Vaksinat shtesë mund të sigurojnë miliarda dollarë fitime për kompanitë prodhuese

Vaksinat shtesë mund të sigurojnë miliarda dollarë fitime për kompanitë prodhuese

Foto ilustruese

Për disa kompani prodhuese të vaksinave është krijuar mundësia e fitimit të disa miliarda dollarëve më shumë, ndërsa Shtetet e Bashkuara po përgatiten për shpërndarjen e dozave shtesë të vaksinës kundër COVID-19ës, për të forcuar mbrojtjen e amerikanëve ndaj virusit.

Sa do të fitojnë prodhuesit varet nga sa e madhe do të jetë shpërndarja në treg.

Cilët duhet të marrin një dozë përforcuese ishte një vendim që u shoqërua me debat ndërsa këshilltarët e Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) kaluan dy ditë këtë javë duke shqyrtuar provat. Drejtorja e CDC-së, Dr. Rochelle Walensky miratoi shumicën e kategorive të përzgjedhura prej tyre: personat 65 vjeç e lart, banorët e shtëpive të pleqve dhe ata të moshës 50 deri 64 vjeç që kanë probleme shëndetësore kronike, si diabeti, të cilëve do t'u ofrohet doza shtesë pasi të kenë mbushur gjashtë muaj nga doza e fundit e vaksinës së kompanisë Pfizer. Personat 18 vjeç e lart me probleme shëndetësore mund të vendosin vetë nëse duan një dozë përforcuese.

Sidoqoftë, kriza po evoluon vazhdimisht dhe disa zyrtarë të lartë të shëndetësisë amerikane presin që dozat përforcuese të autorizohen më gjerësisht në javët ose muajt e ardhshëm. Dhe kjo, plus rritjen e vazhdueshme në vaksinimet fillestare, mund të nënkuptojë një fitim të madh në shitje dhe në veçanti fitime për kompanitë Pfizer dhe Moderna.

"Oportuniteti sinqerisht reflektohet tek miliarda njerëzit në të gjithë botën që do të kenë nevojë për vaksinim dhe për dozën shtesë", tha analisti i kompanisë Jefferies, Michael Yee.

Bursa Wall Street po ndjek me vëmendje zhvillimet. Parashikimi mesatar i analistëve për të ardhurat e kompanisë Moderna në vitin 2022 është rritur me 35% që kur Presidenti Joe Biden paraqiti në mes të gushtit planin e tij për dozat përforcuese.

Shumica e vaksinimeve të deritanishme në Shtetet e Bashkuara kanë qenë nga kompania Pfizer, e cila krijoi vaksinën e saj me kompaninë gjermane BioNTech, e pasuar nga kompania Moderna. Ato kanë vaksinuar përkatësisht rreth 99 milionë dhe 68 milionë persona secila. Kompania Johnson & Johnson është e treta me rreth 14 milionë të vaksinuar.

Nuk dihet ende se sa njerëz do të vaksinohen. Por analistja e kompanisë Morningstar, Karen Andersen pret që vetëm dozat përforcuese të sjellin rreth 26 miliardë dollarë në shitje globale vitin e ardhshëm për kompanitë Pfizer dhe BioNTech dhe rreth 14 miliardë dollarë për kompaninë Moderna nëse ato miratohen për pothuajse të gjithë amerikanët.

Këto kompani gjithashtu mund të fitojnë biznes të mëtejshëm nga njerëzit që morën fillimisht vaksina të tjera. Në Britani, e cila planifikon të ofrojë doza përforcuese për të gjithë personat mbi 50 vjeç dhe kategori të tjera të rrezikuara, një panel ekspertësh ka rekomanduar që vaksina Pfizer të jetë zgjedhja kryesore, me Modernën si alternativë.

Analistja Andersen pret që kompania Moderna, e cila nuk ka produkte të tjera në treg, të gjenerojë një fitim gati 13 miliardë dollarë vitin e ardhshëm nga të gjitha shitjet e vaksinave COVID-19, nëse dozat shtesë autorizohen për përdorim të gjerë.

Fitimet e mundshme nga vaksinat janë më të vështira për t'u vlerësuar për kompaninë Pfizer, por drejtuesit e kompanisë kanë thënë se presin që marzhi i tyre i fitimit nga vaksina, para taksave, të jetë në kuotën e lartë të mbi 20% të të ardhurave. Kjo do të përkthehej në një fitim prej rreth 7 miliardë dollarë vitin e ardhshëm vetëm nga dozat shtesë, bazuar në parashikimin e shitjeve nga zonja Andersen.

Kompania J&J dhe ajo evropiane AstraZeneca kanë thënë se nuk kanë ndërmend të përfitojnë nga vaksinat e tyre për COVID-19ën gjatë pandemisë./VOA

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Protesta e Berishës, Faik Basha i PL-së e pranon: Nuk kishim shumë njerëz edhe prej motit! Haklaj: Mosbindja civile, teatër! PD bllokoi rrugët, vepër penale

Protesta e Berishës, Faik Basha i PL-së e pranon: Nuk kishim shumë njerëz edhe prej motit! Haklaj: Mosbindja civile, teatër! PD bllokoi rrugët, vepër penale