nëpër popull shpirtin tënd e pashë,
Pashë pranë të pavdekshmit sy!
Jam krenar që gjendem në armatën,
Që e ke ngritur Ti si arkitekt,
Kjo armatë mprehur e mban shpatën,
Se ia mprehe Ti mbi dyzet vjet…
Ndoc Papleka
Cingërimë në prill
Cingërimë e tmerrshme këtë mëngjes me diell
në të hyrë të prillit
Një lajm i befasishëm, i pabesueshëm
që zemra s’don ta pranojë.
“Shoku Enver ka vdekur”. Jeta për një çast sikur u mpi
I zuri ngërçi zemrat, duart, buzët, fjalët…
Në çdo pemë të lulëzuar u ul një korb. Në çdo lule
u lidh një fjongo e zezë.
Dhe qielli ishte me re si një bebëz
e trubulluar nga lotët.
“Shoku Enver ka vdekur”. Lot. Ngashërima. Ngulçe. Kuje
që gufojnë nga thellësia e qenies.
Por as mendja as zemra nuk duan ta besojnë. Nuk
mund ta besojnë. Nuk i zënë besë.
Mendja dhe zemra e dinë se ky kob
që sillet si një korb jashtë vetëdijes sonë
Pa gjetur një dru të thatë ku të ulet, nuk është i vërtetë…
Shokun Enver e ka zënë një gjumë i rëndë:
vetëm kaq.
***
U drithëruan gurët e kalldrëmeve të Gjirokastrës:
nuk e besuan.
U drithëruan pishat në malet e Çermenikës
nuk e besuan.
U drithëruan shtatoret e të rënëve:
nuk e besuan.
U drithëruan ullinjtë dhe portokallet e Lukovës:
nuk e besuan.
U drithëruan digat e Drinit, themelet e furrnaltave:
nuk e besuan.
U drithëruan llambat e ndezura në Bjeshkët e Nemuna:
nuk e besuan.
U drithërua flamuri në gjysmë shtize: nuk e besoi.
U drithëruan zemrat tona që e deshën: nuk e besuan.
U mbushën sytë tanë me lot: nuk e besuan...
Enveri është pjesë e qenies sonë. Si mund të vdesë Enveri?!
***
E pashë. Ishte shtrirë. Me sy të mbyllur.
I rrethuar me trëndafila.
Ishte hera e parë që kalonim pranë tij
Dhe ai s’na buzëqeshte,
s’na tundte dorën.
Ishte hera e parë që kalonim pranë tij
me ballë të rënduar,
me gojë të kyçur,
duke kafshuar dënesat midis dhëmbëve,
Sepse ai na deshi burrërorë e të fortë si lisat në stuhi...
Ishte e madhe dhimbja ato ditë: s’e nxinte zemra.
S’e nxinin shtëpitë. S’e nxinin fushat e malet.
Ishte e madhe sa bota dhimbja për Enverin.
Dhe ishte e natyrshme ajo zi popullore nëpër rrugë.
Ishte e natyrshme ajo borë e papritur
që zhuriti gjethet e reja e rrëzoi lulet.
Ishte i natyrshëm ai shi që binte mbi supet e kërrusura të maleve e të njerëzve,
Që përcillnin për në varr Enver Hoxhën.
Ishin të natyrshëm e fisnikë ata lot...
***
Po shkon Enveri të çlodhet në tokën e dashur
Si biri i kapitur nga udha që mbështet kokën
në prehër të nënës.
Po shkon Enveri të flejë pranë shokëve:
Të zgjohet çdo ditë në sytë tanë
që shohin me besim të nesërmen.
Të zgjohet çdo pranverë fytyra e tij te blerimi.
Të zgjohet e qeshura e tij te lulet. Të na vështrojë
përmes pemëve të çelura
Si nga ajo fotografia ku ka dal midis oleandrave.
****
Po të sjell lule, shoku Enver!
Krahu më mpihet prej tyre si të ishin prej plumbi.
Do të doja që gjaku im të rridhte nga krahu në to,
Që të mbeteshin përherë të freskëta.
***
Një varr. Mbi pllakën e mermertë: Enver Hoxha.
Nuk është e vërtetë: nuk ka asnjë varr
që ta mbajë Enver Hoxhën.
Nuk ka varr për mendimet dhe idealet e tij:
Enver Hoxha ecën nëpër rrugët e rruzullit
si udhërrëfyes i viteve.
Enver Hoxha thërret: Rroftë komunizmi! Me zërin
e një komunisti që pushkatohet në Kili.
Enver Hoxha flet për kundërrevolucionin me punëtorët
e kantiereve të Gdanskut.
Enver Hoxha shtrëngon dorën me rritësit e ullinjve
në luginat e Greqisë.
Enver Hoxha prin në demonstratë me komunistët danezë.
Enver Hoxha bën planin e një revolucioni të ri
me proletarët e botës…
***
“Shoku Enver u nda nga ne…” këto fjalë
sillen si zogj të hutuar diku jashtë vetëdijes.
Enveri është me ne përgjithmonë, më pranë nesh se kurrë.
Në një kujtim të paharrueshëm. Në një mendim të bukur
e të guximshëm. Në një qëndrim burrëror.
Në vegimin e së ardhmes.
Ai është pranë punëtorëve, bujqve, studentëve,
grave dhe vajzave, ballëhapura.
Ai është në ara duke përkëdhelur bisqet e grurit të ri.
Ai është në uzina ku rrjedh metali i shkrirë.
Ai është në këngë…
Ai hyn në vatrat tona me atë buzagaz të ëmbël,
Me atë shikim plot rreze.
Ai hyn në zemrat tona, siç hyn dielli
Në hapësirat e ditëve.
- Ai nuk ka vdekur! – thonë gjethet e prillit,
që s’mund ti thajë asnjë cingërimë.
- Ai nuk ka vdekur! – thonë zogjtë
që ligjërojnë lis më lis.
- Ai nuk ka vdekur! – thonë hapat e rrugëve,
tymrat që ngjiten përpjetë.
- Ai është gjallë! – thonë shokët që u betuan
para trupit të tij.
- Ai është gjallë! – thonë këta fëmijë
që shkruajnë me zaje: “Pionerët e Enverit”.
- Ai është gjallë! – thotë dielli në qiell,
gjaku në damarë…
- Ai është gjallë – po aq i gjallë sa e nesërmja.
Shkrimi u publikua sot (29.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)