Festivali 'Vajza Fest', i organizuar në fshatin Vajzë të Selenicës në Vlorë, ka përballur kryeministrin Edi Rama me kryebashkiakun socialist të Selenicës, Nertil Bellaj, të cilët kanë qëndrime të ndryshme për hartën e re territoriale (pasi Bellaj kundërshton shkrirjen e Bashkisë Selenicë me Vlorën).

Në fjalën e tij, kryebashkiaku i Selenicës, Nertil Bellaj, teksa vlerësoi aktivitetin, foli edhe për bukuritë natyrore të Labërisë. Duke iu drejtuar kryeministrit Edi Rama, Bellaj tha se në fshatrat e këtyre zonave malore kishin nxjerrë edhe ujë të kripur.

Një koment Bellaj e kishte edhe për bashkinë Selenicë, e cila sipas propozimit të PS për hartën e re territoriale shkrihet me Vlorën. Ai tha se gjatë 4 viteve në krye të detyrës, ishte përpjekur ta bënte ‘të madhe’ bashkinë, por kishte pikëpyetje për atë se çfarë do të ndodhte më pas.

“Vajza dhe Labëria kanë një pasuri të jashtëzakonshme. Këtu lartë është vendi i mirë, është Amantia, është Ujëvara e Rasalit, është Ura e Bratit. Kryeministër në fund kemi nxjerrë edhe ujë deti këtu. Kështu që në Vërmik dhe Bashaj kemi edhe ujë të kripur. Këto na i ka falur natyra. Ne jemi munduar, që ashtu siç e ka famën të madhe Labëria, të madhe ta bëjmë bashkinë tonë. Pastaj të shikojmë si do shkojnë gjërat”, tha mes të tjerash Bellaj.

Me të marrë fjalën, kryeministri Rama 'falënderoi' kryebashkiakun e Selenicës për informacionin ‘për vajtjen e detit në majë të malit me ujin e kripur bashkë’.

“Dua të përshëndes kryebashkiakun, Nertilin dhe dua ta falënderoj për informacionin për vajtjen e detit në majë të malit me ujin e kripur bashkë. Dua të përshëndes edhe ministrin e Pushtetit Vendor, zotin Demo, i cili është këtu i pranishëm për të parë si funksionon bashkia Selenicë”, tha mes të tjerash Rama.


Lajmi kryesor:

‘Vajza Fest’, mbahet edicioni i katërt i festivalit kulturor në fshatin Vajzë të Selenicës, i pranishëm edhe kryeministri Rama e ish-Presidenti Topi (VIDEO)