Kompania farmaceutike AstraZeneca njoftoi të Shtunën se do të ketë  shkurtime të mëtejshme të dërgesave të vaksinës antiCOVID në Bashkimin Evropian, duke përmendur kufizimet e eksportit për lëvizjen.

"AstraZeneca me keqardhje njofton për një ulje të dërgesave të vaksinës kundër COVID-19 në Bashkimin Evropian pavarësisht se po punon pa u lodhur për të përshpejtuar furnizimin," citoi agjencia e lajmeve AFP.

Përballë vështirësive të prodhimit, grupi kishte vendosur të përdorte fabrikat e prodhimit jashtë BE-së për të arritur në kohë dërgesat për unionin evropian, por "për fat të keq, kufizimet e eksportit do të zvogëlojnë dërgesat në tremujorin e parë" dhe "me gjasë" në të dytin, shtoi ai.

Kompania synon të dorëzojë 100 milion doza në gjysmën e parë të vitit dhe 30 milion në tremujorin e parë dhe 70 milion në pjesën e dytë.

Komisioni Evropian, i cili negocioi kontratat e vaksinave në emër të 27 vendeve të tij anëtare, është kritikuar ashpër për dërgesat e e avashta në Evropë.

AstraZeneca njoftoi në fund të janarit se do të ishte në gjendje të jepte vetëm 40 milion doza për BE-në në tremujorin e parë të vitit nga 120 milion që kishte premtuar fillimisht, për shkak të vështirësive të prodhimit në një fabrikë belge.