Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka vendosur të lejojë për të kandidauar për 2 vende vakante të Gjykatës Kushtetuese Alban Toron, Arta Vorpsin dhe Genci Gjonçaj ndërsa ka ndaluar kandidimin e Brunilda Bara.

Me vendimin e fundit të KED, tashmë bëhen 5 anëtarë që u është hapur rruga për në GJK, përfshirë edhe Jordan Dacin dhe Naureda Llagamin, që u lejuan disa ditë më parë. Më herët KED ndaloi kandidimin e ish-komisionerit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), Lulzim Hamitajt.

Gjykatra Kushtetuese aktualisht ka 2 vakanca të krijuara në shtator të 2024 pas dorëheqjes së gjyqtares Elsa Toska dhe vakanca tjetër është krijuar pasi vetë Gjykata Kushtetuese konstatoi mbarimin e mandatit të gjyqtares Sonila Bejta në tetor të vitit 2025.

Për vendin e Elsa Toskës janë në garë 9 kandidatura, ndërsa për vendin e Sonila Bejtjës janë në garë 10 kandidatura. Zëvendësuesen e Elsa Toskës duhet ta emërojë Parlamenti, ndërsa të Sonila Bejtjas, Presidenti.

Për të zënë vakancën e Sonila Bejtës kandidatë kanë qenë:
Alaudin Malaj
Alma Faskaj Vokopola
Brunilda Bara
Genci Gjonçaj
Jordan Daci
Lulzim Hamitaj
Naureda Llagami
Roland Ilia
Ndërsa për vakancen e Elsa Toskës kandidatë kanë qenë:
Lulzim Hamitaj
⁠Genci Gjonçaj
Naureda Llagami
Fatmira Luli
Lulzim Karini
Roland Ilia
Helena Papa
Jordan Daci
Arta Vorpsi

Që prej shtatorit të vitit 2024, kur ish anëtarja Elsa Toska dha dorëheqje të menjëhershme, Kushtetuesja nuk e ka pasur të plotë trupën prej 9 anëtarësh, duke sjellë edhe vështirësi në marrjen e një vendimi të qartë.

Zëvendësimi i Elsa Toskës u zvarrit, pasi kohëzgjatja e mandatit të saj u vendos në pikëpyetje, nëse duhet të ishte i plotë, apo i pjesshëm. Kuvendi ndali procedurat, deri kur Gjykata Kushtetuese dha një vendim final dhe tregoi se edhe Elsa Toska, si Holta Zacaj dhe Sonila Bejtja nuk duhet të gëzonin mandat të plotë, por të pjesshëm, për të garantuar ripërtëritjen apo rifreskimin e pjesshëm të GJK, me 3 anëtarë për çdo tre vjet, sipas Kushtetutës. Më pas Komisioni i Ligjeve hapi edhe një herë aplikimet për të gjetur një gjyqtar kushtetues, i cili do të zëvendësonte Elsa Toskën.

Në fazën e fundit KED bën vlerësimin e kandidaturave sipas pikëve dhe renditjen ja dërgon Presidentit dhe Parlamentit. Si Presidenti dhe Parlamenti kanë të drejtë të zgjedhin një emër mes 3 kandidaturave të renditura të parat sipas vlerësimit me pikë të KED. Në Parlament nëse njëri prej 3 kandidatëve nuk merr numrin e duhur të votave (84 vota), kalon automatikisht ai që renditet i pari, sipas vlerësimit të KED.

Ky proces duhet të ishte mbyllur prej kohësh, pasi ka kaluar çdo afat i përcaktuar nga ligji, për zëvendësimin e vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese.