Ky numër special i “Nëntorit” përmbledh ën vetvete edhe shumë krtijime e dedikime të tjera, nga autorë të gjallë e të vdekur, një pjesë prej të cilëve nuk do ti trazojmë (të vdekurit), se në pacin pasur dëshirën të thonë një shpjegim për ato krijime, tashmë s’kanë mundësi ta bëjnë.
Emri që mësuam të parin
Bardhyl Londo
Më të drejtë na dhemb zemra kur na ikën një prind, një shok, një mik, një vëlla. Por kur ndahet prej nesh një njeri i tillë si Enver Hoxha, zemra duhet të durojë shumë. Duhet të durojë dhimbjen e fëmijës kur humbet prindin, atë të prindit kur i vdes fëmija, të mikut për mikun, të vëllait për vëllanë, të shokut për shokun. Sepse Enver Hoxha për ne ishte gjithçka: Ishte prindi i kujdesshëm dhe shoku intim, ishte vëllai që gjendet gjithmonë në çastet e vështira me dorën mbi sup dhe miku i pazëvendësueshëm. Dhe, mbi të gjitha, ishte udhëheqësi mësues që na ka mësuar si të jetojmë e luftojmë, përse të jetojmë e përse të luftojmë, na ka mësuar si të fitojmë.
Ata që e kanë takuar e biseduar me shokun Enver, që i kanë shtrënguar dorën, kanë ç’të kujtojnë e përse të krenohen gjithë jetën. Po në kuptimin e gjerë të fjalës s’ka shqiptar që të mos ta ketë takuar e të mos ketë bashkëbiseduar me udhëheqësin e tij të shtrenjtë, sepse ai hyri dhe mbeti përgjithmonë ashtu, i ulur këmbëkryq, popullorçe, në zemrat shqiptare. Brezi im, i lindur pas çlirimit, bashkë me qumështin e gjirit, thithi edhe dashurinë e pakufishme për Enverin
Ishim të vegjël atëherë kur fjalët e para që mësuam të shqiptonim ishin Enver-Parti. Të vegjël nuk e kuptonim sa duhet rëndësinë e atyre fjalëve, por ama i deshëm me shpirt se ato i donin prindërit, edukatorët, mësuesit. Më vonë e kuptova me të vërtetë gjerësinë e fjalëve Enver-Parti. Kuptova se ç’peshë kanë në jetën e shqiptarit këto fjalë, kuptova se ç’do të thotë ti duash ato. Kuptova se Shqipëria, brenda afro gjysmë shekulli, e udhëhequr nga Enveri, vulosi një epos të pakrahasueshëm. Ndaj, dhe në ditët kur ajo u nda nga biri i saj më i shquar, la në histori një epos të paparë deri më sot: eposin e lotëve.
Në vitet kur fillova rrugën time në jetë, atë rrugë që e ka çdo njeri dhe e zgjedh njëherë e përgjithmonë, e kuptova se rruga e vetme kuptimplote dhe e ndershme është ajo që më tregonte Enveri. Dhe këtë ma thoshin mësimet e tij dhe, po me kaq forcë, ma thoshte gjithë jeta e Tij. Kështu pra Enver u bë fjala e parë dhe e rinisë sime.
Mund të jenë të ndryshme datat e fillimit të krijimtarisë së shokëve të brezit tim, mund të jenë të ndryshme llojet e artit që kanë ndjekur shokët e mi. Por sidoqoftë, ato kanë një pikënisje të përbashkët, unike, vjershën e parë të gjithë e kemi shkruar për Enverin, për Partinë.
Dhe s’kish si ndodhte ndryshe. Enveri ishte fjala e parë e krijimtarisë sonë.
Fjala e parë e fëmijërisë, e rinisë, e krijimtarisë… dhe në çdo rrugë që do të nisim, emri Enver do të mbetet gjithmonë fjala e parë.
Dhe jeta ka provuar një gjë: fjala e parë nuk harrohet kurrë. Varet sa mire e ke mësuar atë, që të arrish të mësosh si duhet të tjerat.
Brezi im pati fatin e madh që gjithçka ta fillonte me fjalën aq të shtrenjtë e kuptimplote: Enver. Prandaj dhe ecja e tij është aq e sigurtë.
Të gjithë e kemi takuar
Zija Çela
Në muzg, kur enden hijet e mbrëmjes dhe ndizen llambat elektrike, kushedi përse, na mundon një mall i çuditshëm dhe sytë vetiu na shkojnë të këndi i dhomës ku jemi mësuar të shohim fotogra… Pahitet drita nëpër thinjat e dhembshura të tij, sikur na flasin sytë e Tij të gjallë, një dridhje e zemrës na sjell fjalët te buza dhe buzët e nxehta duan të thonë: “Mirëmbrëma shoku Enver!”.
Janë të lumtur ata që i kanë shqiptuar këto fjalë pranë Udhëheqësit dhe kanë marrë përgjigje, ata që e kanë takuar dhe kanë shkëmbyer biseda me të. Tani shumëkush shkruan kujtime për Enverin. Shumëkush përpiqet të sjellë ndërmend si hyri ai në familjet e tyre.
Disa kujtime të drejtpërdrejta nuk kanë, por kjo s’do të thotë se nuk e kanë takuar. Nana përshembull mbante përmbi oxhak një fotografi të tij, pa kornizë dhe pa xham. Të gjithë shkojnë në punë thoshte, unë mbetem vetëm dhe flas me Enverin. Po të ketë xham, Ai s’mudn të më flasë, unë nuk mund ta preki. Ato ditë kur do të vdiste, i drejtohej fotografisë: “Enver, unë motra jotë e madhe, ti vëllaj jem i vogël: mos e len motrën me t’ikë”.
Duke pasur intuitën e përjetësisë së Tij besonte e shkreta se Enver Hoxha mund ti bënte njerëzit edhe të pavdekshëm. Ky ka qenë për mua një nga takimet më prekëse me Udhëheqësin: takimi me anën legjendare të Tij.
Unë nuk kam takime të drejtpërdrejta por… im bir përshembull e ka takuar që kur ishte tremuajsh. Atëherë ishte maj i vitit 1970. shoku Enver kishte ardhur në Has. Midis të tjerash Dritëro Agolli, që e shoqëronte si gazetar, do ta përshkruante edhe atë çast te “Zëri i Popullit”. E mori fëmijën në krahë dhe pyeti: “Si e ka emrin?” “Dritan” i thanë. Krahina sapo ishte elektrifikuar dhe ai tha: “Dritat e Hasit!... kur do të bëhem dhe unë me një nip si Dritani!”. Tash pesëmbëdhjetë vjet më vonë, pra pas vdekjes së tij, mora vesh se Enver Hoxha kishte një nip vërtet me emrin Dritan. Ky qe prapë një takim për mua, por kësaj here me një anë tjetër të figurës së tij: vëmendjen mallëngjyese, thjeshtësinë tronditëse të Udhëheqësit.
Thuhet se shqiponjës i mjaftojnë dy krahët e fuqishëm për t’u ngjitur shumë lart. Gjenialiteti i tij kishte krahë të shumtë. Prandaj nëse nuk arritëm të gjithë ta takonim, patjetër Ai na ka takuar të gjithë. Enver Hoxhën do ta takojnë dhe ata që kurrë se panë së gjalli fytyrën e tij të dashur, fëmijët e brezat që vijnë. E sotmja do ta çojë vazhdimisht drejt së ardhmes veprën e Tij dhe e ardhmja vazhdimisht do ta tërheqë emrin e Enver Hoxhës.
Jashtë janë shpeshuar hijet e mbrëmjes. Gjysma e botës e ka lidhur tashmë shiritin e zi, gjysma tjetër do ta lidhë nesër. Një mall i çuditshëm na mundon, ndërsa fotografia e tij pahitet në dritën e llambës elektrike. Është drita që vjen nga hidrocentralet tona, të cilat mbajnë emrat e klasikëve të marksizëm-leninizmit dhe të “Dritës së Partisë”. Nesër ajo do të vijë edhe nga hisdrocentrali i Komanit, që mban emrin e tij. Por ne kujtohemi për atë dritën tjetër, të cilës nuk mund ti vihet cak, dritën që buron nga librat e Enver Hoxhës, rresht e rresht, si pesëdhjetë, gjashtëdhjetë, shtatëdhjetë, njëqind turbina për qindra vjet.
Këngë për Enver Hoxhën
Vetëm Datëlindje
Moikom Zeqo
O provë e dhimbjes më të madhe të kombit
e arrite më në fund ti kulmin tënd!
Enver Hoxha e largon çdo vdekje,
si drita që terrin largon.
O dhimbje e popullit, o klithmë, o gjëmë!
U çua Ajkuna sipas ligjit të lashtë,
i harroi ajo shtatë Omerët e vdekur,
i harroi ajo gjithë të vdekurit një çast.
Po dhimbja e paparë i tejkaloi legjendat,
Te secili nga ne, grua e burrë,
Fëmijë a i moshuar Ajkuna u shfaq,
Gjithë lotët e shekujve i ndien në sy.
Enver Hoxha vdiq, po është Partia,
Krijuesi mbijeton te krijesa e tij!
Në zemrat tona kripta e pavdekësisë
Ka mure vetë horizontet e pranverës
Mbas 11 prillit 16 tetori vjen,
vjen 8 nëntori e jubiletë e lirisë,
Ka vetëm një fillim që njeh pafundësi,
është një datëlindje e madhe, e pashlyeshme,
një djep i shekujve ku lindin papushim
fëmijët e brezave, është kryekënga
që e këndojmë në koralen komuniste.
Kjo ditë kuq e zi
Demir Gjergji
Kjo ditë – fjongo zie
Në gjoksin e prillit!
Enver Hoxha është shtrirë dhe hesht.
Gjëmimet e tokës mban vesh.
Kjo ditë – fjongo zie
Në gjoksin e prillit
Shkëmbi nën borën e dimrit
Ngrohet nga lotët
E shkrin.
Dhe ngrihet shkëmb më këmbë sërish,
Monument për Enver Hoxhën.
Kjo ditë – fjongo zie.
Në gjoksin e prillit.
Dheun nën lulet e barin e njomësht
Gjallon me rrahjet e zemrës së Tij.
E rrënjët e trungut të moçëm
Tendosen prej dhimbjes dhe ecin.
Kjo ditë- kuq e zi
Në zemrën e prillit.
Në degët që mbajnë flamurin
Me yllin që ndrit dhe shqiponjën
Me sythat e rinj të kurorës
Betime dhe epose çelin.
Kjo ditë- kuq e zi
Në zemër të kombit!
Mujo Buçpapaj
Shoku Enver
Hapësirë, dritë që na rrethon
Që rrjedh në ne. Që
këndon pastaj në gjeth e bar,
në gur dhe dru. Diell
që shndërron në sofrat tona
erën dhe udhën
stinën dhe kohën
Në përbetim të qartë bese dhe njeriu,
Në besë të shkruar mbi faqe të dheut
Nis e sos prej gjakut tonë.
Përbetimi ynë dhe përbetimi i gurit
që gdhend emrin tënd,
Përbetimi i hapësirës që shumëfishon
Të gjithë tingujt e tu të qartë,
Përbetimi i dheut
Që ruan përmasat prej njeriu tokësor,
Të thjeshtë si komunist.
Shkrimi u publikua sot (30.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)