Ndonëse janë ndër zonat me prodhimin më cilësor të vajit të ullirit në vend, fshatrat e Mallakastrës po përballen me sasi të mëdha stoku në depot e tyre.

Sezoni i kaluar solli prodhim të bollshëm dhe cilësi të lartë, por mungesa e tregut e ka bërë të vështirë shitjen, duke i vendosur fermerët në vështirësi ekonomike.

“Kam 3 kuintal pa shitur dhe po rrinë aty stok. Unë s’kam asnjë të ardhur dhe shteti nuk na ka ndihmuar”, thotë fermeri.

Sipas kultivuesve, vaji i ullirit mbetet burimi kryesor i të ardhurave për shumë familje. Ata kërkojnë ngritjen e një pikë grumbullimi dhe mbështetje nga shteti për krijimin e një marke, si një hap i domosdoshëm për të hapur rrugën e eksportit.

“Në një vit 15 kuintal vaj kam shitur vetëm 2 kuintal”, thotë një tjetër.

“Më kanë mbetur 3 kuintal vaj, nuk po nxjerrim dot shpenzimet. Jam pensioniste nuk kam të ardhura të tjera”, tha një tjetër.

Fermerët thonë se kostot e larta, nga mirëmbajtja e ullishteve deri te përpunimi në fabrikë, e bëjnë të pamundur shitjen e vajit me çmim të ulët, pasi rrezikojnë të dalin me humbje.

“Populli ka ngelur në mes të rrugës, nuk dimë ku ta çojmë vajin. Shpresojmë të kemi një firmë dhe shteti të ndërhyjë dhe të shesim vajin”, shprehet fermeri.

Kultivuesit e Mallakastrës paralajmërojnë se, nëse situata nuk ndryshon, do të detyrohen të heqin dorë nga kultivimi i ullirit, një kulturë që prej vitesh ka qenë shtyllë e ekonomisë lokale. Sipërfaqja e mbjellë me ullinj në bashkinë e Mallakastres llogaritet rreth 7,000 deri ne 8,000 hektarë.